wrapper

Kavajë, 17.02.2019
Qendra social-kulturore Gërmenj, nën kujdesin e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, organizoi një veprimtari me titull “O Zot, ma shto diturinë!”, ku morën pjesë rreth 70 fëmijë të kësaj qendre, bashkë me mësuesit e tyre, si dhe besimtarë të zonës.
Programi nisi me këndimin e Kuranit Fisnik e më pas e mori fjalën përgjegjësi i Sektorit të Mualimëve pranë AIITC, z. Pëllumb Jaupi, i cili vlerësoi arritjet e kurseve që organizon QSK Gërmenj dhe mbështetjen e vazhdueshme të AIITC për formimin intelektual të fëmijëve me dije.
Ndërsa drejtori i QSK Çetë, teologu Altin Shehu, mbajti një ligjëratë me titull “Mësimi në vegjëli, si gdhendja në gur”, duke theksuar rëndësinë e edukimit të brezit të ri, si investimi më i mirë për të ardhmen e vendit. Sipas tij, frekuentimi i këtyre qendrave social-kulturore është mëse i domosdoshëm për formimin individual të fëmijëve, por edhe si një mënyrë e mirë për të kaluar kohën e lirë, përmes edukimit dhe argëtimit në të njëjtën kohë.
Më pas pjesëmarrësit patën mundësinë të ndiqnin një dokumentar të shkurtër për ndërtimin e Qabes së Madhërishme, që përcolli mesazhin e fuqisë së besimit dhe ndikimin e tij në qytetërimin e një populli. Aktiviteti u mbyll me një koktej për të gjithë të pranishmit.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2