wrapper

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam

Përkthyesi më i mirë i letërsisë shqipe në arabisht, flet në takimin kulturor me temë: "Arnautët e Sirisë – Një Shqipëri e vogël larg atdheut të tyre"
Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, në synimin e tij për të kontribuar pozitivisht në kulturën shqiptare me këndvështrime të reja dhe me prurje të larmishme nga qytetërimi botëror, organizon ciklin e leksioneve me temë: "Popuj dhe kultura", i cili ka në fokus trajtesa të ndryshme nga personalitete të shquar të shkencës, kulturës e artit nga brenda dhe jashtë Shqipërisë.

I pari personalitet që hapi siparin e këtij cikli leksionesh është figura e mirënjohur e kulturës arabe, e njëherazi dhe e kulturës shqiptare në botën arabe, shkrimtari sirian Abdulatif Arnauti. I njohur në Siri për krijimtarinë letrare dhe, veçanërisht për përkthimin e kryeveprave të letërsisë shqipe në gjuhën arabe, dashuria për vendin e tij të origjinës e solli këtë kohë në Shqipëri z. Abdulatifin për të marrë pjesë në kremtimet e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Pasi viti jubilar i 100-vjetorit të Pavarësisë nuk mund të linte pa përfshirë në këto festime edhe shqiptarët e diasporës në vendet arabe.

Duke gjetur të përshtatshme kohen dhe momentin historik, AIITC organizoi akademin e parë "Popuj e kultura" me takimin: "Arnautët e Sirisë – Një Shqipëri e vogël larg atdheut të tyre", ku z.Arnauti foli rreth pranisë shekullore të shqiptarëve në Siri, për jetën dhe traditat e tyre, mbi ndikimin social e kulturor të tyre në vendet arabe dhe mbi kontributin e tyre për çështjen kombëtare.

Takimi i cili u zhvilluar në amfiteatrin e AIITC, ditën e enjte më dt. 29.11.2012, zgjoi interesin e shumë personaliteteve të botës akademike, kulturore e diplomatike shqiptare – bashkëpunëtorë të AIITC, si Rektori i Akademisë Pedagogjike të Tiranës Prof. Dr. Musa Kraja, Drejtori i Sektorit të Enciklopedisë në Akademinë e Shkencave Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu, gjuhëtarja Dr. Genciana Abazi – Egro, ish ambasadorët zotërinjtë Sulejman Tomçini, Shaban Murati, Qazim Tepshi e Faruk Borova dhe një sërë personalitetesh të tjera miq e dashamirës të AIITC.

Takimin e hapi Drejtori i AIITC, Dr. Ramiz Zekaj, i cili u shtjelloi përmbledhtazi të pranishmëve idenë e Akademisë së AIITC, si dhe bëri një prezantim të mikut të nderuar. Më tej fjalën e mori z. Arnauti, i cili u foli të pranishmëve në gjuhën amë, me shqipen e tij me theks kosovar, pasi prindërit i kishte nga Vushtria. Në fillim ai bëri një historik të emigrimeve shqiptare në Siri, të cilat nisin që para 200 vjetësh, kur ushtarët shqiptarë të Ibrahim Pashës, djalit të sunduesit shqiptar të Egjiptit Mehmet Ali Pashës, nuk u kthyen me ushtrinë në Egjipt, por u vendosën në Siri.

Pjesa më e madhe e tyre ruajten gjuhën dhe traditen, por pati nga ata që u përzien me vendasit dhe nuk arritën të ruajnë gjuhën dhe mbiemrat e tyre. Por, sipas z. Arnautit, edhe sot e kësaj dite ata janë të vetëdijshëm për origjinën e tyre shqiptare dhe nuk e harrojnë atë. Emigrimet e tjera të shqiptarëve në Siri ishin ato të viteve 1912-1913, për t'i shpëtuar represionit serb të kohës dhe të viteve 1945-1948, për t'i shpëtuar përndjekjes së pushtetit komunist në Shqipëriu e Jugosllavi. Por këta të fundit, sipas z.Arnauti, emigruan më tej në Amerikë dhe shumë pak prej tyre u vendosën në Siri.

