wrapper

Tiranë, 20.12.2018

Departamenti i Studentëve pranë Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam zhvilloi një takim, në kuadër të programit vjetor të veprimtarive, me temë: “Rinia studentore dhe angazhimi i saj pozitiv në shoqëri”. Të rinjtë janë shtylla e një kombi dhe sekreti i zhvillimit e përparimit, janë djepi i kulturës dhe qytetërimit të tij. Kështu e nisi bisedën me studentët teologu dhe përkthyesi Sokol Kondakçiu, i cili e përqendroi ligjëratën e tij në katër pika kryesore: nxënia e dijes dhe përkushtimi në rrugën e saj; rinia si periudhë kyçe në jetën e njeriut; ndikimi i të rinjve në mjedisin që i rrethon; pritshmëritë dhe perspektiva e brezave të edukuar.

Ai theksoi se rinia është më e shpejtë në pranimin e ideve novatore dhe reformave për ndryshim. Nëse fëmijët kanë ëndrra të bukura dhe të moshuarit kanë forcën e mendjes dhe urtësinë, rinia i bashkon të dyja me potencialet e saj në të gjitha nivelet. Është pikërisht ky potencial që, sipas tij, duhet ushqyer dhe duhet zhvilluar me mbështetje morale, financiare e njerëzore. Investimi më i mirë për brezin e ri është shkollimi dhe arsimimi i tyre, për t′u ofruar një të ardhme të sigurt, ku ata të japin kontributin personal në profesionet që do të zgjedhin.

Kondakçiu vlerësoi rolin e të rinjve edhe në aspektin e ruajtjes dhe përhapjes së fesë islame në mbarë botën. Ai shpjegoi se pa rininë, forcën, guximin dhe sakrificën e saj, feja islame nuk do të kishte mbërritur te ne, e trashëguar brez pas brezi dhe e kultivuar në shkollën universale të Profetit Muhamed (a.s.). Duke iu referuar shembullit të tij fisnik, teologu Kondakçiu nënvizoi se Profeti Muhamed kishte shumë besim te rinia dhe u caktonte të rinjve shumë detyra e misione të vështira që ata i kryenin me sukses dhe pa mëdyshje.

Përmes shembujve profetikë si dhe njerëzve të ditur, Kondakçiu i këshilloi studentët që të ecin në hapat e këtyre shembujve dhe të angazhohen në fuqizimin e dijes, duke e përcaktuar vetë të ardhmen e tyre, me sakrifica e shumë mund, me arritjen e rezultateve të kënaqshme në çdo fushë. Gjithashtu ai nguli këmbë se të rinjtë sot duhet të forcojnë lidhjen e tyre me Zotin, të përpiqen jo vetëm për përmirësimin e vetes, por edhe të jenë altruistë, të ndihmojnë më shumë të tjerët, duke kontribuar kështu për një shoqëri më të mirë.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2