wrapper

46Në çerekun e parë të shekullit XX, një rol parësor dhe shumë dimensional në historinë e Shqipërisë luajti Hoxhë Kadri Lutfulla Prishtina, luftëtari për bashkimin kombëtar.
Kadri Lutfulla Prishtina mbaroi studimet teologjike në Stamboll, dhe krahas tyre, bëri dhe normalen e Lartë të Stambollit, si dhe Fakultetin e Drejtësisë pranë Universitetit të Stambollit.
Si burrë shteti, ai qe për Shqipërinë etnike dhe demokratike. Kryesoi Komitetin për Mbrojtjen Kombetare të Kosovës, përfaqësoi Kosovën si deputet i parlamentit të parë shqiptar (1921), u emërua Ministër i Drejtësisë në kabinetin e Qeverisë Shqiptare (1921), që kryesohej nga Hasan Prishtina. Si jurist u shqua për mbrojtjen e tij parimore. Si publicist dhe teolog, ai drejtoi revistën "Udha e s’vërtetës", ku shprehu pikëpamjet e tij politike, sociale, filozofike e teologjike.


Më gjerë platformën e tij e paraqiti në revistën "Bashkimi i Kombit", ku theksonte se "ka për qëllim kryesor me këshillue bashkëfetarët tanë, me ua mësue këtyre parimet e thjeshta të fesë, me i pshtue prej zhgatërrimit të kryekputshëm, me edukue tek ata ndjenjën e bashkimit e të jetuarit tok në shoqërinë njerëzore, me i ba gjymtyrë të dobishëm për jetën shqnore kombëtare tonën gjithë ata gjysëmdijetarë tonë, tue iu folun këtyne mbi baza të shëndosha e të vërteta të besimit, me i dhanë një zhvillim mendor krejt popullit, përderisa të na mbrijë fuqia në lëme të filozofisë, të sociologjisë e të politikës".
U përpoq të krijojë një opinion shoqëror pozitiv lidhur me fenë, duke e parë atë si një element bashkimi, si një doktrinë që nuk pengon përparimin e shkencave, si një fuqi "që ruan rregullin dhe disiplinën në mes njerëzve".


Nëpërmjet artikujve që botoi dhe forumeve që drejtoi ose mori pjesë, shtroi probleme të rëndësishme, që kishin të bënin me zhvillimin e arsimit në atë kohë, duke i trajtuar ato nga këndvështrimi shoqëror e politik.
Që më 1920 kërkoi që arsimi fillor të behej i detyruar, ndërsa arsimi gjysmë i mesëm falas, por jo i detyruar. Këtij projekti i shtohej hapja e konvikteve për nxënësit e zonave të largëta. Për sa i përket administrimit të hallkave të ndryshme, ai qe i mendimit që shkollat fillore dha ato qytetëse të administroheshin nga këshillat administrative të pushtetit lokal, ndërsa shkollat e mesme dhe institucionet e arsimit të lartë të ngriheshin dhe të administroheshin nga shteti. Në bazë të punës edukative-arsimore ai vuri edukimin patriotik, karakterin praktik të njohurive dhe aftësimin e nxënësve për të përballuar në mënyrë të pavarur nevojat e jetesës.


(Shkëputur nga libri: “Zhvillimi i Kulturës Islame te Shqiptarët gjatë Shekullit XX” – Dr. Ramiz Zekaj, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, Tiranë, 2002.)
© Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2