wrapper

Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj

Kultura fetare ka ushtruar ndikimet e veta pozitive në kulturën dhe qytetërimin shqiptar, në unitet dhe në bashkëveprim me ndikimet e tjera. Shqipëria, si zonë multikulturore dhe e ndodhur në kufi dhe me vijën ndarëse të kulturave religjioze, mund të krahasohet me një zonë ku përzihen ujërat e nxehta me ato të ftohtat. Do të jetë vështirë për çdo studiues apo etnolog që në këto ujëra të gjejë procese përplasjesh.

Trashëgimia e pasur shpirtërore dhe materiale e besimit islam e krijuar nga vetë shqiptarët ndër shekuj përbën një pasuri të madhe kombëtare, ku janë materializuar besimi dhe përkushtimi tek Zoti (xh.sh.), përpjekjet për t’u udhëhequr nga të gjitha virtytet larta të Tij. Këtë trashëgimi shqiptarët kanë ditur jo vetëm ta krijojnë, por edhe ta pasurojnë e túa përcjellin brezave e njëkohësisht ta mbrojnë nga çdo stuhi e forcë shkatërrimtare. Kjo trashëgimi shpreh vlerat e mëdha të besimit islam si për myslimanët kudo në botë, ashtu edhe për besimtarët islam shqiptarë. E gjejmë me vend të theksojmë se besimi islam nuk qe aksident apo faktor që shkaktoi prapambetje dhe veçim të shqiptarëve nga popujt evropianë. Përkundrazi, dëshmitë shpirtërore dhe materiale flasin për ecjen e shqiptarëve drejt një qytetërimit njerëzor që shoi grindjet e konfliktet, nxiti vëllazërimin, mirëkuptimin e bashkëpunimin, që zhduku prapambetjen dhe ndihmoi zhvillimin e përparimin, që mbolli dijen dhe kulturën, në vend të padijes, që zëvendësoi urrejtjen me dashurinë, përçarjen me bashkimin, varfërinë me begatinë, errësirën me dritën.

Ky vizion sociologjik e ka tipizuar besimin islam në Shqipëri që në hapat e para e në vazhdimësi për të ardhur deri në ditët tona, në shoqërinë bashkëkohore islame me sfidat me të cilat përballet. Misioni dhe përgjegjësitë e çdo besimi qëndrojnë në shëndoshjen e botës shpirtërore të njeriut si faktor që ndikon fuqishëm në mirëfunksionimin e shoqërisë njerëzore.

Duke përcjellë në masën e besimtarëve të vet, porositë e Zotit kumtuar në Kuran, thëniet e Profetit Muhamed (a.s.) e të dijetarëve islamë, ky besim e realizon më së miri atë për të cilin është urdhëruar dhe shpallur. Shoqëria, familja dhe individi shqiptar që udhëhiqet nga parimet, normat dhe morali islam janë oksigjen për shoqërinë shqiptare. Prej besimtarëve të vërtetë islam asnj

ë dëm, asnjë e keqe, asnjë sulm, asnjë përçmim, asnjë përbuzje, nuk është vërejtur, nuk është shënuar ndaj komuniteteve të besimeve të tjera. Asnjë libër islam, asnjë lider islam, asnjë intelektual islam nuk ka sulmuar besimet e tjera.
Ky është modeli i një shoqërie që është përpjekur të ndërtojë besimi islam në trojet shqiptare. Me këtë model, shqiptarët do të jenë të mirëpritur në Evropë. Përkatësia në shumicë myslimane e shqiptarëve nuk është pengesë e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian. Përkundrazi, kjo duhet konsideruar e trajtuar si vlerë që e bën prezencën tonë në Unionin Evropian më interesant dhe më aktiv, për të luajtur rol në balancat e ardhshme etnokulturore e fetare të Unionit. Thirrjet që i bëhen vendit tonë sot për dialog e mirëkuptim politik etj. janë treguesit më të mirë se çfarë kërkon Evropa nga ne. Pasi dihet se prej kohësh ky komunitet e ka përjashtuar kriterin e përkatësisë fetare në përbërje të tij.

Është e vërtetë se sot në Shqipëri ndihen zëra anti-islamë, edhe pse të ngjirura e të mekura që nuk shkojnë as përtej veshit të tyre. Këtë lloj islamofobie duke mos dashur ta etiketojmë si dashakeqëse, do ta konsiderojmë më shumë mungesë informacioni e njohurish rreth rolit të besimit si rregullator i shoqërisë shqiptare. Ka zëra që e anatemojnë besimin islam si aksident historik, si faktor i prapambetjes ose pengesë për shqiptarët në rrugëtimin drejt Evropës së Bashkuar. Faktet i rrëzojnë këto pretendime sepse: përhapja e besimit islam në trojet shqiptare është proces historik i zhvilluar dhe në mbështetje me ligjësitë historike, me shkaqet, etapat dhe rrjedhojat e veta rreth të cilave historianë seriozë nga Lindja dhe Perëndimi e kanë gjetur emëruesin e përbashkët.

Islami ndër shqiptarët nuk mund të konsiderohet aksident historik, sepse periudha e përhapjes së tij në trojet shqiptare okupon disa shekuj, që do të thotë jo përhapje të menjëhershme (aksidentale), por përhapje graduale e mbështetur në bindje të forta dhe vullnetin e lirë të shqiptarëve. Nëse besimi islam do të kishte qenë dukuri e imponuar, ai do të kishte rezultuar dukuri e kufizuar në kohë në hapësirat mbarë shqiptare e nuk do të kish përfshirë më shumë se 85 për qind të popullsisë shqiptare në Ballkan.

