wrapper

Çdo libër i shkruar është një dritare nga ku njeriu sheh botën dhe shoqërinë njerëzore. Në çdo vepër arti, natyra shpalos bukuritë e saj dhe i buzëqesh njeriut. Dijet dhe kulturat janë oksigjeni që shëndoshin dhe pastrojnë klimën, shkrimtarët, poetët, artistët janë fllade që e freskojnë mendjen dhe shpirtin e njeriut.

Dijet dhe kulturat janë bashkudhëtare të njerëzimit. Edhe shqiptarët ndër shekuj kanë shkruar historitë dhe kanë krijuar kulturën dhe artet e tyre. Dhe falë tyre kanë mundur të ecin dhe të përballojnë dallgë e stuhi. Në panteonin e kulturës shqiptare qëndrojnë kolosë që kanë lënë gjurmë dhe zbuluar visaret tona. Në këto gjurmë ecin sot krijuesit shqiptare, shkencëtarët dhe shkrimtarët që me dijet, kulturën pasionet krijojnë vlera, ecin poetët, që me talent e frymëzim përjetësojnë në vargje ndjenjën, sublimen dhe të bukurën, ecin piktorët e artistët që trokasin e fisnikërojnë shpirtin e njeriut. Trualli, historia, natyra, shoqëria shqiptare janë gurrë e pashtershme, burim e frymëzim në rrokjen e reales dhe irreales, të madhërishmes, të sublimes, të fisnikes.

Në trungun e kulturës sonë është ngjizur e trupëzuar atdhetaria, heroikja, estetikja, besimi dhe një botë shpirtërore e madhe, e pasur, e pastër dhe fisnike. Kultura dhe arti religjioz në Shqipëri kanë ndikime në fisnikërimin e ndjenjave dhe në formimin shpirtëror, në përsosjen e botës së brendshme drejt sublimitetit, hyjnores, të përjetshmes.

Edhe kultura e arti islam në trojet shqiptare kanë vendin dhe rolin e tyre në përcjelljen e mesazhit hyjnor dhe njerëzor së bashku. Kjo kulturë dhe ky art është produkt i mendjeve dhe talentit shqiptar tashmë e shekuj më parë.
Duke vështruar kulturën islame si pjesë e kulturës kombëtare konturohen ndikimet e saj pozitive në bashkëveprim e përqasje me kulturat e tjera për formimin e profilit dhe fizionomisë së kulturës shqiptare.

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam jep kontribute për studimin, njohjen dhe publikimin e vlerave tradicionale të kulturës islame në trojet shqiptare dhe në nivele shkencore bashkëkohore. Me këto fjalë dr. Ramiz Zekaj, në cilësinë e drejtorit të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, përshëndeti ceremoninë e ndarjes së “Çmimit AIITC 2007” që u zhvillua në Hotel Tirana me datë 5 maj 2008. Me këtë çmim të përvitshëm Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam vlerëson:

- Librin më të mirë të vitit në fushën e shkencës, kulturës islame.
- Peizazhin më të bukur në penelat e piktorëve shqiptarë.
- Krijimtarinë më të mirë nga moshat e reja, në prozë e poezi me temë “E bukura në shpirt dhe në jetë”.

Prof.dr. Shefik Osmani, në cilësinë e kryetarit të jurisë për librin më të mirë, ku bënin pjesë edhe poeti Xhevahir Spahiu dhe prof. dr. Feti Mehdiu, vuri në dukje se çmimi për vitin 2007 ishte një nxitje e konsiderueshme për studiuesit, shkrimtarët, poetët shqiptarë në drejtim të pasurimit të mëtejshëm të kulturës shqiptare dhe në këtë konkurrim u përshinë autorë të mirënjohur të letrave shqipe, të cilët i dhuruan kulturës sonë vepra me vlera të kënaqshme artistike. Juria shpalli librin më të mirë të vitit 2007 në fushën e shkencës, kulturës islami veprën me titull “Arkitektura e xhamive të Shqipërisë në shekujt XV-XIX” me autor prof. dr. Aleksandër Meksi me motivacionin “Për pasqyrim me vërtetësi shkencore të historikut të ndërtimit të objekteve të kultit islam në Shqipëri”.

Çmimin e I-rë, ku përfshihen medalja, diploma dhe çeku me vlerë 1500 $ z. Meksi ia dorëzoi Kryetari i Komunitetit Musliman Shqiptar H.Inxh. Selim Muça, i cili e përgëzoi ish-kryeministrin e Shqipërisë për kontributin që dha në pasurimin e mëtejshëm të kulturës islame dhe aspekt i rëndësishëm i saj është edhe njohja e objekteve të kultit që, përveç vlerave shpirtërore përcjellin edhe vlera arkitektonike dhe disa prej të cilave janë shpallur monument kulture dhe mbrohen nga shteti. Në fjalën e tij autori i veprës vlerësoi trashëgiminë e kulturës islame në Shqipëri si e krijuar kjo nga aftësitë krijuese të mjeshtërve shqiptarë dhe që përbën një fushë të rëndësishme studimi.