Pastaj z.Arnauti foli për historinë e familjes së tij dhe të lidhjes që ai kishtë me letrat shqipe. Prindërit e tij të emigruar më 1913-ën dhe ai vetë lindi në Siri në vitin 1931. Pavarësisht se i lindur në Siri, mjedisi shqiptar ku u rrit bëri që në fillim të mos e dinte mirë arabishten. Megjithatë në shkollë ai e përmirësoi gjuhën arabe, madje aq sa në vitet '40 të shekullit të kaluar të botonte krijimtari letrare në poezi e në prozë në gazetat dhe revistat e kohës. Në vitet '50 të shek. XX ai filloi të përkthente letërsi shqipe në gjuhën arabe, punë të cilën e nisi me përkthimin e teksteve të disa këngëve shqiptare. Me kalimin e kohës gama e përkthimeve të tij nga letërsia shqipe u zgjerua së tepërmi dhe dëshira e publikut arab për t'i lexuar ato bëri që botimet të mbaronin sapo dilnin, saqë nga Egjipti i kërkuan që përkthimet e tij të botoheshin edhe atje. Më pas këto vepra u shpërndanë në të gjithë botën arabe.

Në këtë mënyrë z. Arnauti u bë përkthyesi i parë i letërsisë shqipe në vendet arabe dhe vendosi marrëdhënie shumë të mira me Lidhjen e Shkrimtarëve në Shqipëri, përveç marrëdhënieve të forta që kishte me shkrimtarët shqiptarë të Kosovës. Kjo bëri që z. Arnauti ta vizitonte Shqipërinë në vitet '70, të takohej me Kadarenë, Agollin e shkrimtarë të tjerë dhe ta rriste numrin e veprave shqipe të përkthyera në arabisht. Ai deri tani numëron rreth 21 përkthime, të cilat përbëjnë pothuajse gjysmën e librave të tij që arrijnë numrin e 61 veprave me krijimtari letrare, përkthime e studime në fushën e kritikës letrare.

Midis përkthimeve të tij më të rëndësishme nga letërsia shqipe janë: romanet e Kadaresë "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", "Kështjella" dhe "Dosja H", romani i Dritëro Agollit "Njeriu me top", romani i Vath Koreshit "Dasma e Sakos", drama e Kolë Jakovës "Toka jonë" dhe një seri vëllimesh poetike të poetëve shqiptarë nga Shqipëria e Kosova, si Azem Shkreli, Ali Podrimja, Xhevahir Spahiu etj. Përveç përkthimeve, ai ka shkruar në shqip edhe disa vëllime me poezi të vetat. Dy prej këtyre poezive auditori pati kënaqësinë t'i dëgjonte të recituara nga gazetarja e Radio Kontaktit Marinela Naska.

Më pas, duke iu përgjigjur pyetjeve të pranishmëve, ai foli për mënyrën se si e kishin ruajtur shqiptarët identitetin e tyre në Siri dhe përmendi një sërë figura shqiptarësh me kontribut madhor në kulturën dhe artin arab, si romancieri Maaruf Arnaut, piktori Abdulkadir Arnaut, dijetarët Muhamed Nasiruddin Albani, Abdulkader Arnauti, Vehbi Gavoçi etj. Foli për klubet e arnautëve në Siri dhe mikpritjen e popullit sirian për emigrantët shqiptarë, si dhe dëshirën e vendasve për të lidhur miqësi e krushqi me shqiptarët, për shkak të cilësive fisnike që i karakterizonin ata. Midis të tjerash përmendi edhe fatkeqësinë personale në trazirat e fundit, ku nga bombardimet iu dogj biblioteka personale me të gjitha librat dhe dorëshkrimet e tij që po i bënte gati për botim.

