wrapper

Me datën 30 prill 2007 në ambientet e Hotel Tirana International, u organizua ceremonia e shpalljes së fituesve të “Çmimit AIITC 2006” për:
• Librin më të mirë të vitit në fushën e shkencës, kulturës dhe artit islam.
• Peizazhin më të bukur në penelet e piktorëve shqiptarë.
• Krijimtarinë më të mirë nga moshat e reja, në prozë e poezi, me temë: “E bukura në shpirt dhe në jetë”.

Në këtë aktivitet merrnin pjesë: Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Z. Ylli Popa, Kryetari i Komitetit Shtetëror të Kulteve Z. Rasim Hasanaj, Zv. Kryetari i Komunitetit Musliman Shqiptar Z. Saimir Rusheku, përfaqësues nga disa ambasada të akredituara në vendin tonë, përfaqësues të institucioneve, shoqatave dhe fondacioneve kulturore që veprojnë në Shqipëri si dhe shumë të rinje e të reja dhe intelektual e intelektuale të fushave të ndryshme.
Pjesëmarrësit e kësaj veprimtarie, në emër të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam, i përshëndeti drejtori i tij Dr. Ramiz Zekaj, i cili u shpjegoi të pranishmëve, në këtë ceremoni, arsyet dhe qëllimin që pati Instituti për të vënë në jetë këtë projekt, i cili u konkretizua tashmë në bashkëpunimin dhe me kontributin e pakursyer që dhanë në këtë drejtim figura të shquara të shkencës, kulturës dhe artit shqiptar.

Dr. Zekaj theksoi në fjalën e tij se pasurimi i fondit të artë të kulturës sonë kombëtare, me prurje të niveleve dhe arritjeve më të larta përbënte motivin qëndror të organizimit të këtij çmimi, i cili do të ketë karakter periodik viteve në vijim.

Në funksion të kësaj ideje qëndrojnë edhe veprat e sjella në konkurs, të cilat ishin provë e energjive kolosale që ruan shoqëria shqiptare. Realiteti shqiptar, historia, tradita, kultura, bota shpirtërore, natyra jonë janë gurra të pashtershme të veprave monumentale, së bashku me ujin e kristaltë të bjeshkëve tona, ndër shekuj rrjedh shpirti i artistit.

Vlen të përmendet fakti se ky konkurs vjen në një kohë kur sapo është shpallur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve projekti për vitet 2007-2013 si vitet e integrimit të rinisë shqiptare.
Gjatë fjalës përshëndetëse të Drejtorit të AIITC-së iu bë një ekspoze e shkurtër aktivitetit të Institutit, si dhe u evidentuan qartë pikësynimet e organizimit të një konkursi të tillë, i cili për nga natyra e tij, në kuadrin e aktiviteteve të institucioneve që lëvrojnë trashëgiminë dhe kulturën islamo-shqiptare, pa dyshim që përbën një risi.

Dhënia e “Çmimit AIITC 2006” është një stimul për krijuesit, shkrimtarët, intelektualët dhe studiuesit në fushën e shkencës, kulturës dhe artit islam, kontributi i të cilëve në panteonin e kulturës shqiptare është i shquar. Sigurisht se ky çmim do të promovojë studiuesit e rinj e të talentuar, hulumtuesit e shkencave islame dhe do ti motivojë ata për të sjellë vlera krijuese të reja në rrafshet e larta intelektuale.

Shpalljen e çmimit për librin më të mirë e bëri Z. Xhevahir Spahiu një nga penat e arta të poezisë shqipe. Ai, duke vlerësuar nismën e Institutit dhe personalisht Dr. Zekaj për këtë hap të rëndësishëm në nivelet e kulturës shqiptare në tërësi, si dhe në cilësinë e anëtarit të jurisë për librin më të mirë, shpalli fitues të çmimit “Libri më i mirë në fushën e shkencës dhe kulturës islame”, veprën e pedagogut të Universitetit “E. Çabej” të Gjirokastrës, Dr. Shyqyri Hysi me titull "Historia e komuniteteve fetare shqiptare". Ai në fjalën e tij falënderoi Institutin Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam, si dhe jurinë përkatëse për vlerësimin e librit të tij dhe i dhuroi Drejtorit të AIITC-së Dr. Ramiz Zekës monografinë e tij më të fundit, kushtuar jetës dhe veprës së personalitetit të shquar islam, shtetarit dhe intelektualit të shquar Z. Rauf Fico. Çmimi Dr. Hysit, iu dorëzua nga kryetari i Akademisë së Shkencave Prof. Dr. Ylli Popa.

