wrapper

Nga Prof. Shefik Osmani / Prof. As.Dr. Njazi Kazazi

12764798 1124700724231290 3386947244241444491 oNë grupin e Alhamiadave europiane, siç janë spanjollja, grekja, bullgarja, etj, shqiptarja ka karakteristikat e veta në disa drejtime dhe kryesisht:
1. Në shtrirjen e literaturës alhamiadiste në të gjitha hapësirat territoriale shqipfolëse. 2. Në mbizotërimin e saj në një hark kohor dyshekullor, XVIII-XIX (1724-1908). 3. Në krijimtarinë artistike dhe në fushën e pedagogjisë. 4. Në konsolidimin e gjuhës amtare, duke e përdorur atë në faltoret islame dhe në shkollat e tyre fetare. 5. Në krijimin e një klase elitare në art, kulturë e sociologji. 6. Provuan se gjuha shqipe është përçuese e ngarkesave të mëdha artistike. 7. Ishin pararendësit e Rilindjes sonë Kombëtare.

Le t’i skematizojmë një nga një këto ngarkesa:

1. Shtrirja e literaturës alhamiadiste në të gjitha territoret shqipfolëse.

Çfarë kuptojmë me termin alhamiadë ose alhamiadë shqiptare?[1] Së pari duhet theksuar se duke mos pasur shtet shqiptar të pavarur, për rrjedhojë deri më 1912 nuk kemi pasur as rrjet të arsimit kombëtar, as institucione që të zyrtarizonin një alfabet të njësuar, as terminologji shqipe. Në këto kushte shkrimtarët, historianët, pedagogët tanë, që i përkisnin këtij grupi, përdorën në krijimtaritë e tyre atë teknikë që kishin përvetësuar në shkollat ku kishin bërë studimet. Ata që e shkruan shqipen me alfabet arabo-turk quhen alhamiadistë.
Alhamiadistët e ndienin veten krenarë që shkruan dhe shqipëruan në gjuhën amtare, por në shkrimin e saj u ndeshën me vështirësi të mëdha, sepse në gjuhën që përdorën mungonin disa tinguj, sidomos ata zanorë. Por, pavarësisht nga këto pengesa, përfaqësues të kësaj letërsie, vepruan në të katër vilajetet ku shtriheshin territoret shqipfolëse, si në: Gegëri, Toskëri, Kosovë, Çamëri, Dibër, Ulqin, etj. Pothuajse të gjithë dialektet si dhe të folmet përfaqësohen në veprat e tyre.
Me këtë segment të kulturës sonë artistike-historike-pedagogjike janë marrë disa studiues shqiptarë dhe të huaj, si: Hajdar Gjirokastriti, Jani Vreto, Zef Jubani, Shahin Kosturi, Ettore Rossi, Osman Myderrizi, Lumo Skëndo, Dhimitër Shuteriqi, Mahmut Hysa, Rexhep Ismaili, Robert Elsie, Muhamet Pirraku, Ibrahim Hasnaj, Istref Shaqiri, Hasan Kaleshi, etj.

 

2. Shekujt XVIII-XIX, harku kohor i mbizotërimit të alhamiadës shqiptare.

Pas Jul Varibobës (1724-1788), Theodhor Kavaljotit (1728-1789), Dhanil Haxhiut (1802), Theodhor Haxhifilipit (rreth 1730-1805), Vangjel Meksit (1760-1823), Jani Vellarajt (1771-1823), etj, që përdorën alfabetin grek, erdhi grupi i alhamiadistëve, që edhe ky, botoi tre abetare (Daut Boriçi), ode heroike (Muhamet Çami), shkroi novela, etj. në gjuhën shqipe, por me një alfabet (të huaj), që nuk përmbushte nevojat fonetike të gjuhës amtare. Megjithatë ai u shtri në dy shekuj, duke filluar nga viti 1724 e duke mbaruar me Kongresin e Manastirit më 1908. Porf. Dr. M. Hysa, në botimet e tij mbi Alhamiadën Shqiptare, datëfillimin e saj e regjistron më 1728, kur u shkrua vjersha “Imzot, mos na lër pa kahve”, nga autori korçar Muçi Zade, ndërsa Prof. Dr. Tomor Osmani si datë mbarim të saj, d.m.th. fundin e përpjekjeve për një alfabet gjithëshqiptar, përcakton vitin 1908, vendimet e Kongresit të Manastirit.
Të shumtë qenë ata që u morën me shkrime në gjuhën amtare, që shqipëruan vepra letrare, që hartuan fjalorë, që shkruan gramatika, endën vjersha, që mbajtën shënime në marzhet e librave të bibliotekave të tyre, si: Muçi Zade, Sulejman Naibi, Hasan Zyko Kamberi, Muhamet Kyçyku, Tahir Gjakova, Zenel Bastari, Dalip Frashëri etj. Fragment nga libri "Mendime" me autor Rexhep Voka. Botuar me grafi arabe dhe e transkriptuar në gjuhën shqipe nga studiuesi i njohur Dr. Feti Mehdiu. Tetovë 1991.

