wrapper

Tiranë, 11. 04. 2019

Sapo doli nga shtypi numri 20 i revistës “Univers”, organ shkencor-kulturor i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam. Duke vlerësuar rëndësinë që paraqet ky numër jubilar, redaksia e revistës u angazhua maksimalisht për të nxjerrë një botim sa më cilësor. Pas një pune intensive, u përzgjodhën me kujdes 25 artikuj me përmbajtje nga fusha të ndryshme të studimeve shqiptare, kryesisht nga historia, mendimi, gjuhësia dhe letërsia. Është synuar publikimi i artikujve që hedhin dritë mbi çështje me interes si për studiuesit, ashtu edhe për lexuesin e gjerë. Njëkohësisht në këtë numër është rikthyer edhe rubrika “Dokumente”, me botimin e dy dokumenteve interesante nga vitet 1912 – 1913.

Revista nis me editorialin “Leximi dhe komunikimi ndërnjerëzor”, që e vlerëson leximin si gurthemel të qytetërimit dhe mjetin më të përsosur të komunikimit ndërkulturor mes popujve. Editoriali tërheq vëmendjen, se vendet më të zhvilluara janë ato më të lexuarat dhe se problemet e botës sot, kanë të bëjnë me mungesën e leximit.

Në rubrikën Studime bie në sy shkrimi “Mbi historinë detare të parrëfyer të shqiptarëve”i i Drejtorit të revistës, Dr. Ardian Muhaj. Artikulli është një punim interesant, që tërheq vëmendjen për kontributin e shqiptarëve në detari, një fushë kjo e pa trajtuar si dhe sa duhet nga historiografia shqiptare. Një artikull tjetër i veçantë është ai me titull “Imazhi i osmanëve në tekstet shkollore të Historisë në Bosnjë dhe Hercegovinë” nga Prof. Dr. Ahmet Alibašić. Në të bëhet një analizë e thellë e teksteve mësimore të historisë, që përdoren në shkollat fillore të Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilat kanë tërhequr disa herë vëmendjen e veçantë të bashkësisë ndërkombëtare dhe të studiuesve. Redaksia e “Universit” e pa të arsyeshme publikimin e këtij artikulli, për shkak të problematikave të ngjashme që hasen edhe në tekstet mësimore të historisë në shkollat e hapësirës shqiptare. Pjesë e kësaj rubrike janë edhe një sërë artikujsh mjaft interesantë nga Dr. Sadik Mehmeti, Prof. As. Dr. Shaban Sulejmani dhe Msc. Fikret Ramadani.

Rubrika Horizonte Shoqërore sjell trajtesa mbi disa çështje, ku mund të veçojmë shkrimin e studiuesit Haki Sahitaj “Vizioni arsimor i Medresesë së Naltë të Tiranës”. Autori analizon mënyrën se si kjo shkollë ndërtoi vizionin e saj, duke ndihmuar shoqërinë shqiptare në kapërcimin e vështirësive për ndërtimin e shtetit të saposhpallur të pavarur. Gjithashtu në këtë rubrikë do të gjeni edhe artikuj të tjerë nga Viron Kona, Luan Qafmolla, Dr. Rexhep Sumaj, Kreshnik Kuçaj dhe Muharrem Dardha.

Rubrika Art, Kulturë, Traditë ka në fokus të saj çështje që kanë të bëjnë me letërsinë, traditën dhe trashëgiminë tonë kulturore. Përveç artikujve të Prof. Dr. Vasil Tole, dhe Msc. Melsen Kafilaj, në këtë rubrikë do të lexoni edhe shkrimin e Dr. Dorian Koçi “Vjershëtori Sulejman Naibi”, ku hidhet dritë mbi jetën dhe veprën e një prej bejtexhinjve më të talentuar, me frymëzim e kulturë poetike.

Ndërsa në rubrikën Opinione një artikull mjaft interesant është “Për një vizion më të avancuar në menaxhimin e konvikteve studentore në trojet shqiptare dhe në Ballkan” nga Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj. Veç të tjerash, autori sugjeron një orientim teorik rreth administrimit të këtyre konvikteve. Pjesë e kësaj rubrike janë edhe shkrimet e Prof. Dr. Gjergj Sinani, Amb. Shaban Murati, Prof. Dr. Valter Shtylla dhe Adem Ademi.

Në numrin 20 rikthehet rubrika Dokumente me publikimin e dy dokumenteve historike. I pari është një dokument në gjuhën osmane, i cili tregon qëndrimin e qeverisë osmane ndaj shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Dokumenti është zbuluar dhe është përkthyer në gjuhën angleze nga turkologët Dr. Mithat Aydin dhe Dr. Mehmet Tütüncü, ndërsa në gjuhën shqipe është sjellë nga historiani Dr. Ardian Muhaj. Dokumenti i dytë është në gjuhën shqipe dhe flet për periudhën Prill 1913, kur Shkodra e rrethuar nga trupat malazeze vuante nga uria. Autori që sjell këtë dokument është studiuesi Xhafer Sadiku.

Revista mbyllet me rubrikën Botime në Fokus ku veçojmë artikullin: “Një monografi për zhvillimin e kulturës shqiptare me ndikime orientale” të Prof. Dr. Emil Lafe. Një analizë e librit të Nehat Krasniqit, hulumtues i njohur i periudhës osmane në historinë dhe kulturën e shqiptarëve. Sipas profesor Emil Lafes, kjo temë ka mbetur si diçka anësore në interesat e historiografisë shqiptare dhe të albanologjisë, duke u lënë të trajtohet si trashëgimi kulturore turke. Në këtë rubrikë do të lexoni edhe të tjera shkrime nga Dr. Eduart Caka, Kujtim Mateli, Prof. Dr. Njazi Kazazi dhe Gilman Kazazi.

Tashmë numri 20 i revistës “Univers” është në duart e lexuesve dhe në bibliotekat e institucioneve publike e akademike, ku mund të shfrytëzohet nga studiues e studentë për kërkimet e tyre shkencore.

Klikoni këtu për të ndjekur përmbledhjet e revistës nr 20

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2