wrapper

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam disponon një nga librotekat më të pasura në vend. Ajo numëron rreth 10.000 tituj librash të fushave të ndryshme si: shkencë, kulturë, histori, biografi, letërsi, arsim, fe, fjalorë, literaturë për fëmijë etj. Kjo Librotekë e pozicionuar në një vend të qetë, me ambiente të bollshme e komode leximi, ka afruar pranë vetes shumë lexues e studiues të fushave të ndryshme.

Përpos këtij shërbimi, Libroteka AIITC zhvillon një sërë aktivitetesh, duke pasur si qëllim shtrirjen e dijes te çdo lexues, jo vetëm në Tiranë por dhe më gjerë, duke ofruar mundësinë e njohjes së një morie titujsh e autorësh shqiptarë dhe të huaj.
Libroteka AIITC numëron rreth 270 libra dhe dorëshkrime të vjetra.

Mbledhja dhe ruajtja e librave të vjetër është një tjetër objektiv i kësaj libroteke. Ky sektor është pasuruar prej vitesh dhe gjithmonë do jetë në kërkim të mbledhjes së këtyre thesareve shekullore. Këto libra datojnë shumë shekuj më parë, disa prej tyre janë me kapakë dhe me numrin e saktë të faqeve, po ka prej tyre edhe që kanë mangësi, megjithatë vlerat që përçojnë në çdo rresht të ruajtur dhe të trashëguar prej shekujsh, na bëjnë të ndjehemi krenarë për këto dorëshkrime të vjetra. Për këtë arsye, i ruajmë më fanatizëm dhe krenari njëkohësisht.

Kapakët e librave kanë përbërje lëkure dhe janë kryesisht në gjuhën arabe, turke, osmane dhe shqipe. Disa janë libra të shtypur, disa janë me shkrim dore. Shumica prej tyre janë edhe të zbukuruar me konture (korniza), kryesisht në ngjyrë të kuqe, ose me motive florale (me lule), ku brenda kontureve të zbukuruar radhitet teksti. Libri më i vjetër daton në vitin 970, i punuar me shkrim dore, i autorit Birgivi Mehmet Efendi. Është një vepër teologjike, mistike dhe morale, me titull “İlm-i Akâid”, që përmban tema të dobishme nga shkenca e besimit dhe ajo e legjislacionit fetar.

Për kureshtjen e lexuesve, po prezantojmë dy tituj librash të vjetër.

Titulli i librit: “Kâmûs-ı Kavânîn” (Fjalor ligji - Fjalor juridik)
Autor: Tome Andonyadi (Avokat)
Viti i botimit: 1310 h/ 1892-1893
Vendi i botimit: Stamboll
Botues: Shtypshkronja “Mahmut Bej”
Lloji i tekstit: Fjalor, prozë. Në fund është dhënë vizorja e saktë - gabim.
Numri i faqeve: 670 faqe.

Libri përmban 2 vëllime. Kapaku është me sipërfaqe lëkure.

Përmbajtja dhe veçoria: Është fjalor në fushën e juridikut. Në vepër janë përmbledhur dhe shpjeguar shprehjet dhe çdo lloj fjale që është përdorur deri atëherë në një sërë statutesh dhe në gjykatat e apelit. Vepra është radhitur sipas rregullit të fjalorit turqisht “Elif, ba”. Tema zotëron veçorinë e një enciklopedie. Shkrimtari në parathënien e librit paraqet rëndësinë e një fjalori të tillë dhe nevojën që ndjehet për të. Disa fjalë shembuj që ndodhen në fjalor: İşkence, Bâbıâli, terci, tereke, cinâyet, hâriç, sebep, serseri, serhat,ibtidâ, ibrâ, ebniye, ispat, icâre, icrâcı, î’şâr etj.

Titulli i librit: “Historia Osmane”
Shkrimtari: A. Nyzhet
Përkthyesi: Autori origjinal i veprës
Viti i botimit: 1329 h/ 1911  (botimi i dytë)
Vendi i botimit: Stamboll
Botues: Shtypshkronja “Artin Asdoryan”
Numri dhe veçoria e vëllimit: Është vëllim i vetëm, libër i vogël. Është me kapakë kartoni dhe shpinën e ka me copë të zezë.
Lloji i tekstit: Prozë.
Numri i faqeve: 169 faqe

Përmbajtja dhe veçoria: Është një libër i vogël, prej 169 faqesh. Është përgatitur në si libër mësimor në tetëvjeçare dhe në gjimnaz, në përshtatje me programin mësimor të asaj kohe dhe është botuar për herë të dytë nga Ministria e Arsimit.
Vepra përbëhet nga dy pjesë kryesore ku pjesa e dytë ndahet në tre nënpjesë. Në fillim hapet me fotografitë e padishahëve dhe burrave të rëndësishëm të shtetit. Ndërkohë që shpjegohen marrëdhëniet me Evropën, është lënë vend edhe për burrat e rëndësishëm të shteteve evropiane. Ka disa harta dhe disa fotografi në lidhje me temën që shpjegohet. Meqë vepra është libër mësimor, temat janë dhënë në linjën kryesore, pa u futur në detaje.

Fondi i artë i librave të vjetër pranë Librotekës AIITC është në dispozicion të çdo lexuesi të interesuar, qoftë student, dashamirës i historisë apo studiues që mund t′i shfrytëzojnë këto libra për të shuar kuriozitetin, ose për t′i përdorur si referencë në studimet dhe tyre.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2