wrapper

Kjo antologji vjen si copëz e trashëgimisë kulturore shqiptare, që përcjell fakte interesante të Çamërisë nga penat e saj të arta, vjershëtarë si Muhamet Çami, Hasan Tahsini, Muhamet Margëllëçi, Haxhi Murat Çami, Jasin Alushi, Hasan Pilavi, Hajri Muderrizi etj...

Libri përmban vjershat më të spikatura të kësaj treve, që autori i ka mbledhur nëpër arkiva, të ruajtura nëpër dorëshkrime dhe në kujtesën popullore. Vjershëtarët çamë këndojnë për bukuritë e natyrës, për atdheun, për dashurinë dhe besën, për hiret e vashave dhe trimëritë e djemve. Në disa prej poezive lartësohet morali, nderi, besa dhe virtytet e shqiptarëve, ndërsa në disa të tjera trajtohet mendimi filozofik, fetar e shkencor.

Muhamet Çami

Vjershëtari i parë në gjuhën çame, që e qëndisi shqipen mbi letër, me një alfabet të ndërtuar nga vet ai, prej shkronjash të huazuara nga arabishtja, osmanishtja e persishtja. Ishte i pari që u përpoq të krijonte një letërsi laiko-artistike, duke mundur të çante akullin e konservatorizmit të letërsisë fillestare. Deri më sot, janë gjetur 16 vepra të Muhamet Çamit, të ruajtura në dorëshkrim, por edhe të riprodhuara e përmirësuara nga autorë të ndryshëm.

Ai parapëlqente shkrimtarin turk Muhamet Bergjeviu, në veprat e të cilit mori frymëzimin e parë për shkrimin e poemave që do të mbeteshin në panteonin e letërsisë shqiptare. Zgjodhi vargun, si mjetin më të kapshëm nga masa e gjerë e popullit që nuk dinte shkrim e këndim. Duke qenë se ushtronte falas edhe detyrën e hoxhës në xhami e medrese, Muhamet Çami i këndonte vjershat e tij gjatë orëve të mësimit në medrese, por edhe gjatë faljes së namazeve në xhami.

Poema me 2432 vargje “Jusufi dhe Zulejhaja” është kryevepra e Muhamet Çamit, për të cilën u mbështet në ngjarjet e lashtësisë së hershme, të përmendura edhe në Kuran. Por ai i pasuroi me ndodhi plotësuese, duke ia rritur ndjesitë, lëndimet, ankthet, ngazëllimet dhe ngacmime të tjera shpirtërore, që e bëjnë lexuesin të presë me padurim, varg pas vargu. Kjo poemë është përpunuar nga autorë si Sami Frashëri, Anton Zako Çajupi apo Hafiz Ali Korça. Është shkruar me një mjeshtëri të madhe dhe një analizë psikologjike të thellë, edhe pse nuk shquhet për ndonjë shtjellim dramatik, si poema “Erveheja”.

erveheja

Poema me 856 vargje “Erveheja”. Brumin për gatimin e kësaj poeme Muhamet Çami e mori nga libri osmanisht në prozë “Revza”, të autorit Ebi-l Kasem Behliu. Rrëfimet e përshkruara në këtë libër Çami i shumoi dhe i ngjeshi, duke i dhënë pamjen e një vepre të plotë e të mirëfilltë shqiptare, në pajtim me botëkuptimin shqiptar. Duke qenë se gjuha e përdorur ishte e vështirë për t′u kuptuar, Jani Vreto mori përsipër zëvendësimin e fjalëve arabe, osmane dhe persiane me fjalë shqipe, si dhe i shtoi poemës 32 vargjet e veta. Veprën e përmirësuar e botoi në Bukuresht, me 904 vargje, në vitin 1888. Më pas kjo vepër u huazua, u kopjua apo u përmirësua edhe nga shumë autorë të tjerë, duke sjellë edhe deformime të dorëshkrimit origjinal.

 

Poema me 128 vargje “Gurbetlitë” është shkruar në periudhën kur autori sapo ishte kthyer nga Egjipti dhe mbresat e hidhura mbanin ende të mpira ndjenjat e tij. Këtu pasqyrohen vuajtjet dhe ankthi i mërgimtarëve që shkonin dhe rropateshin në vende të huaja, nisur edhe nga eksperienca e tij personale si emigrant në Kajro për studime.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2