Bibliografia e realizuar me mjeshtëri nga një treshe autorësh zotërinjtë: Maksim Gjinaj, Mehdi Gurra, Petrit Bezhani u vlerësuan me çmim nga juria për punimin me titull “Libra në gjuhën shqipe për Islamin”. Çmimi iu dorëzua autorëve nga kryetari i Komitetit Shtetëror të Kulteve Z. Rasim Hasanaj.

Ndër librat e vlerësuar me çmim, bënte pjesë edhe vëllimi poetik i autores Kozeta Boçi, të shpallur me aq vlerësim nga Z. Xhevahir Spahiu. Çmimi iu dorëzua autores nga një prej bashkëpunëtoreve të nderuara të AIITC dhe kryeredaktore e revstës "Familja" Prof. Dr. Ruzhdije Qafmolla.

Më pas, e mori fjalën Kryetari i Jurisë për vlerësimin e “Peisazhit më të bukur në penelet e piktorëve shqiptarë” Prof. Dr. Ali Oseku, i cili në emër të jurisë së përbërë nga ai kryetar dhe piktorëve Rubens Shima dhe Ylli Drishti, vlerësoi me çmimin e parë peisazhin e pedagogut të Akademisë së Arteve Z.Ardian Isufi, pasi vepra e tij përcillte një frymë bashkëkohore artistike dhe plotësonte të gjitha kriteret e vendosura paraprakisht nga juria. Dorëzimi i çmimit u bë prej Prof. Dr. Bedri Bylyku, edhe ky një bashkëpunëtor i vjetër i Institutit dhe kryetar i Shoqatës "Kultura Islame".

Me sharmin e shkrimtares, zonja e nderuar Adelina Mamaqi, pas paraqitjes së shkurtër që i bëri krijimeve në prozë e poezi me tematikë qendrore “E bukura në shpirt dhe në jetë”, të paraqitura nga moshat e reja, kryesisht nxënës e nxënëse të medreseve dhe gjimnazeve në mbarë vendin, në emër të jurisë përkatëse, të përbërë nga Prof. Dr. Arian Kadiu, poeti Edvin Hatibi dhe vetë shkrimtarja, shpalli fituesin e çmimit të parë, nxënësin e Medresesë së Tiranës Ardit Nezha për një cikël poezish. Ky çmim iu dorëzua fituesit nga shkrimtari i mirënjohur i letërsisë për fëmijë Z. Gaqo Bushaka.
Me çmim të dytë u vlerësua nxënësja e Medresesë së Durrësit “Mustafa Varoshi” Deada Hyka, e cila konkurroi gjithashtu me një cikël poezish. Dorëzimi i çmimit u bë nga n/kryetari i Komunitetit Musliman Shqiptar Z. Sajmir Rysheku.

Përmes falënderimeve drejtuar jurive respektive, të ftuarve të pranishëm në ceremoni, përfaqësuesve të trupit diplomatik dhe komuniteteve të ndryshme fetare në vend, figurave të shquara intelektuale që morën pjesë në ceremoni dhe që me praninë e tyre i dhanë hijeshinë e një aktiviteti serioz e me vlera për trojet shqiptare, ky organizim shënoi fundin e tij për tu rikthyer sërish, po me aq forcë e bukuri vitin e ardhshëm me ndarjen e “Çmimit AIITC 2007”.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2

 

Template Settings

Color

For each color, the params below will give default values
Blue Green Red Radian
Select menu
Google Font
Body Font-size
Body Font-family