wrapper

Tiranë, 19.05.2018

Festivali i leximit “Ditënetët e Librit”, i organizuar me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës vijon veprimtaritë e tij në Tiranë, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. Në ditën e tij të katërt stenda e AIITC e pranishme në këtë panair, zhvilloi promovimin e librit më të fundit të botuar nga AIITC, i titulluar “300 hadithe”, të autorit Muhamed Sytari, Myfti i zonës së Shkodrës.

Në ceremoninë e zhvilluar në sallën “Shpataraku” të MHK, morën pjesë teologë, pedagogë, studentë dhe dashamirës të librit. Takimin e hapi nëndrejtori i AIITC, Alban Kodra i cili i falënderoi të pranishmit në emër të Drejtorit të AIITC Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj për pjesëmarrjen e tyre. Si fillim ai prezantoi një përmbledhje të historisë së hadithit tek shqiptarët, me autorët më të njohur dhe veprat e tyre në këtë lëmi e deri në ditët e sotme. Ndër ta ai përmendi mevludet, librat e dijetarëve Ibrahim Dalliu, Abdullah Zëmblaku, Vehbi Ismaili etj., si dhe botimet moderne të veprave origjinale si “Sahih el-Buhari”, “Sunen Ebu Davud”, “Muhtesar Sahih el-Buhari”, “40 hadithet e imam Neveviut” dhe të tjera botime.

Më pas ai përshkroi shkurtimisht vijat e përgjithshme të librit “300 hadithe”, duke e cilëuar atë një vepër antologjike me perla profetike të nxjerra prej detit të paanë të urtësisë muhamedane. Më hollësisht për këtë libër foli teologu Lavdrim Hamja. Ai zbërtheu mesazhet kryesore që ka dashur të përcjellë autori përmes saj, përshkroi metodologjinë e ndjekur në përzgjedhjen dhe përkthimin e lëndës hadithore dhe vlerësoi elegancën e dizajnit që synon ta afrojë lexuesin me përshpitrtshmërinë që përcjellin fjalët profetike.

Ndërsa autori i veprës, imam Muhamed Sytari u foli të pranishmëve për përvojën e tij me hadithin e Profetit Muhamed (a.s.). I nisur nga dëshira për t’i sjellë lexuesit një libër që të përfaqëojë më së miri udhëzimin dhe shembëlltyrën profetike,ai përzgjodhi nga vepra madhore “El-Xhami es-saghir” me 10 mijë hadithe, 300 të tilla. Ai u shpreh se është munduar të hartojë një libër që të jetë i vlefshëm për t’u lexuar jo vetëm nga besimtarët muslimanë, por edhe nga jomuslimanët, sepse Profeti (a.s.) u dërgua si mëshirë për të gjithë njerëzit. Për të ilustruar qëndrimet e tij, ai u lexoi të pranishmëve dhjetë hadithe nga krerë të ndryshëm të librit, duke komentuar shkurtimisht kuptimin dhe mesazhet e tyre.

Në përfundim, Kryetari i Bordit të AIITC vlerësoi lart librin, duke e quajtur udhëzues që të çon në destinacionin e duhur. Po ashtu, ai e cilësoi leximin e tij të domosdoshëm nga ana e të gjithëve, veçanërisht për problemet që po kalon shoqëria bashkëkohore. Pas vlerësimeve të rastit nga të pranishmit, ceremonia u mbyll me urimet më të mira për autorin që pena e tij të sjellë bukur në gjuhën tonë perla të tjera nga fjalët dhe mësimet e Profetit të Mëshirës. Ndërkohë pjesëmarrësit u interesuan pranë stendës së AIITC, ku blenë me ulje këtë botim të vyer, në muajin e bekuar të Ramazanit.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2