wrapper

Hamburg, 02.12.2018

Qendra Kulturore Islamike Shqiptare në Hamburg të Gjermanisë, në bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam (AIITC), organizoi Akademinë “Popuj dhe Kultura” me temë: "Çështja shqiptare nga Pavarësia deri sot", ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare që jetojnë në Gjermani.

Në ligjëratën me temë: "Rrugëtimi politik, kulturor dhe fetar i shqiptarëve pas shpalljes së Pavarësisë", Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj solli për të pranishmit shumë informacione të dorës së parë dhe dokumente interesante që flasin për zhvillimet historike që ka pësuar kombi shqiptar nga koha kur ishte pjesë e Perandorisë Osmane dhe në vazhdimësi të rrjedhave historike, duke u ndalur në momente kyçe për fatet e kombit, mes të cilave Lëvizja Kombëtare në Stamboll, por edhe decentralizimi i Turqisë evropiane në aspektin etnik, ku do të përfshiheshin edhe katër vilajetet shqiptare: Vilajeti i Kosovës, i Shkodrës, i Manastirit dhe Vilajeti i Janinës. Gjithashtu vend të rëndësishëm në referatin e tij zinin edhe vendimet e Kuvendit të Shkupit, përgatitja e Kuvendit gjithëkombëtar, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, mbledhja e Durrësit dhe dështimi i Princ Vidit, Shqiptarët pas Luftës së Parë Botërore, Konferenca e Paqes (1919 – 1920), fati i Shqipërisë dhe i shqiptarëve midis Luftës së Parë dhe Luftës së Dytë Botërore, pavarësia e institucioneve fetare shqiptare, shqiptarët përpara agresionit fashist Italian dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, lufta e klasave dhe diktatura, ndalimi i besimit fetar e deri te shembja e sistemit komunist dhe fitimi i lirisë së besimit. Ky moment, sipas profesor Zekaj, do të shënohej më 16 nëntor 1990, në xhaminë e Plumbit, të qytetit të Shkodrës, kur teologu i persekutuar mbi 23 vjet në burgjet komuniste, Hafiz Sabri Koçi, bashkë me besimtarët shkodranë ndërmori nismën për rihapjen e xhamisë dhe fillimin e jetës fetare.

Ndërsa Ambasadori Shaban Murati trajtoi temën: "Çështja shqiptare në Ballkan pas viteve ‘90", temë që zgjoi interes të veçantë mes të pranishmëve. Ai e quajti epokal ndryshimin që ndodhi në Evropë në fillimin e viteve 90, me shembjen e komunizmit dhe me përfundimin e luftës së ftohtë, gjë që krijoi një ndryshim të ri pozitiv edhe për çështjen shqiptare. Ky ndryshim, u shpreh Ambasadori Murati, përvijohet në këto rrethana të reja favorizuese:

1. U prish Federata Komuniste Jugosllave që kishte qenë burg i detyruar për Kosovën dhe gjithë shqiptarët në ish - Jugosllavi.
2. U shkri Bashkimi Sovjetik komunist si superfuqi, që kishte qenë mbështetja kryesore e Serbisë, si sunduese e Federatës Jugosllave mbi popujt joserbë, përfshirë shqiptarët.
3. U shemb regjimi komunist në Shqipëri, gjë që krijoi faktorin e ri të shtetit shqiptar, si mbështetës të luftës për liri dhe pavarësi të popullit të Kosovës në rajon dhe në arenën ndërkombëtare.
4. Rrethana e re evropiane dhe ndërkombëtare e fitores së revolucioneve demokratike antikomuniste vendosi në plan të parë të agjendës diplomatike çështjen e lirisë dhe të drejtave të popujve të shtypur nga regjimet komuniste, përfshirë edhe popullin shqiptar në ish - Jugosllavi.
5. Prirja dhe orientimi i kombit shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë për lidhje dhe aleancë me Perëndimin u jetësua si një faktor i ri i mbështetjes diplomatike, propagandistike dhe morale të Perëndimit për çĕshtjen shqiptare në Kosovë dhe në Ballkan.
6. U krijua rrethana e re ndërkombëtare, ku çështja shqiptare u ndërkombëtarizua dhe u shtrua detyra historike e zgjidhjes së saj. Kjo detyrë u konkretizua me aktin e madh historik të çlirimit të Kosovës në vitin 2008. Ky ndryshim historik nuk mund të mendohej pa përkrahjen dhe mbështetjen e fuqishme të Perëndimit, të SHBA-sĕ dhe të NATO-s.

Në fund të takimit, të pranishmit shtruan një sërë pyetjesh rreth dy tematikave të zhvilluara, ku një pjesë e tyre morën përgjigje në formën e një dialogu, sidomos gjatë darkës së shtruar për të pranishmit me këtë rast.
Prof. Zekaj kishte sjellë nga Tirana flamurin shqiptar për Qendrën Islamike Kulturore Shqiptare të Hamburgut, të cilin ia dorëzoi Imamit të kësaj qendre, z. Zulhajrat Fejzulahi. Ky moment shënoi edhe mbylljen solemne të kësaj Akademie Kulturore e cila, përveç njohjeve të reja dokumentare në fushat e trajtuara, bëri që edhe shqiptarët e diasporës në Gjermani ta jetojnë atmosferën e Festës së Flamurit, që këtë vit u organizua në mbarë botën.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2