wrapper

Në praninë e intelektualëve, mësuesve dhe dashamirësve të kulturës u zhvillua në Pallatin Kavaljon të qytetit të Kavajës sesioni përkujtimor në nderim të figurës së mësuesit dhe edukatorit Zyhdi Çaça. Morën pjesë në këtë takim Myftiu i Kavajës z. Besnik Leçini, nënkryetari i bashkisë së Kavajës z. Genc Gjylsheni, nëndrejtori i AIITC, z. Alban Kodra, si dhe ish studentë të Medresesë së Naltë, si Ismail Dizdari, Ali Hoxha, Sabri Hushi etj.

Tubimin e çeli nëndrejtori i AIITC, i cili prezantoi shkurtimisht objektivat e punës kulturore dhe shkencore të AIITC në shërbim të ruajtjes dhe zhvillimit të trashëgimisë kulturore islame. Në këtë kuadër, ai përmendi punën e institutit në vlerësimin dhe ridimensionimin e personaliteteve intelektuale muslimane në rang lokal dhe kombëtar. Përveç monografive dhe artikujve studimorë z. Kodra vuri theksin në zhvillimin e sesioneve të tilla përkujtimore, të cilat shërbejnë për të vënë gurin e parë në punën studimore që duhet bërë për regjistrimin e gjurmëve kulturore e diturore islame.

Më pas mbajti fjalën e tij Myftiu i Kavajës, i cili përshkroi përvojën e tij me z. Zyhdi Çaça në mbarëvajtjen e jetës fetare islame në Kavajë.
Pas shfaqjes së një videomontazhi me foto nga jeta dhe veprimtaria e tij ndër vite në arsim, u mbajtën fjalë interesante nga studiuesi Mustafa Doka, intelektuali Durim Çaça teologu Sedat Mahmudaj, si dhe kolegët e të ndjerit nga Medreseja e Naltë dhe nga shkollat e ndryshme ku ai punoi si mësues.

Diskutuesit përmendën fragmente nga jeta medresiste, të cilat ilustronin më së miri personalitetin e z. Çaça si shok i mirë, student i shkëlqyer dhe i përkushtuar pas mësimit dhe mësimdhënies. Ashtu siç trajtuan aspekte të jetës së tij profesionale si mësues i brezave të rinj të zonës së Synejit, dhe si misionar i Islamit në Myftininë e Kavajës.

Në përfundim të aktivitetit nënkryetari i Bashkisë së Kavajës z. Gjylsheni u dorëzoi familjarëve të z. Çaça një “Çertifikatë Mirënjohjeje” në vlerësim të kontributit intelektual dhe shpirtëror në zonën e Kavajës.

Për këtë aktivitet ishte përgatitur edhe një koktejl për të pranishmit në sallën e bibliotekës, ku ata patën mundësinë të vazhdonin bisedat miqësore rreth mbresave që u la ky takim.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2