Tiranë, 01.03.2019             

Vlerësimi i personaliteteve që dhanë një kontribut të pashlyer në mjekësinë shqiptare është një detyrim moral e shoqëror. Prof. Dr. Bedri Bylyku është një prej tyre, i cili në moshën 86 vjeçare sjell për lexuesin librin e tij më të fundit “Tuberkulozi Klinik”. Instituti i Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit (IETT), në bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam (AIITC) organizuan promovimin e këtij libri, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Dhjetëra intelektualë, studiues, mjekë dhe përfaqësues të shoqërisë civile morën pjesë në këtë takim miqësor.

Ky libër është një pasqyrë jetësore e doktor Bylykut, ku lexuesit do të gjejnë të ndërthurura mjaft bukur leksionet mbi Tuberkulozin Osteoartikular, dhjetëra raste të rënda pacientësh të ndjekur prej tij si dhe këshilla të vyera për zhvillimin e mjekësisë në nivel primar, sekondar e terciar. Libri vjen pas një përvoje të gjatë dhe një pune shumëvjeçare të palodhur e dinamike.

Drejtori i Institutit IETT, Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj, në fjalën e rastit theksoi se autori përcjell mesazhin e rolit të pazëvendësueshëm të mjekut për jetën e pacientëve, duke shpresuar për një rilindje të këtij profesioni human edhe në ditët tona. Sipas tij, harrimi i shtetit dhe i politikës nuk e trembën aspak doktor Bylykun për të qenë, në radhë të parë, një njeri fisnik dhe një profesionist i rrallë në sojin e vet, një shembull që na tregon artin e të qenit mjek.

Takimin e përshëndeti edhe një prej kolegëve e miqve të ngushtë të doktor Bedriut, Prof. Dr. Petrit Bara, aktualisht shef i Shërbimit të Kardiologjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Duke sjellë në vëmendje eksperiencën personale dhe marrëdhënien profesionale e miqësore me doktor Bylykun, ai theksoi se ka përfituar mjaft nga leksionet dhe këshillat e tij, nga përkushtimi dhe devotshmëria ndaj pacientëve.

Duke u kthyer pas në kujtime familjare dhe profesionale, doktor Bedri Bylyku në fjalën e tij shprehu emocionet dhe mirënjohjen për të gjithë ata që e mbështetën në realizimin e kësaj ëndrre disavjeçare, konkretizimi i së cilës u mundësua nga Instituti IETT. Ai vlerësoi punën e palodhur dhe sakrificën e brezit të mjekëve me të cilët punoi për më shumë se 50 vjet me radhë në luftën kundër Tuberkulozit.

Urimeve dhe vlerësimeve për promovimin e këtij libri iu bashkuan edhe shumë miq e kolegë të tij në sallë, që preferuan të thoshin dy fjalë për figurën e doktor Bedri Bylykut, i cili të gjithë jetën e vuri në funksion të pacientëve.

Prof. Dr. Bedri Bylyku e nisi karrierën si mjek në vitin 1957. Dijet e përvetësuara gjatë specializimit në Rusi e Çekosllovaki i vuri në funksion të mjekësisë shqiptare, duke aplikuar ndërhyrjet kirurgjikale më të vështira. Përveç detyrës si shef i shërbimit të kirurgjisë për Tuberkulozin, ai ka udhëhequr nga ana teknike edhe sanatoriumet e Vlorës dhe të Sarandës. Po kështu ka punuar si pedagog i jashtëm në Fakultetin e Mjekësisë. Në vitin 2012 u dekorua nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, me titullin ‘Mjeshtër i Madh”. Libri “Tuberkulozi Klinik” do të jetë një udhëzues i vlefshëm jo vetëm për mjekët e studentët, por edhe për të gjithë dashamirësit e leximit.