Takimi i zgjatur për më se dy orë u mbyll me një dhuratë simbolike që Kryetari i Bordit Drejtues të AIITC, Dr. Faruk Borova, i dorëzoi mikut të nderuar – një flamur kombëtar me shqiponjë të qëndisur, i cili do t'ia zëvendësonte edhe flamurin e vetëm shqiptar që shkrimtari e mbante në bibliotekën e tij personale, tashmë të djegur.

Me këtë rast takimin e përshëndeti edhe mbesa e shkrimtarit, znj. Marie Arnauti, drejtoreshë e Operës së Damaskut. Pasi shprehu falënderimin e saj për mikpritjen e gjetur në Shqipëri, ajo tregoi se i kishte pëlqyer shumë vendi i saj i origjinës dhe shtoi se do të ishte e lumtur që të niste bashkëpunime të suksesshme në fushën e artit dhe të kulturës midis dy vendeve, me qetësimin e situatës në Siri. Më pas bisedat dhe takimi me shkrimtarin vijoi në sallën e ekspozitave të AIITC, ku për të pranishmit ishte shtruar një koktej. Duke shfrytëzuar praninë e tij në AIITC, shkrimtari shqiptar u bëri një vizitë mjediseve dhe zyrave të Institutit dhe dhuroi disa nga librat e tij për librotekën e AIITC.

Akademia e AIITC "Popuj dhe kultura" vijoi ciklin e saj të leksioneve me takimin me Dekanen e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në UT, Prof. Klodeta Dibra. Akademikë, diplomatë, intelektualë, studentë, nxënës dhe të ftuar të tjerë u mblodhën ditën e premte, dt. 15 shkurt 2013, në sallën e Amfiteatrit të AIITC, për të ndjekur ligjëratën me temë "Gjuhët, pasuri për njohje dhe komunikim mes popujve".
Midis të pranishmëve ishin Ambasadori i Egjiptit në Shqipëri SHTZ Ahmed Abdullah, Konsulli i Austrisë në Shqipëri znj. Sigrid Kodym, përfaqësues nga Ambasada e Turqisë në Shqipëri, Rektori i Akademisë Pedagogjike të Tiranës Prof. Dr. Musa Kraja, akademiku Xhevat Lloshi, anëtarët e Bordit Drejtues të AIITC Prof. Dr. Hasan Çipuri, Alush Saraçi, Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu etj.

Aktivitetin e hapi zv. drejtori i AIITC Alban Kodra, i cili përcolli fjalën e rastit të Drejtorit të këtij instituti Dr. Ramiz Zekaj. Përmes kësaj fjale, Drejtori i AIITC vlerësoi dhe falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre në këtë aktivitet, vuri theksin tek rëndësia e gjuhëve të huaja dhe tek roli i tyre i pamohueshëm në çdo aspekt. Sipas tij, ishin pikërisht këta faktorë që e shtynë AIITC të ndërmerrte nismën për të themeluar një qendër profesionale për mësimin e gjuhëve të huaja.

Më tej në fjalën e tij ai u ndal tek mekanizmat dhe teknikat e punës që AIITC ka vënë në dispozicion, për mbarëvajtjen e kurseve të kësaj qendre. Në fund, Dr. Zekaj nënvizoi se synimi i Akademisë së AIITC dhe Qendrës Profesionale për Mësimin e Gjuhëve të Huaja, është që të rinjtë të kenë sa më shumë njohje me gjuhët dhe kulturat e popujve dhe t'i sigurojë vendit përkthyes të përgatitur e cilësorë.

Më pas, referuesja kryesore e këtij takimi, Prof. Dr. Klodeta Dibra, Dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja pranë Universitetit të Tiranës, kumtoi temën "Gjuhët, pasuri për njohje dhe komunikim mes popujve". Znj. Dibra e ndau ligjëratën e saj në dy pjesë: në pjesën e parë ajo trajtoi çështjen e globalizimit që po përjeton sot bota dhe ndikimin e tij në nxitjen e mësimit të gjuhëve dhe të kulturave të huaja. Ndërsa në pjesën e dytë të ligjëratës, ajo vuri theksin në rolin e gjuhëve të huaja si dritare komunikimi me botën.

