wrapper

Tiranë, 14.11.2018

Dialogu ndërkulturor vazhdon të mbetet çelësi kryesor për njohjen e ndërsjellë mes popujve dhe rritjes së bashkëpunimit mes tyre. Një qasje mjaft interesante të këtyre marrëdhënieve sjell romani “Nilkon – Kur Danubi takoi Nilin”, pjesa e dytë e trilogjisë “Kreuzannte”, i autorit Fate Velaj, piktor, fotograf dhe shkrimtar. Për të diskutuar mbi këtë roman, Libroteka e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam zhvilloi një bisedë me autorin, ku merrnin pjesë përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, politikanë dhe bashkëpunëtorë të AIITC.

Takimin e hapi nëndrejtori Alban Kodra, i cili njohu të pranishmit me një përmbajtje të shkurtër të romanit “Nilkon” dhe me arsyen se përse AIITC zgjodhi promovimin e këtij libri që është cilësuar nga kritika letrare si një vepër unikale dhe një letërsi krejt ndryshe.

Në fjalën e rastit themeluesi i AIITC, Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj vlerësoi figurën komplekse të autorit, botëkuptimin e tij të gjerë prej artisti, që i kalon kufijtë ndërkulturorë. Ndërsa romanin “Nilkon” e cilësoi si një vepër me përmasa universale, ku lexuesi krijon idenë e asaj çfarë i bashkon popujt, por edhe çfarë i bën ata të ndryshëm e të veçantë.

Ndërsa gazetari dhe publicisti Aleksandër Çipa vuri në dukje stilin narrativ të Fate Velaj, një autor krejtësisht i veçantë në llojin e vet, një artist mjaft kompleks, i cili solli një model marketimi kulturor e letrar që nuk e kemi pasur në 100 vite. Sipas tij, sot “Nilkon” është përkthyer në 8 gjuhë të botës, ndër të cilat edhe në gjuhën arabe. Për pasojë supozohet që libri ka arritur në duart e më shumë se 50 milion lexuesve.

Më pas fjalën e mori autori Fate Velaj, i cili falënderoi Institutin AIITC për interesin e treguar ndaj veprës së tij, duke u ndalur më gjerësisht në arsyet që e çuan për shkrimin e këtij romani, por edhe në peripecitë e kaluara gjatë rrugëtimit të tij si emigrant, faza të jetës që ai i ka përshkruar mjaft bukur në librin “Nilkon”. Sipas tij, përshkrimi i distancës Danub-Nil personifikon rëndësinë e lumenjve që në historinë njerëzore kishin funksionin e lidhjes dhe kontaktit mes popujve e kulturave të ndryshme. Duke lexuar edhe disa pasazhe nga libri i tij, Fate Velaj na solli një tablo të qartë të marrëdhënieve ndërnjerëzore, pavarësisht traditave e kulturave të ndryshme. Ai përshkruan njerëz të cilët, njësoj si ai, kanë ngjashmëri shpirtërore dhe krijuese, janë qytetarë të botës, qofshin evropianë, ballkanas, arabë, kinezë, bashkatdhetarë apo vlonjatë.

Pas rrëfimit të tij të gjatë rreth librit, në një bisedë spontane, autori iu përgjigj pyetjeve dhe kuriozitetit të pranishmëve mbi pritshmëritë e tij për të ardhmen, lidhur me zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes popujve e kulturave.

Aktivitetin e përshëndeti edhe ambasadorja e Kroacisë në Tiranë, zonja Sanja Bujas Juraga, e cila u nda mjaft e kënaqur nga kjo bisedë, duke e vlerësuar autorin Fate Velaj si një personalitet tek i cili kompozohen mjaft cilësi që e kanë ndihmuar në realizimin e këtij libri, duke qenë piktor, fotograf, një udhëtar i mirë nëpër botë, si dhe një shkrimtar që synon rënien e barrierave kulturore mes popujve.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2