Besimi islam historikisht dhe i argumentuar, si në vendet e origjinës dhe në vendet ku u shtri, kushtëzoi progres shoqëror në gjithë hapësirën prej Oqeanit Atlantik deri në Kinën e largët, prej Detit Kaspik, deri në Oqeanin Indian. Dhe Shqipëria nuk do të bënte përjashtim nga këto hapësira. Islami edhe në trojet shqiptare erdhi i bashkëshoqëruar me dije të konsiderueshme shkencore, aq më tepër në kohën e arritjes së tij në trojet tona. Kultura dhe qytetërimi islam në viset shqiptare vijnë si dëshmi të pakundërshtueshme shpirtërore e materiale të këtij progresi. Në kushtet e mungesës së një shteti të përqendruar shqiptar, e përçarjes mesjetare feudale në principata feude apo pashallëqe, ajo çka i bashkonte shqiptarët e copëtuar ishte gjuha dhe kultura. Me përhapjen e besimit islam në trojet shqiptare gjallon kultura islame e ndërtuar sipas parimeve e modeleve të vendeve të origjinës, kryesisht në përmbajtje, por në formë në përshtatje me traditën dhe mjedisin shqiptar. Me këto tipare kjo kulturë do t’i dallonte, do t’i specifikonte dhe do t’i identifikonte shqiptarët prej popujve të tjerë të Ballkanit dhe, njëherazi, do t’i mbronte prej përthithjeve nga kulturat e tjera që vinin prej lindjes dhe perëndimit. Ky rol i kulturës islame i pikasur nga shumë studiues autoritarë botërorë nuk mund të kundërshtohet. Kjo kulturë është ngjizur fort në trungun e kulturës kombëtare në harmoni me kulturat e tjera homologe.

Edhe në këtë rast, besimi islam qëndroi në funksionin e një force kohezioni midis shqiptarëve që aktualisht e ka luajtur dhe vazhdon ta kryejë këtë funksion. Ekzistenca e tre besimeve dhe shumë sekteve e tarikatesh islamë në Shqipëri nuk e dobëson aspak këtë forcë kohezive ashtu si prania e Luleve shumëngjyrëshe nuk e shëmton bukurinë e lulishtes, përkundrazi e zbukuron më shumë. I njëjti arsyetim vlen për të shpjeguar ekzistencën e katër shkollave juridike në fenë islame. Tradicionalisht në Shqipëri është aplikuar shkolla e medhhebit Hanefi. Mbas viteve 1990, si rrjedhojë e përgatitjes së një brezi të ri teologësh myslimanë të ardhur nga Libia, Egjipti, Arabia Saudite, Siria, Libani etj., në Shqipëri filluan të paraqiten praktika fetare të shkollave tjera islame si Hanbeli, Shafi etj. çka ishte një risi e njohur nga teologët shqiptarë, por e panjohur nga masat e besimtarëve. Brenda bashkësisë islame shqiptare u krijuan dy vija paralele që u etiketuan si konservatorët dhe të moderuarit, por që në fakt duhej quajtur tradicionalistët dhe shkolla e re e praktikave islame, e që janë degë e të njëjtit trung, ushqehen nga të njëjtat rrënjë dhe prodhojnë të njëjtat fruta.

Bashkësia Islame Shqiptare ekziston dhe funksionon si një grupim shoqëror që i bashkon i njëjti besim dhe të njëjtat parime thelbësore. Individët e këtij grupimi, përveç asaj që i bashkon kanë edhe atë që i diferencon dhe i dallon, sipas moshave, gjinisë, nivelit kulturor -arsimor, vizioneve, prejardhjes shoqërore dhe padyshim brenda këtij ansambli ndihen edhe zëra që stonojnë, por që nuk arrijnë të largojnë Islamin nga boshti i misionit të tij, si rregullator i botës shpirtërore dhe i jetës shoqërore, apo siç thekson Emanuel Kanti … që nëpërmjet besimit, njerëzit shohin detyrat e tyre si urdhër hyjnor.

Në kushtet e një shoqërie moderne, bashkëkohore e integruese të shoqërisë shqiptare, Islami në Shqipëri përpiqet të jetë palë në proceset integruese me vizione që e ndihmojnë këtë proces. Besimi islam mbështetet në librin e shenjtë, Kuranin dhe në hadithet e Profetit Muhamed (a.s.), si edhe në veprat e dijetarëve islamë, duke zbatuar me besnikëri këto parime, që për çdo mysliman janë të shenjta dhe të pandryshueshme, që nga koha kur ato janë shkruar. Karakteri universal i këtyre parimeve dhe normave argumenton vlerat e tyre për të gjitha kohët e për të gjitha vendet. Por libri i shenjtë dhe ideologjia islame i udhëzojnë besimtarët e tyre dhe i orientojnë në kushtet konkrete, në vende dhe në kohë kur ato jetojnë. Megjithëse Kurani dhe hadithet e Profetit janë shpallur shekuj më parë, ato e ruajnë aktualitetin ndaj realitetit shqiptar, rajonal apo botëror dhe synojnë të dërgojnë mesazhe pajtimi dhe mirëkuptimi midis popujve, nëpërmjet ndikimit mbi qenien njerëzore, nisur nga logjika se nëpërmjet përparimit dhe progresit të individit realizohet progresi shoqëror. Besimi tek Zoti dhe morali i ndërtuar mbi themelet e besimit dhe i zhvilluar në mënyrë të organizuar në familje e në shoqëri, prezantohet aktualisht si alternativë e fuqishme në përsosmërinë e mbarë njerëzimit.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2