wrapper

Tiranë, 04.04.2019

Myftiu i Shkodrës, imam Muhamed Sytari, i shoqëruar nga imami i Xhamisë së Dy Vajzave, z. Lavdrim Hamja, zhvilloi një vizitë kortezie në ambientet e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam. Ata u pritën nga drejtori i Institutit, dr. Ardian Muhaj dhe nëndrejtori, z. Alban Kodra. Qëllimi i kësaj vizite ishte intensifikimi i marrëdhënieve reciproke në fushat me interes të përbashkët.

Fillimisht, Myftiu Sytari uroi drejtorin e AIITC për detyrën e re dhe nënvizoi se ishte i bindur për përkushtimin maksimal të z. Muhaj në mbarëvajtjen e këtij instituti. Ai shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e veçantë për kontributin shumëvjeçar të AIITC-së nën drejtimin e prof. as. dr. Ramiz Zekaj, për kulturën shqiptare dhe fenë islame, gjë që më së miri përfaqësohet nga botimet cilësore dhe mjaft interesante të realizuara ndër vite. Nga ana e tij, drejtori i AIITC e falënderoi Myftiun për vizitën dhe vuri në dukje punën e mirë që Myftinia e Shkodrës ka zhvilluar në drejtim të ripërtëritjes së vlera islame në zonën e Shkodrës.

Gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet e forta që këto dy institucione kanë pasur prej vitesh, duke theksuar gatishmërinë për vijimësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e kulturës islame dhe në realizimin e projekteve të përbashkëta. Biseda trajtoi, gjithashtu, aspekte të ndryshme të veprimtarisë kulturore islame si, botimet më të fundit të Myftinisë së Shkodrës, përpjekjet për të zhvilluar më tej trashëgiminë islame në vend, nevoja për qendra kulturore e fetare shumëfunksionale në shërbim të komunitetit e të tjerë.

Në takim u diskutua edhe për nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi mes AIITC dhe Myftinisë së Shkodrës, çka do të ndihmojë në institucionalizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe. Me këtë rast, myftiu Sytari vizitoi dhuroi për Librotekën e Institutit disa botimet më të fundit të Myftinisë së Shkodrës, ku bie në sy puna intelektuale e imamëve të kësaj zone për pasurimin e literaturës diturore islame në vend. Në fund të takimit miqtë vizituan ambientet e institutit, ku u përqendruan veçanërisht në Librotekën e pasur me libra të shumëllojshëm dhe në Muzeun e kulturës islame.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2