Midis të tjerash ajo bëri një historik të mësimit të gjuhëve të huaja në Shqipëri, duke përmendur përparësinë që i ka dhënë shteti shqiptar gjatë periudhave të caktuara gjuhëve si: italishtja, gjermanishtja, frëngjishtja, rusishtja e, së fundmi, anglishtja, në varësi të rrethanave dhe kushteve ndërkombëtare, politike, ekonomike etj.

Më pas ajo trajtoi arsyet pse gjuhët e huaja janë një prej çelësave të suksesit për individët e një shoqërie, të cilët janë zotërues të një gjuhe të huaj ose më shumë. Për të nënvizuar rëndësinë që kanë gjuhët si çelës i kulturave të kombeve të ndryshëm në këtë kohë të globalizmit, ajo solli shembuj konkretë nga përvoja e saj si sportiste që kishte udhëtuar në vende të ndryshme dhe më pas si pedagoge e gjuhëve të huaja në Universitetin e Tiranës. Referati i saj u prit me shumë interes nga të pranishmit.

Duke marë si shkas ketë takim AIITC bëri shpërndarjen e çertifikatave për kursantët e gjuhëve të huaja, të cilët sapo kishin përfunduar nivele të ndryshme në tre prej tyre. Kursantëve të gjuhës arabe ua dorëzoi çertifikatat Ambasadori i Egjiptit në Tiranë SH.T.Z. Ahmed Abdullah, kursantëve të gjuhës gjermane Konsullja e Ambasadës së Austrisë në Tiranë znj. Sigrid Kodym, ndërsa çertifikatat e gjuhës angleze i dorëzoi Prof. Dr. Musa Kraja, Rektori i Akademisë Pedagogjike të Tiranës.

Fjalën përmbyllëse të këtij takimi e mbajti Kryetari i Bordit Drejtues të AIITC, Dr.Faruk Borova, i cili u shprehu falënderimet e sinqerta të pranishmëve, që me prezencën e tyre i dhanë gjallëri kësaj ceremonie. Takimi u finalizua me shperndarjen e disa prej botimeve më të fundit të AIITC dhe me një koktejl shtruar enkas për të pranishmit në këtë aktivitet, i cili kaloi nën një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore ku të ftuarit patën mundësinë për të shkëmbyër më tej mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Akademia e AIITC do të vijojë në të ardhmen me të tjera takime, dhe me të tjera tema që lidhen me çështje me rëndësi për kulturën shqiptare dhe dialogun mes popujve.

Ditën e mërkurë, datë 05.06.2013, Akademia e AIITC "Popuj dhe Kultura" organizoi takimin e saj të tretë me temë: "Islami dhe Demokracia nën Dritën e Zhvillimeve të Fundit në Botën Arabe" ku i ftuar ishte Dr.Muhamed Sibitli, hulumtues për studime strategjike në Qendrën Fejsal për Studime Islame, Riad dhe Zv/Kryeredaktor i revistës "Islami dhe Bota Moderne".

Ky takim vinte në kuadër të leksioneve që kjo akademi organizon, me synim për të kontribuar pozitivisht në kulturën shqiptare me këndvështrime të reja dhe me prurje të larmishme nga qytetërimi botëror.

Deri tani, media shqiptare, ajo e shkruar dhe vizive ka trajtuar dhe analizuar zhvillimet më të fundit në vendet arabe, nëpërmjet analistëve, politologëve dhe gazetarëve vendas apo perëndimorë. Për këtë arsye AIITC synoi që nëpërmjet këtij takimi të sjellë para publikut shqiptar një këndvështrim të ri nga brenda vetë botës arabe, dhe për këtë arsye ftoi një nga njohësit e mirë të kësaj fushe, historianin, dhe akademikun tunizian, Dr.Mohamed Sbitli.

