wrapper

Ohër, 07.10.2017

Pas dy ditësh intensive me kumtesa, prezantime e diskutime, mbylli punimet e saj në Ohër të Maqedonisë Konferenca e tretë ndërkombëtare me temë “Medresetë shqiptare në kohën e sotme, kurrikulat dhe tekstet shkollore”. Morën pjesë në të drejtues të arsimit të mesëm dhe të lartë islam, studiues, profesorë universitarë e specialistë të fushës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Sanxhaku dhe Bosnja. Konferenca u organizua nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe të Qytetërimit Islam (AIITC) dhe Instituti Ndërkombëtar i Mendimit Islam (ShBA), në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Islame (Shkup) dhe Qendrën për Studime të Avancuara (CSA - Sarajevë).

Në hapjen e saj, Drejtori i AIITC prof. as. dr. Ramiz Zekaj nënvizoi faktin se medresetë ishin dhe mbeten institucionet më të rëndësishme të edukimit islam në rajon, për shkak të traditës së tyre të gjatë dhe të numrit të madh të nxënësve që mësojnë në bankat e tyre. Ndërsa Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Reis Sulejman ef. Rexhepi u shpreh se medresetë në hapësirën shqiptare kanë luajtur, veç të tjerash, edhe rolin për kalitjen e personaliteteve që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme fetare dhe kombëtare.

Në gjashtë sesionet e konferencës u prezantuan rreth 30 punime. Ato përfshinë një gamë të larmishme tematikash, të cilat prekin zhvillimin e edukimit islam, shkencor dhe qytetar në medresetë shqiptare. Midis tyre mund të përmenden: historiku dhe aktualiteti i medreseve shqiptare, kurrikulat shkollore dhe përshtatja e tyre me nevojat e shoqërisë, metodat e mësimdhënies dhe tekstet mësimore të lëndëve fetare midis traditës dhe modernes, sfidat e karrierës dhe të profesionalizmit të medresistëve, elementët kombëtarë dhe islamë në tekstet mësimore, të drejtat e njeriut dhe vlerat e bashkëjetesës paqësore në kurrikulat e medreseve etj.

Pas analizave dhe debateve, pjesëmarrësit arritën në përfundime të rëndësishme, siç janë: nevoja për trajnimin pedagogjik të mësuesve të lëndëve fetare, unifikimi i teksteve të caktuara, modernizimi i metodave dhe i teknologjisë së mësimdhënies, hartimi i teksteve nën dritën e parimeve më të avancuara didaktike etj. Këto mbeten sfida në rrugën e përmirësimit të vazhdueshëm të arsimit islam, si pjesë e pandashme e sistemeve arsimore në vendet përkatëse.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2