wrapper

 

Libroteka e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, si një institucion kulturor në shërbim të lexuesit, ka në fokusin e vet, veç nismave e projekteve të shumta, edhe dhurimin e librave në çdo qytet të Shqipërisë. Projekti mujor “Bibliotekat, thesar i diturisë” synon pikërisht këtë, përhapjen e dijes mes gjithë grupmoshave, nëpërmjet dhurimit të librave të zhanreve të larmishme.

Librat që përzgjidhen për dhurim nga fondi i saj i pasur dhe i larmishëm, kanë si destinacion institucione publike e private, në ndihmesë të nxënësve, studentëve, akademikëve, shkrimtarëve etj. Deri tani dhjetëra biblioteka e shkolla në qytete të ndryshme të vendit janë pajisur me tituj librash të rinj, të dhuruara pranë Librotekës AIITC nga shkrimtarë e institucione arsimdashëse.

Gjatë këtyre ditëve, stafi i Librotekës AIITC, i kryesuar nga nëndrejtori Alban Kodra, vizitoi bibliotekën publike të qytetit të Kavajës, ku u prit nga përgjegjësja e kësaj biblioteke, znj. Shpresa Bygjymi. Duke falënderuar dhe përgëzuar stafin e AIITC, ajo shprehu kënaqësinë që edhe biblioteka që ajo drejton, u bë pjesë e këtij projekti dinjitoz. Literatura e dhuruar u përkiste zhanreve të tilla si: kulturë, shkencë, letërsi, histori, biografi etj., duke iu përgjigjur shijes së çdo kategorie lexuesish. Përgjegjësja Bygjymi premtoi se ky fond librash do të trashëgohen nga brezi në brez.

Projekti i Librotekës AIITC do të vazhdojë, duke pasur si qëllim pasurimin e shpirtit dhe mendjes me dije, sidomos për fëmijët dhe moshat e reja. Kontributi i gjithsecilit prej nesh për shtimin e fondit të librave në bibliotekat e qyteteve, është një investim i mirë për të ardhmen.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2