wrapper

Mekë, 12/12/2018

Bashkimi dhe largimi nga qëndrimet ekstreme dhe përjashtuese ishte kryefjala e Kongresit Botëror, i cili mblodhi përfaqësues të bashkësive islame anekënd globit. Ky kongres u organizua nga Liga Botërore Islame në qytetin e shenjtë të Mekës, në datat 11-12 dhjetor 2018. I pranishëm në këtë tubim madhështor ishte edhe themeluesi, njëkohësiht anëtar i bordit drejtues të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, prof. as. Ramiz Zekaj.

Kongresin e çeli Emiri i Mekës, Halid Fejsal, i cili përcolli fjalën përshëndetëse të Mbretit Selman bin Abdul Aziz Al Saud, duke cituar: “Mbretëria e Arabisë Saudite bazohet në qasjen e moderimit dhe të rrugës së mesme. Është privilegj i saj t'u shërbejë dy Xhamive të Shenjta dhe miqve të Zotit (haxhinjve). Ajo do të vazhdojë angazhimet dhe nismat e ndërmarra, duke realizuar kështu shpresat dhe pritshmëritë e myslimanëve”.

Ai vlerësoi dijetarët e shquar pjesëmarrës në këtë kongres dhe e quajti praninë e tyre si shenjë e detyrës që mbartin për të shëruar përçarjet që kërcënojnë bashkësinë e muslimanëve dhe për të bashkuar radhët e tyre për të mirën e të gjithë njerëzimit.

Folësit e shumtë në Kongres, theksuan se ky tubim ka synon të përafrojë pikëpamjet rreth çështjes së unifikimit dhe harmonisë mes myslimanëve, si dhe të konsolidojë konceptet e qëndrimit të moderuar dhe mesatar. Ata nënvizuan rëndësinë dhe ngjizjen e kulturës së debatit, me qëllim që të përmbushet ky synim.

Në Kongres foli edhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, Dr. Jusuf bin Ahmed Uthejmin. Ai përmendi, mes të tjerash, se kjo Organizatë ka krijuar një departament të posaçëm për dialog dhe komunikim, me qëllimin për të ndërtuar ura komunikimi midis sekteve të ndryshme, si dhe për të thelluar dialogun midis ndjekësve të feve dhe kulturave të ndryshme.

Mes fjalimeve, spikati edhe Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Botërore Islame dhe anëtar i Këshillit Suprem të Dijetarëve, Shejh Dr. Muhammed bin Abdulkerim Al-Isa, i cili, ndër të tjera, tha se ky takim bashkon pikëpamjet dhe interpretimet e vëllazërimit islam dhe të vlerave të tij.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2