wrapper

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Tiranë, 10.09.2018

Botues: AIITC
Viti i botimit: 2018
Vendi i botimit: Tiranë
Nr. faqeve: 424
ISSN: 2414-8784

Revista shkencore - kulturore “Univers” është një botim periodik i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam (AIITC), që ka si qëllim publikimin e arritjeve më të fundit në disiplina të ndryshme shkencore si dhe hedhjen dritë mbi shumë çështje, duke nxjerrë në pah të vërtetën, pa asnjë lloj mbulese dhe ndikimi, të brendshëm apo të jashtëm.

Numri 19 i kësaj reviste përmban 30 artikuj studimorë, punime origjinale dhe të pabotuara më parë, të përzgjedhura pas një pune përgatitore disa mujore. Studiues të afirmuar brenda dhe jashtë vendit, përmes artikujve mjaft interesantë në lëmin e studimeve, opinioneve, botimeve apo shkrimeve historike e kulturore, sjellin fakte, dokumente dhe hulumtime rreth dy boshteve qendrore: studimeve albanologjike dhe studimeve mbi mendimin dhe qytetërimin islam.

Mes tyre, mund të përmendim:
Studime:
“Mbrojtja e shqipes dhe shtimi i kulturës gjuhësore, si dukuri me vlerë të përhershme kombëtare” e akademikut, prof. dr. Gjovalin Shkurtaj; “Roli i binomit vazhdimësi-ndërprerje në studimin e botës, në shkencë e teknologji” i akademikut, prof. dr. Rexhep Mejdani; “Kongresi i Dibrës, kongresi i vetëm mbarëkombëtar dhe thjesht shqiptar” nga prof. dr. Arian Kadiu.

Horizonte shoqërore:
“Myslimanët në Evropë, element mirëkuptimi dhe progresi” nga prof. dr. Kopi Kyçyku; “Mjetet mësimore, zbatimi në lëndën Njeriu dhe natyra” nga Ahiret Mehmeti; “Interneti - sfidë e shoqërisë bashkëkohore” nga Azmir Jusufi.

Art, kulturë dhe traditë:
“Vëzhgime nga festivali mbarëkombëtar shqiptar i folklorit. Rapsha, 2017, Tuz, Mali i Zi (15-20 gusht)”, shkrim i prof. dr. Ramazan H. Bogdanit; “Kultura arabe dhe kulturat e tjera” nga dr. Abdulaziz bin Othman Al-Tuwaijri; “Qemal Haxhihasani dhe bota arbëreshe në Itali (Nga letërkëmbimi me etnologun A. Belushi)” nga Antonio Belushi (Bellusci).

Opinione:
“Ndihmesa e ligjërimit libror të butë në begatimin shpirtëror të Shqipërisë së pavarur” nga prof. dr. Rahim Ombashi; “Islami dhe uniteti politik shqiptar, pa dallim feje e krahine etnografike” nga prof. dr. Fahrush Rexhepi; “Kritika e fetarisë së kulluar” nga dr. Mustafa Ceriç.

Botime në fokus:
Artikulli i prof. dr. Seit Mansakut: “Disa vlerësime për librin e albanologut Robert Elsi (Elsie).Fiset shqiptare, historia, shoqëria dhe kultura”; prof. dr. Nevila Nika vjen në këtë numër me shkrimin: “Mendime mbi librin Hasan bej Prishtina - dokumente historike nga arkivat italiane" etj.

Pjesë e bordit këshillimor të redaksisë në këtë numër të ri ishin edhe profesorët e nderuar, dr. Yahja bin Junaid, akademik nga Rijadi, dhe prof. dr. Njazi Kazazi, gjuhëtar nga Shkodra.

Tashmë, prej shtatëmbëdhjetë vitesh, revista "Univers" botohet dy herë në vit, duke qenë një dritare e hapur e dijes dhe e mendimit për të gjithë. Përmes saj, lexuesit marrin një informacion të pasur shkencor, duke shtuar më tej dijet dhe horizontin e tyre kulturor.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2