Në fjalën e tij Dr. Muhamed Sbitli paraqiti për të pranishmit një panoramë të qartë dhe një analizë konkrete e praktike mbi zhvillimet, ngjarjet dhe protestat e ndodhura vitet e fundit në Tunizi, Egjipt, Libi dhe Siri, ngjarje të cilat kanë trazuar opinionin ndërkombëtar dhe vazhdojnë të mbajnë ndezur rajone të tëra. Analizën Dr. Sbitli e nisi me një trajtesë, ku shpjegoi emërtimet e ndryshme të këtyre ngjarjeve. Ai tha se qytetarët e këtyre vendeve i emërtuan revolucionet e tyre sipas qëllimeve për të cilat u ngritën.

Kështu, tunizianët e emërtuan revolucionin e tyre "Revolucioni i Barazisë" sepse kërkonin të drejta të barabarta ekonomike, ndërkohë që libianët apo sirianët i quajtën lëvizjet e tyre "Revolucioni i Lirisë", sepse kërkonin liri; ndërsa shtypi botëror i njohu këto lëvizje me emërtime të tilla, si "Pranvera Arabe", apo "Revolucioni i Jaseminit" për protestat në Tunizi, të cilat u zhvilluan në mënyrë më paqësore dhe ndikuan në një kalim të butë pushteti.

Më tej, Dr. Sbitli u fokusua në ndryshimet midis strukturave shoqërore, ekonomike dhe politike midis shteteve arabe në të cilat ndodhën këto ngjarje, e që për pasojë sollën edhe ndryshime në mënyrën si u zhvilluan ato. Ndër të tjera ai theksoi se në shtetet ku shoqëria civile ishte më solide, si Tunizia dhe Egjipti, revolucionet ishin më paqësore dhe ushtria nuk ndërhyri. Ndërsa në shtetet si Libia, e cila ka një strukturë shoqërore tradicionale tribale, apo si Siria, ku shoqëria civile ishte thjesht maskë e sistemit në fuqi, revolucionet rezultuan të përgjakshme dhe ushtria mori krahun e pushtetit.

Pastaj ai analizoi një për një situatat që çuan në zhvillimin e protestave në secilin prej vendeve të përfshira dhe shpjegoi disa nga faktorët e brendshëm dhe të jashtëm që ndikuan në këto ngjarje. Prej tyre ai përmendi faktorët ekonomikë, socialë, etnikë e fetarë, si dhe ndërhyrjen e disa shteteve të huaja.

Ditën e mërkurë, datë 23.04.2014, Akademia e AIITC "Popuj dhe Kultura" organizoi takimin e saj të katërt me temë: "Arbëreshët e Italisë dhe revista arbëreshe "Lidhja" - Një kontribut i çmuar kombëtar jashtë Shqipërisë", ku i ftuar ishte At Antonio Bellusci, themelues i revistës arbëreshe "Lidhja" dhe drejtor i Bibliotekës Ndërkombëtare Shqiptare"A.Bellusci", Frascineto (Cosenza).

Ky takim vinte në kuadër të leksioneve që kjo akademi organizon, me synim për të kontribuar pozitivisht në kulturën shqiptare me këndvështrime të reja dhe me prurje të larmishme nga qytetërimi botëror.
Një pjesë e pandarë e kulturës së trashëguar nga arbëreshë e Italisë është kultura e trashëguar nga kultura kombëtare shqiptare. Për t'u njohur më thellë me jetën kulturore dhe intelektuale të kësaj popullsie, si dhe për të mësuar më shumë rreth përpjekjeve të tyre për ruajtjen dhe forcimin e traditave dhe identitetit të tyre kombëtar në Itali.
Në takim referoi At Antonio Bellusci, i cili ka dhënë një kontribut të shquar në këtë drejtim, duk e themeluar i një sërë institutesh kulturore dhe akademike si: revista arbëreshe "Lidhja" dhe Biblioteka Ndërkombëtare Shqiptare"A.Bellusci", në Frascineto (Cosenza).

I gjendur në Shqipëri në kuadër të një delegacioni arbëresh nga rajoni i Unggrës, z.Antonio Bellusci iu përgjigj pozitivisht ftesës nga AIITC, për të zhvilluar një takim në mjediset e Institutit, me qëllim prezantimin e veprimtarisë së tij në shërbim të kulturës arbëreshe.