3. Alhamiadistët shqiptarë bënë një hap përpara në letërsinë artistike dhe në fushën e pedagogjisë.

Letërsinë artistike shqipe ata e pasuruan me disa nënlloje të saj, si: me divanin (N. Berati-N. Frakulla), novelën artistike (M. Çami me Ervehenë), satirën (Hasan Zyko Kamberi me temat e tij të karakterit social, ekonomik e politik), ilahinë e mevludet (Ismail Floqi dhe Tahir Popova me mevludet), odën heroike më përshkrime panagjerike të ndryshme. Me këto elemente artistike ata krijuan një atmosferë të re që ngjalli krenarinë e trashëguar, i dha hov mospajtimit me gjendjen e rëndë aktuale ekonomike, politike e sociale.Më qartë se Evlija Çelebiu , që shëtiti tërë Shqipërinë në atë periudhë, asnjë tjetër nuk e dëshmon aq realisht lëvizjen kulturore që kishin ndezur këta shkrimtarë, këta historianë, këta të ditur. Në fushën e gjuhës e të pedagogjisë Ali Ulqinaku hartoi të parin fjalor shqip-turqisht me 9021 fjalë (sipas Osman Myderrizit), kurse Daut Boriçi botoi abetaren shqipe me alfabet arab. Novela “Erveheja” e përpunuar nga Jani Vretoja, siç shkruan shtypi i asaj kohe, ka qenë vepra më e lexuar në kohën e Rilindjes. Në shekullin XX ajo u vu në skenë nga dy grupe teatrale: ajo e Prishtinës më 1967 dhe ajo e Tiranës pak më vonë. Autorët e këtyre vargjeve poetike (ilahi, mevlude, lirika) ose i teksteve mësimore si ai i abetares shqipe i D. Boriçit (1869), i cili theksonte mes të tjerash, se “Shqiptari me mënyrën e shkronjave që kam kallxue në alfabetin shqip, brenda pak kohe, mundet me shkrue gjuhën e vet”, ose hartuesi i fjalorit që theksuam më sipër etj. nuk është e drejtë të konsiderohen autodidaktë, të shkolluar gjysmakë ose bejtexhinj. Ka të dhëna se ata zotëronin dy-tri gjuhë të huaja, shkruanin ose thurnin vargje në dy-tre gjuhë të orientit, e vlerësonin veten krahas figurave të shquara letrare, etj.

4) Alhamiadistët ndikuan pozitivisht në konsolidimin e gjuhës së shkruar shqipe.

Në një kohë kur në të gjitha institucionet që funksiononin në Shqipëri (qofshin fetare ose shtetërore) nuk njihej gjuha shqipe, ata hartuan mevludet shqip që u bënë të njohur në tërë trevat shqiptare. “Mevludet” e Hasan Zyko Kamberit, Ismail Floqit, Ali Ulqinakut, Muhamet Kyçykut, Tahir Popovës, etj, mësoheshin përmendësh dhe këndoheshin në shtëpi, faltore, dhe në sheshe me pjesëmarrjen masive të besimtarëve.
Nxënësit në orë të veçanta ushtroheshin në përvetësimin e melodisë krahas përmbajtjes e më pas në këndimin bashkarisht në klasë. Në këtë mënyrë ata ligjëruan përdorimin e gjuhës amtare si gjuhë mësimi në shkollat e tyre. Kjo praktikë i bindi masat popullore se shqipja është e aftë për të përçuar jo vetëm mesazhe fetare, por edhe historike, artistike, etj, njëlloj si gjuha turke, arabe ose greke, sepse gjuha amtare kuptohet më mirë, është e qartë, kumbuese dhe lë gjurmë të thella te të gjithë ata që e dëgjojnë, që e flasin, që e shkruajnë ose që e lëxojnë.

5. Me veprat e tyre alhamiadistët formuan elitën shqiptare në arte, kulturë, e sociologji, duke u shkëputur nga rutina mesjetare.

