wrapper

Dikur kryeqendra e Shqipërisë së Poshtme, sot qyteti i Joninës (shqip = e jona), gjendet në perëndim të Greqisë. Në këtë qytet historia dhe natyra jetojnë në harmoni të plotë me njëra-tjetrën. Shenjat e para të njerëzimit këtu datojnë që nga periudha e paleolitit (20. 000 vjet më parë) të gjetura në shpellën e Barkmadhit. Gjatë periudhës së Lashtësisë, krahina ka qenë e banuar nga fisi Shqiptar i Mollosëve. Në vitin 167 P.E.S, u pushtua nga Romakët. Ringjallja e qytetit filloi në periudhën bizantine në shekullin e gjashtë të erës së re, ku do ndërtohej edhe një nga kështjellat më të rëndësishme të Ballkanit.

Qyteti, që në periudhën e Muratit II në vitin 1431 do të binte nën sundimin osman, u shkëput prej Perandorisë Osmane pas Luftërave Ballkanike. Kjo periudhë pesë shekullore i la qytetit një trashëgimi të patjetërsueshme, duke bërë që Jonina, e cila ishte edhe njëra prej qendrave më të rëndësishme të Perandorisë Osmane në Ballkan, të jetë tashmë zonë që ruan një numër të madh monumentesh osmane.

Kjo trashëgimi përbëhet nga xhami, medrese, ndërtesa shtetërore dhe objekte të tjera. Xhami si ajo e Ali Pashë Tepelenës, xhamia Fet’hije dhe Xhamia e Veli Pashës, e ndërtuar nga i biri i Ali Pashës, janë vetëm një numër i vogël i të gjitha këtyre monumenteve. Shtëpitë që mbajnë mbi supe stilin osman të arkitekturës, i japin kuptim historisë së këtij qyteti.

Pemët e rrapit janë një tjetër pjesë e rëndësishme e mbetur prej trashëgimisë osmane në Joninë. Tradita osmane e mbjelljes së pemëve të rrapit në qytetet që administronin, e tregon veten më së miri edhe këtu. Pemët e rrapit, të ngritura në sheshet dhe rrugicat e qytetit, prej shekujsh shtrijnë krahët për t’u bërë hije banorëve të kësaj zone.

Rruga e pazareve, hyrja në të cilën paguhej gjatë epokës, tanimë mirëpret kafene dhe restorante. Sidoqoftë, dyqanet me mur guri të zejtarëve të kohës, qoftë edhe në një formë tjetër, vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot. Punimet me dorë të mjeshtërve të qytetit i zbukurojnë dritaret e tyre. Artizanati i famshëm i bizhuterive të Joninës tregon veten me stolitë dhe bizhuteritë që stolisin vitrinat. Kurse, ndër shembujt më të mirë të mjeshtërisë së drurit janë edhe prodhimi i bastunit.

Liqeni i Joninës, i gjendur në qendër të qytetit, përbën një nga tërheqjet kryesore për udhëtarët. Udhëtimi me varkë në këtë liqen i afron vizitorët me një ishull tërheqës, në qendër të të cilit ndodhet edhe shtëpia, ku Ali Pashë Tepelena - Luani i Joninës, kaloi ditët e tij të fundit. Sot kjo shtëpi i mirëpret vizitorët nën shoqërinë e tingujve të muzikës osmane. Ajo mbart mbi supe një rëndësi të madhe historike. Kopshti i shtëpisë, i ruajtur me kujdes, është i zbukuruar me lule të shumëllojshme. Rrapi 700 vjeçar i ndodhur aty, vizitorëve u prezantohet si rrapi i Ali Pashës. Gojëdhënat thonë se Aliu është vrarë pikërisht atje, në kopshtin e shtëpisë së tij, ndonëse më e besueshme është që të jetë vrarë brenda sarajeve të tij.