Me këtë rast, delegacioni arbëresh, i shoqëruar nga Kryetari i Komitetit Shtetëror të Kulteve z. Ilir Hoxholli, kreu një vizitë dhe në ambientet e AIITC. Atje u pritën nga Drejtori i AIITC Dr. Ramiz Zekaj, Kryetari i Bordit Dr. Faruk Borova, kryeredaktori i revistës "Univers" prof. dr. Arian Kadiu dhe një numër bashkëpunëtorësh.

Në takim morën pjesë një numër studiuesish, intelektualësh dhe njerëz të librit si, gjuhëtarët prof. dr. Emil Lafe, prof. dr. Hasan Çipuri dhe Dr. Genciana Abazi, historianët Bedri Telegrafi dhe Ibrahim Hoxha, botuesi Xhevahir Lleshi dhe shumë të interesuar të tjerë.

Akademinë e hapi At Antonio Bellusci me një prezantim të veprimtarisë së Bibliotekës së tij. Z. Bellusci tregoi se Biblioteka Ndërkombëtare Shqiptare"A.Bellusci", Frascineto (Cosenza) u themelua në vitin 2001 me ndihmën e baskisë së qytetit Frascineto, për të qenë në shërbim të komunitetit italo-arbëresh prej 30 mijë vetësh.
Ishte kjo nismë finalizimi i përpjekjeve shumëvjeçare të bëra prej tij si etnolog,folklorist dhe studiues i gjuhës shqipe dhe traditave arbëreshe. Biblioteka përmbante një literaturë të pasur në gjuhën shqipe nga të gjitha kohët. Por ai që binte në sy, ishte fakti se biblioteka ishte kthyer si një muze etnografik. Përveç librave, ajo përmbante piktura, një vegjë tezgjahu, qilima me motive shqiptare, fotografi edhe shumë objekte të tjera të kulturës kombëtare, të cilat arbëreshët ia kanë ruajtur ndër shekuj.

Më pas ai prezantoi veprimtaritë e ndryshme që kishte zhvilluar biblioteka këto 13 vite, ku vuri një fokus të veçantë te vizitat e shumta të zhvilluara nga personalitete të ndryshme shqiptare ndër vite. Artistë, shkrimtarë, politikanë, nxënës e studentë të shumtë nga Italia, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia ka pritur ajo bibliotekë. I gjithë prezantimi u shoqërua me një kolazh këngësh tradicionale arbëreshe, që z. Bellusci i kishte mbledhur për këtë rast.
Më pas fjalën e mori kreu i delegacionit arbëresh Mons. Donato Oliverio, i cili e falënderoi Institutin për mundësinë që i dha të takohej me një auditor të nderuar dhe u shpreh se një nga vlerat më të çmuara të popullit shqiptar që ai e vuri re shumë qartë gjatë kësaj vizite, është toleranca fetare e mrekullueshme që ekziston mes shqiptarëve, çka duhet ekspozuar më shumë ndërkombëtarisht.

Në përfundim të takimit, Drejtori i AIITC dr. Ramiz Zekaj e falënderoi At Antonio Belluscin dhe delegacionin arbëresh që e kishin pranuar ftesën e tij për vizitë. Ai rrëfeu mbresat e tij gjatë një vizite që kishte kryer disa kohë më parë në bibliotekën "A. Bellusci", ku kishte mbetur i habitur nga mënyra si kishin mbetur të ruajtura shumë elementë të traditës kombëtare shqiptare atje.

Dr.Zekaj u shpreh se tashmë At Bellusci kishte pranuar ftesën për të qenë anëtar i Bordit Këshillimor të revistës "Univers" dhe i uroi mirëseardhjen në gjirin e kontribuesve të kësaj reviste. Pas disa konsiderata nga të pranishmit, veprimtaria u mbyll me një koktej të përgatitur me këtë rast, gjatë të cilit At Bellusci pati mundësi të shënonte përshtypjet e tij në Librin e Vizitorëve të AIITC.

الصفحة 1 من 42

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2