Çmime të barazvlefshme juria për librin më të mirë u akordoi veprave të autorëve Kujtim Ahmataj, Osman Xhili, Namik Selmani. Në emër të tre fituesve ceremoninë e përshëndeti z. Kujtim Ahmataj, ku falënderoi Institutin Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam dhe vlerësoi akordimin e çmimit si nxitje e fuqishme për poetët dhe prozatorët shqiptarë.

Çmimin me motivacionin “Për forcë vargu e ndjenjë të thellë besimi” z. Ahmataj për vëllimin poetik me titull “Ofshamë” ia dorëzoi profesori i nderuar Myzafer Xhaxhiu. Me motivacionin “Për përçim të mesazheve të besimit në shëndoshjen e shpirtit njerëzor” u vlerësua z.Osman Xhili për librin me titull “Jetë që ndryshojnë”, çmim të cilin ia dorëzoi autorit prof. dr. Bedri Bylyku.

Edhe shkrimtari Namik Selmani, me të njëjtin motivacion u vlerësua për vëllimin me poezi dhe ese “Dritaret e besimit” Çmimin ia dorëzoi autorit z. Tahir Muhedini, kryetar i Partisë Demokratike për Integrim.

Juria për pikturën më të mirë të vitit e përbërë nga z. Rubens Shima, prof. Ali Oseku dhe piktori Ylli Drishti vlerësoi fitues të çmimit z. Kastriot Dervishi për peizazhin me vlera të veçanta artistike dhe një trajtim virtuoz, ekspresiv në krijimin e imazhit të qytetit të Beratit. Çmimin dhe medaljen z.Dervishi ia dorëzoi prof. dr. Ali Oseku.

Vlerësimet e jurisë për krijimtarinë më të mirë letrare nga moshat e reja ua përcolli të pranishmëve, kryetari i jurisë prof. dr. Arian Kadiu. Ai vuri në dukje se moshat e reja për këtë vit kanë sjellë më shumë krijimtari në prozë dhe poezi me tematikë “E bukura në shpirt dhe në jetë” dhe se kjo krijimtari po shkon drejt një përsosmërie që meriton vëmendje të nxitet dhe të botohet.

Fitues i çmimit të parë për krijimtarinë më të mirë letrare nga moshat e reja u shpall studenti i Medresesë së Tiranës Arjan Hoxha për lirizmin, figuracionin, mendimin dhe të bukurën që përshkruan dhe përçon. Çmimin dhe medaljen atij ia dorëzoi shkrimtari Mojkom Zeqo.

Me të njëjtin motivacion, çmimi i dytë i shkoi studentes së Medresesë së Beratit Bujana Baballëku, të cilin ia dorëzoi z. Kreshnik Harshova përfaqësuesi i Komitetit Shtetëror të Kulteve.

Me çmime inkurajuese u vlerësuan studentët Florian Shehu, Esma Kura, Ergyn Peliku dhe Rovena Xhili. Fituesit e çmimit të moshave të reja për vitin e kaluar, studentët Ardit Nezha i Medresesë së Tiranës dhe Deada Hyka e Medresesë së Durrësit, të cilët konkurruan edhe këtë vit, janë vlerësuar nga ana e jurisë me çmim të veçantë për ecuri të kënaqshme në krijimtarinë e tyre letrare në prozë dhe poezi.

Çmimi AIITC 2007 pati si qëllim dhe shërbeu si nxitje për të vënë në lëvizje e për t’i dhënë shtytje aftësive krijuese të studiuesve, shkrimtarëve dhe artistëve tanë që çdo ditë me talentet e tyre pasurojnë odeonin shqiptar të kulturës. Kjo garë e bukur pasuroi fondin e artë të kulturës sonë kombëtare me prurje të niveleve dhe arritjeve më të larta dhe dëshmoi forcën krijuese e talentet që prodhon trualli ynë.

Në përfundim të ceremonisë një falënderim i veçantë iu drejtua nga ana e AIITC krijuesve shqiptarë që iu përgjigjën dhe i dhanë gjallërinë nismës për promovimin e vlerave të kulturës sonë kombëtare, jurive që me profesionalizëm dhe përkushtim, bënë vlerësimin e veprave të cilat hynë në garën konkurruese dhe të të gjithë pjesëmarrësve në këtë takim që me praninë e tyre i kontribuan qëllimit të përbashkët.

Takimin e mbylli drejtori i AIITC dr. Ramiz Zekaj i cili bëri me dije se i njëjti çmim do të vazhdojë edhe për vitin 2008 duke shpresuar se ky vit do të shënojë pjesëmarrje akoma më të gjerë e vepra të realizuara në nivele më të larta.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2

 

Template Settings

Color

For each color, the params below will give default values
Blue Green Red Radian
Select menu
Google Font
Body Font-size
Body Font-family