222kalaja

Në pjesën e brendshme të shtëpisë gjenden sende personale të Ali Pashës. Përkrah tyre, gjenden të ekspozuara edhe sende prej bakri e bronzi, duke filluar nga sendet shtëpiake e deri tek armët e luftës, që hedhin dritë mbi stilin e jetesës së kësaj periudhe. Arma e Ali Pashës, e punuar me argjend dhe posaçërisht për të, tërheq vëmendjen më shumë nga sendet e tjera. Kjo armë, dhuruar Ali Pashës, e prodhuar në vitin 1804, bie në sy për elementet e saj elegante të punuara me dorë. Armët e zjarrit, shpatat, hanxharët, të prodhuara po ashtu me dorë dhe që i përkasin asaj periudhe, janë të vendosura pranë njëra-tjetrës në këtë shtëpi muze. Ndërkohë muret e shtëpisë janë të dekoruara me tablotë, ku pasqyrohen elemente të ndryshme nga jeta e Ali Pashës.

Sendet qeramike, të ardhura nga Kytahja dhe Izniku i Turqisë, janë prej sendeve që tërheqin vëmendje gjithashtu. Shtëpia ka edhe një dhomë të veçantë, ku ekspozohen veshjet shqiptare, që nxjerrin në pah mënyrën dhe stilin elegant të veshjeve që i përkasin asaj periudhe. Të kënaqin syrin punimet e famshme artizanale të Joninës, ku nuk mund të mos gjenden rripat dhe aksesorët e punuara me argjend.

Në periudhën osmane qyteti banohej nga Shqiptarë myslimanë, si dhe të krishterët e hebrenjtë. Gjatë kohës së Ali Pashait pjesa e brendshme e kalasë së qytetit u transformua në qendrën e administrimit të shtetit, nga ku Aliu, me direktivat e dhëna, drejtonte Vilajetin e Joninës në mënyrë të pavarur nga Perandoria Osmane.

ioannina vizantino mouseio

Në hyrjen e pjesës së brendshme të kalasë, tugra osmane duket sikur vulos portën e saj, sipër së cilës gjendet një mbishkrim në osmanisht, që i përshëndet vizitorët me hijeshinë që përcjell qytetërimi islam i atjeshëm. Ndërtesa e ngritur pas vitit 1789, e përdorur prej Ali Pashë Tepelenës, tani njihet me emrin Sarajet e Ali Pashës. Edhe pse, nga sarajet nuk ka mbetur pjesa më e madhe e tij, ne dimë se ai ishte shumëkatësh dhe me shumë dhoma. Me vdekjen e Ali Pashës, sarajet e tij deri në vitin 1870 u përdorën si zyra shtetërore. Ndërkohë që në vitin 1870, për shkak të një zjarri, në themelet e sarajeve të dëmtuara rëndë, u ngrit një spital ushtarak, që do të bombardohej më pas në Luftën e Dytë Botërore.

Pjesa e brendshme e kalasë tërheq vëmendjen me elementet e saj historike, si xhamia Fethije. Ajo ka një rëndësi të madhe, për vetë faktin se është faltorja e parë e ndërtuar prej osmanëve në Joninë. Si fillim, e ndërtuar në vitin 1430 si mesxhid pa minare, në vitin 1795 me kërkesën e Ali Pashës do të merrte formën që ka edhe sot. Ndërsa, gjatë gjithë shek. XVII, do të ishte qendra ku kryheshin adhurimet brenda në kala. Xhamia ka një panoramë unike teksa vështron liqenin e Joninës nga sipër dhe rreth saj zgjaten pemët e rrapit, që mbajnë mbi supe peshën e historisë së asaj periudhe.

Tyrbja e vendosur pranë xhamisë Fethije, i përket Ali Pashës. Trupi prehet pranë varrit të bashkëshortes së tij Emine Hatuni, përveç kokës që është e varrosur në Stamboll. Struktura e hekurt që rrethon tyrben, edhe pse është hequr gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke i qëndruar besnik origjinalit të saj, është rivendosur përsëri në vitin 1999.

Po ashtu, pranë xhamisë Fethije zë vend edhe një ndërtesë, që herë pas here, përdorej si depo armësh dhe municionesh. Në rrugicat e ngushta me kalldrëm të pjesës së brendshme të kalasë, gjenden shtëpi tipike me elemente zbukuruese arkitekturore. Në shtëpitë një ose dy katëshe, duken qartë elementet e arkitekturës islame. Në këtë zonë ku është e ndaluar të ndërtohet në stile të tjera arkitekturore, ndjehet qartazi madhështia e së kaluarës.

