wrapper

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam po punon intensivisht për të nxjerrë nga shtypi dy përmbledhje mjaft interesante, pjesë e kolanës së Librave të Shkurtër të Institutit Ndërkombëtar të Mendimit Islam. Këta libra janë shkruar në formë të kondensuar, për t’u dhënë lexuesve thelbin e përmbajtjes së origjinalit dhe janë të lehtë në lexim.

Libri i parë titullohet “Anësia epistemologjike në shkencat fizike dhe sociale” i autorit Abdelwahab M. El-Messiri. Ai shqyrton një çështje akademike të rëndësishme, por të lënë pas dore: adoptimin e gjerë dhe pranimin e paradigmave, terminologjive dhe modeleve kërkimore të huaja ndaj realiteteve socio-ekonomike-fetare të botës muslimane.

Hulumtuesit kudo në botë përballen me terminologji dhe paradigma të importuara kryesisht nga bota perëndimore. Këto paradigma kanë përparësi sidomos në fushat ekonomike dhe politike të Perëndimit, por jo gjithmonë lidhen me realitetin e popujve joperëndimorë, prandaj mund të kenë një efekt shtrembërues. Shumë metafora epistemologjike të nënkuptuara vijnë të njëanshme dhe të gatshme nga Perëndimi, duke kufizuar lirinë e kërkimit dhe të mendimit. Pikërisht ky është edhe qëllimi i këtij libri, që kërkon të theksojë karakterin krijues e revolucionar të anësisë kundërshtuese, si dhe të ndihmojë lexuesit ta njohin dhe ta kapërcejnë atë.

Ndërsa libri “Duke rimenduar gratë muslimane dhe mbulesën: Sfida ndaj stereotipeve historike dhe moderne” i autores Katherine Bullock, është një kritikë e fortë dhe inteligjente e nocionit popullor perëndimor të mbulesës, si një simbol i shtypjes së grave muslimane. Duke trajtuar shumë nga shqetësimet kyçe social-politike që kjo çështje globale ka ngritur, autorja shqyrton fiksimin historik të Perëndimit me mbulesën, vlerëson diskursin feminist dhe ofron një teori alternative të mbulesës. Një veçori e rëndësishme e këtij punimi është zëri që autorja u ka dhënë pikëpamjeve, mendimeve dhe përvojave të një grupi grash muslimane të intervistuara në Kanada për temën e shamisë.

AIITC, me botimin e këtyre dy librave të hartuar në format të shkurtër, të lehtë për t’u lexuar e që kursen kohë, shpreson t’i stimulojë lexuesit në eksplorimin e mëtejshëm të origjinalit.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2