Çmimi AIITC

Që prej vitit 2006, “Çmimi AIITC” konsiderohet si një nga eventet kulturore më të rëndësishme të vitit. Ky konkurs është një nxitje e fuqishme për krijuesit, shkrimtarët, intelektualët dhe studiuesit që japin një kontribut të vyer në pasurimin e kulturës shqiptare. Çmimet AIITC ndahen në tri kategori kryesore, me shpërblimet përkatëse:

*Libri më i mirë i vitit në fushën e shkencës dhe të kulturës Islame (3 mijë euro).
*Peizazhi më i bukur në penelat e piktorëve shqiptarë (1500 euro).
*Krijimi më i arrirë nga moshat e reja, në prozë ose poezi, me tematikë: “E bukura në shpirt dhe në jetë” (500 euro).

Qëllimi:
– Stimulimi i studiuesve dhe artistëve, brenda e jashtë vendit, në fushën e shkencës, artit dhe kulturës islame.
– Spikatja e veprave më të mira të vitit dhe sugjerimi i tyre për publikun e gjerë.
– Vlerësimi financiar, si një shtysë për botimin dhe promovimin e mëtejshëm të veprave fituese.

Secila kategori e çmimit përmban:
*Një certifikatë brenda një dosjeje që përshkruan motivacionin për të cilin jepet çmimi fituesit.
*Një medalje argjendi me peshë 100 gr.
*Shumën financiare të lartpërmendur.

Pjesëmarrja në këtë konkurs vjen pas plotësimit të një formulari që të interesuarit mund ta gjejnë në faqen tonë të webit (www.aiitc.net), ose mund ta tërheqin pranë ambienteve të AIITC.