Xhamia e Asllan Pashës e kthyer në muze

800px Aslan Pasha Mosque

Sot, e përdorur si muze nga Bashkia, xhamia e Asllan Pashës, tërheq vëmendjen për vetë faktin, se ajo zë vend si një prej monumenteve osmane të ruajtura më mirë në zonën e Joninës. Xhamia, me arkitekturën orientale islame, muret prej guri dhe vendndodhja e saj në breg të liqenit, i dhurojnë asaj një bukuri dhe hijeshi të pashoqe.

Kjo xhami e ndërtuar nga Asllan Pasha në vitin 1618, pas kryengritjeve të njëpasnjëshme në rajon, synonte gjithashtu të konsolidonte dominimin osman në vend. Sot, xhamia e Asllan Pashës mund të shihet nga një pjesë e madhe e qytetit për shkak të vendndodhjes e saj, që përfshin liqenin dhe një pjesë të madhe të qytetit.

Sendet e ekspozuara në xhaminë e Asllan Pashës, paraqesin zhvillimin kulturor osman në atë periudhë. Ndërkohë, që në pjesën e brendshme të xhamisë ekspozohen sende që i përkasin besimit islam, në hyrje, në pjesën e majtë ekspozohen sende që i përkisnin të krishterëve, kurse në të majtë ato të hebrenjve. Dekorimi i brendshëm, që e ka ruajtur stilin e tij, i mbetur prej periudhës osmane, përbëhet nga pasazhe kuranore dhe shkrime të ndryshme. Po këtu, gjenden edhe seti i ndenjes i zbukuruar me fildish të Asllan Pashës, që ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm për historinë e Joninës. Përveç këndit të dhomës së ndenjes, ka edhe sende të tjera të çmuara të bëra prej dru arre. Tapetet dhe shtrojat e përgatitura me copa të veçanta, të ardhura nga Bursa, Siria dhe Irani, gjenden të ekspozuara po këtu. Sendet e punuara me bakër dhe bronz shkëmbehen me vizitorët si dëshmi e progresit të përpunimit të hekurit dhe bakrit në historinë e Joninës.

Aspekti që tërheq më tepër vëmendjen është stili i jetesës së bashkësisë hebraike në periudhën osmane, i paraqitur në një pergamenë të shkruar me bojë të veçanta të zezë e aktit martesor hebraik të quajtur “Ketumba”. Gjithashtu, mes sendeve të ekspozuara, gjenden edhe veshje, sende të përdoruara në jetën e përditshme dhe stoli të përdoruara nga bashkësia e hebrenjve në qytetin e Joninës. Po ashtu, një element që tërheq vëmendjen janë edhe veshjet e kohës të qepura me dorë, sendet shtëpiake prej argjendi dhe stolitë e përdoruara nga bashkësia e krishterë e kohës. Prej sendeve që tërheqin më shumë vëmendjen janë edhe armët dhe shpatat e punuara me argjend.

Në kopshtin e xhamisë Asllan Pasha, që sheh nga liqeni i Joninës, gjendet edhe tyrbja e Asllan Pashës, i cili ishte edhe ndërtuesi i kësaj xhamie. Disa nga gurët e varreve të një pjesë të drejtuesve osmanë të kohës, të cilat dikur preheshin në kopshtin që rrethon xhaminë, gjenden sot në brendësi të tyrbes së Asllan Pashës.

4116928

Menjëherë, në krah të xhamisë gjendej edhe një medrese e madhe. Kjo medrese, që në periudhën osmane ka përgatitur sa e sa dijetarë, sot mund të shihet vetëm nga jashtë. Në afërsi të medresesë gjenden edhe rrënojat e një mense publike.

Një monument tjetër osmane që ekziston edhe sot e kësaj dite është një bibliotekë e madhe e vendosur pak më poshtë xhamisë së Asllan Pashës. Kjo biblioteka, e cila sot qëndron e mbyllur, tregon gjithashtu rëndësinë që i jepte Perandoria Osmane edukimit të popullsisë vendase.

---------------------------------------------------------------------

Burimet:


1) https://sq.wikipedia.org/wiki/Janina

2) Derya Özcan http://www.dunyabizim.com/dunyada-kultur/21256/yanya-adeta-bir-muze-sehir-video

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2