– Kjo elitë përbëhet nga bërthama intelektualësh shqiptarë, që bënin pjesë pranë oborreve qeveritare të pashallarëve të qendrave të mëdha si: të Shkodrës, Beratit, Prishtinës, Elbasanit, Gjakovës, Janinës, Prizrenit, etj. Krijimtaria e tyre ishte e njëkohshme me Revolucionin Francez, e ngjashme në disa drejtime me revoltat e popullit kundër pushtetit të parasë, shfrytëzimit të paskrupullt të masave, kundër korrupsionit të zyrtarëve, memurëve, pashallarëve, kadilerëve. Duke qenë e panjohur për pushtetarët, gjuha shqipe ndihmonte për t’u përhapur edhe ato poezi sarkastike që i diskretitonin ata. Këta poetë loznin rolin që sot luan media. Me disa përjashtime, tema e krijmtarive të tyre qe në përgjithësi tokësore dhe aktuale. Në tërësi ata i dhanë lamtumirën Mesjetës, pasqyruan me guxim dhe realisht situatën dhe u lidhën shumë me masat e gjera të popullit. Shpesh poezitë e tyre u bënë popullore dhe në mjaft raste ata i kaluan anonimatit. Por ata nuk u ngushtuan vetëm në poezi. Ata përgatitën dhe botuan edhe tekste mësimore shqipe, ndonjëri prej tyre hapi dhe shkolla. Po ashtu nuk munguan të hartojnë edhe fjalorë.
Muhamet Kyçyku (Çami), që jepte mësim në shkollën e mesme (medresenë) të Konispolit, në një nga krijimtaritë e tij e ngrinte zërin: “… dua t’i flas shqip” dhe “dua të vjershërroj shqip.” Ç’pasthirrmë e sinqertë e një poeti mësues! Novela e tij “Erveheja” është vepra më e lexuar nga shqiptarët në periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare. Një tjetër poet i këtij grupi (Nezim Frakulla i Beratit), që jetoi shumë kohë para tij, e ndjente veten krenar për gjuhën amtare që fliste, për fushat e malet shqiptare dhe për atë që shqipja është gjuhë poetike. Të vjen keq që këta poetë, ose më saktë alhamiadistët, nuk i njohin veprat e Buzukut, Budit e Bogdanit, që lëvizja kulturore shqiptare të ishte pa ndërprerje. Bogdani pas vdekjes u zhvarros, kurse Nezim Frakullën, pasi e torturuan për atë që kishte shkruar, e varrosën me përbuzje.

6. Krijimtaritë e alhamiadistëve provuan se shqipja përçon denjësisht ngarkesa artistike dhe diturore.

Megjithëse trashëgimia dyshkullore e krijimtarisë alhamiadiste shqiptare nuk është eksploruar e tëra, fondet që disponojmë aktualisht (divanet, poezitë lirike, ato anakreontike, panagjerike, novelat, legjendat, etj.) mund të pohojmë se një pjesë e konsiderueshme e tyre përfaqëson denjësisht letërsinë tonë gjatë shekujve XVIII-XIX.
Divanet, siç është ai i Nezim Frakullës që pati për subjekt individin shqiptar, shoqërinë shqiptare, natyrën e vendlindjes, përfaqëson një vepër poetike për shekullin kur u shkrua. Profesor Dr. M. Hysa, duke analizuar vlerat e divanit të Nezimit shkruan se ai: “shtroi edhe problemet e etikës letrare, atë të gjuhës poetike, të aktit të frymëzimit, të aktit të krijimit, të lirisë poetike, etj. Me këtë, Nezimin mund ta radhisim në ata që kontribuan në mendimin tonë estetik”. Më poshtë, duke vlerësuar divanin thotë se me këtë vepër Nezimi i “bëri një vend të merituar (vetes) në hierarkinë e letërsisë kombëtare.”

Poezitë lirike, ato me subjekt social, panagjeriket dëshmojnë për një pasuri artistike dhe jo për “bejte” të rastit ose “bejtexhinj të kuvendeve”. Sulejman Naipi, 233 vjet më parë thurte këto vargje lirike:


Cullufet e tua lulet e zymbylit, Je vetë bukuria e kopshtit ku ke hyrë Pra, ka hak bylbyli të shikonj me sy Ta lerë trandafilin, të këndonj për ty.
Të këndonj për buzët të kuqe shafran,
Të këndonj për ballin që nuk nxihet kurrë
Të këndonj për vetllat të shkruara gajtan,
Qepallat shigjeta, në sytë me nur. (Panteoni, Fq.36)


A mund të klasifikohet autori i këtyre vargjeve si një bejtexhi i rëndomtë? Ky poet i dy shekuj e ca më parë e kritikonte kolegun e tij, Nezim Frakullën, se e kishte tepruar përdorimin e fjalëve të huaja në veprën e tij. Pra, këtu jemi përpara një intelektuali të kompletuar nga ana artistike.
Le të marrim një përfaqësues tjetër që trajton subjekte sociale, Zenel Bastarin. Ai vargëzon:


Botën e kam zgjedh për shpi,
Tokën e zezë e kam nanë,
Qielli m’u ka bo çati,
vëllazën e motra gjithë dunjanë.
Ose kur na paraqet Tiranën dhe banorët e saj:
Bukë pa bukë po rrojnë fakirat,
Pa opanga, zbath e zhvesh,
Vetë janë mblu me gjithë të mirat,
Si katilat rrinë tue qesh.
Le të marrim një shembull tjetër, më përpara në kohë:
Do t’u lë një amanet:
Kur të shihni fushë e male,
të ju faleni me shëndet,
Prej meje me shumë halle,
t’u thoni: Nezimi po qanë…


Novela – Jehona e novelës artistike “Erveheja” ka arritur deri në ditët tona. Muhamet Kyçyku që e shkroi këtë në vargje thuri mbi 200 strofa, duke na lënë një model të bukur, që pas përpunimit gjuhësor që i bëri Jani Vretoja, kjo vepër u bë më e lexuara nga shqiptarët e periudhës së Rilindjes sonë Kombëtare. Nga ana psikologjike dhe ajo vepër ka shumë vlera.
Replikat mes poetëve të këtij grupi, në tubimet e asaj kohe për çështje gjuhe, kompozimi artistik, konceptim termash, etj, dëshmojnë për një nivel të lartë intelektual të tyre. Përpjekjet e tyre për t’iu përshtatur vargut popullor, 8-rrokëshit, duke iu shkëputur gazelave, kasideve, etj, pohojnë se një pjese e konsiderueshme e krijimtarisë së tyre, përfaqësojnë denjësisht letërsinë tonë gjatë shekujve XVIII- XIX.
Nëse përqendrohemi në krijimtarinë e tyre do të gjejmë “simbolin”, një aspekt i tesavufit islam, “egon” shqiptare, natyralizmin që i ngjet atij të letërsisë franceze të shek. XIX, “sendërgjinë” që ndikoi te pasardhësit për të përpunuar stilin. Te kjo plejadë poetësh shquajmë fenomenin e sinkretizmit, karakteristikë e krijimtarisë së shumicës prej tyre.


Duke vlerësuar teknikën e vjershërimit dhe përmbajtjen e krijimtarive të tyre, e përsërisim se e quajmë të gabuar nofkën pexhorative që iu vishet atyre “bejtexhinj”. Në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” (1982), me këtë emër kuptohen “ata që shkruajnë vargje pa vlera artistike, vjershëtarë të këqij, që thurin vargje aty për aty” etj. (fq.122). Po Daut Boriçi, autori i “Abetares Shqipe” e litografuar që më 1861, kur iu këshillon fëmijëve “Xeni me shkrue shqip”? Po Nezim Frakulla i Beratit, i cili krenohet se shqipen e shkroi i pari, se kjo është gjuhë poetike, se shqipen e bëri “handan” (të gëzuar) Nezimi?


“Bejtet dua t’i flas shqip.” Ky është një prononcim i një intelektuali të vetëdijshëm. Zenel Bastari, ky autor rebel i shek XIX, paraqet shumë skena që përbëjnë dëshmi historike për gjendjen e shqiptarëve në shekullin XIX.
Po Dalip Frashërin, i cili edhe pse gjen vështirësi në shkrimin e gjuhës shqipe me alfabet arab, nuk stepet për të shkruar 65.000 vargje, që numëron vepra e tij “Hadika-ja”.
Mendojmë se duhet hequr dorë nga emërtime të tilla. T’u japim njerëzve tanë,që na kanë lënë në trashëgim vepra të vyera, atë që meritojnë.

7. Plejada e alhamiadistëve është pararendëse e kulturës së Rilindjes Kombëtare.

Krahas Pjetër Zarishtit (1806-1866), Ndue Bytyçit (1847-1917), Preng Doçit, Leonardo de Martinos, Anastas Bykut, Vasil Rusos, etj, plejada e alhamiadistëve shqiptarë hyri në radhën e pararendësve të kulturës shqipe të Rilindjes Kombëtare. Me veprat e tyre e sidomos me “Abetaren” shqip të Daut Boriçit e me novelën e M.Çamit, me tematikat e poezive alhamiadiste mbi individin, moralin shoqërinë, natyrën u bënë pararendësit e kulturës artistike të Rilindjes Kombëtare. Fatkeqësisht ata nuk u njohën me njëri-tjetrin. Ata nuk njohën as pararendësit e tyre: Buzukun, Budin, Bogdanin, që të kishin një vijimësi të natyrshme.
Duhet pohuar se alhamiadistët nuk njohën asnjë lloj fobie për konfesionet e tjera që përbënin kombin shqiptar. Talentet e tyre shpërthyen në fusha të ndryshme (hartuan fjalorë, abetare, etj) sidomos në poezi, ku duke luajtur rolin që sot luan media, ata goditën rëndë korrupsionin, duke mos kursyer pashallarë, memurë, avokatë, etj, përshkruan historinë e vendit tonë, filluan hartimin e teksteve shkollore, organizuan kore që këndonin mevludet, duke mbuluar kështu dy shekuj të historisë sonë.
Hulumtimi në drejtim të zbulimit tërësor të trashëgimisë së kësaj plejade dhe vlerësimi i paanshëm i saj është në dobi të historisë së traditës sonë në fushën e kulturës, artit, gjuhës, zërit poetik shqiptar, në kuadrin e ridimensionimit bashkëkohor të vlerave kombëtare.


Literatura e shfrytëzuar

- Abazi, Dr. Nexhat. Zhvillimi i arsimit, shkollave dhe i mendimit pedagogjik shqiptar në Maqedoni (1830-1912). Tetovë, 1997.
- Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë. Instituti i Gjuhësisë e Letërsisë. Historia e letërsisë shqiptare. Tiranë, 1983.
- Alpan, Nexhip P.- Kaçi Nesip. Shqiptarët në Perandorinë Osmane. Tiranë, 1997.
- Basha, Ali Musa. Islami në shqipëri gjatë shekujve. Tiranë, 2000.
- Bushati, Hamdi. Shkodra dhe motet. Vëll. I. Shkodër, 1988.
- Dizionario comparato delle religioni monteistiche –Ebraismo-Cristiansimo-Islam. 1991. Monteferrato (AL).
- Elsie, Robert. Histori e letërsisë shqiptare. Tiranë, Prishtinë, 1997.
- Histori e letërsisë shqipe. Tiranë, 1959.
- Hysa, Dr. Mahmud. Alamiada shqiptare 1. Studime letrare. Shkup, 2000.
- Hysa, Dr. Mahmud. Alamiada shqiptare 2. Studime dhe recepsione. Shkup, 2000.
- Hysa, Prof. Dr. Mahmud. Hyrje në letërsinë shqiptare. Prishtinë, 2000.
- Ibrahimi, Nexhat. Islami në trojet iliro-shqiptare gjatë shekujve. Shkup, 1999.
- Inalxhik, Halil. Perandoria Osmane. Shkup, 1995.
- Ismaili, Rexhep. Tekstet e vjetra. Pejë, 2000.
- Kaleshi, Dr.Hasan. Vepra 1. Shkup, 1996.
- Kaleshi, Hasan. Letërsia shqiptare me alfabet arab. Sarajevë, 1957.
- Kaleshi, Hasan. Kontributi i shqiptarëve në dituritë islame. Riad, 1992.
- Kryesia e BIK-Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët. Prishtinë, 1995.
- Luli, Faik- Dizdari, Islam- Bushati, Nexhmi. Në kujtim të brezave. Shkodër 1997.
- Luli, Faik -Dizdari, Islam. Mevludet në gjuhën shqipe. Shkodër, 2002.
- Meshihati i BI në RM. Shqiptarët e Maqedonisë. Shkup, 1994.
- Myderrizi, Osman. Në “Buletini i shkencave shoqërore”: Nezim Frakulla-Jeta 1954/4, Erveheja-1951/1. H.Z.Kamberi-1955/1.
- Rexhepagiq, Jashar. Tema të zgjedhura dhe bashkëkohore pedagogjike. Prishtinë, 2002.
- Rreth përhapjes së Islamit ndër shqiptarët. Shkodër, 1997.
- Shetos. Ali Ulqinaku. Rev. “Kultura islame” 1940/13-14, Nezim Frakulla, Ibrahim Frakulla. 1941/5-6.
- Osmani, Shefik. M. Çami-Kyçyku-figurë poliedrike e alhamiadës shqiptare. Në “Univers”. Tiranë, 2003/4.
- Shuteriqi, DH. S. Shkrimet shqipe në vitet 1332-1850. Tiranë, 1976.

[1] Alhamiadë- shkrim me alfabet arabo-turk i një gjuhe tjetër, që përdor alfabetin latin.

 

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2

 

Template Settings

Color

For each color, the params below will give default values
Blue Green Red Radian
Select menu
Google Font
Body Font-size
Body Font-family