wrapper

Ndërveprimi institucional mes Myftinisë së Shkodrës dhe Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam ka sjellë një sërë bashkëpunimesh në fushat me interes të ndërsjellë. Shkëmbimi i literaturës dhe i botimeve më të fundit është pjesë e këtij bashkëpunimi, ku kjo Myftini ka dhuruar për Librotekën e AIITC disa botime me interes në fushën e fesë dhe të kulturës islame.

Në këtë buqetë botimesh dallojnë ato me karakter publicistik dhe informativ. E tillë është kolana e buletineve që publikohen në mënyrë të përvitshme nga Myftinia e Shkodrës. Ato pasqyrojnë përmbledhtazi aktivitet dhe zhvillimet kryesore të këtij institucioni gjatë harkut kohor të një viti. Krahas saj vijnë edhe dy numrat e fundit nga gazeta mujore “Udha islame”, të pasura me artikuj publicistikë e informacion nga përditshmëria e jetës fetare islame. Por nuk mungojnë as botimet që i kushtohen një ngjarjeje të caktuar, siç është libri “25 vjetori i një dëshmie historike”. Ky i fundit i kushtohet ngjarjes historike të 16 nëntorit 1990, ku mijëra shqiptarë u tubuan në Xhaminë e Plumbit, ku falën të xhumanë e parë, duke deklaruar kështu rikthimin e lirisë së besimit.

Ajo që bie në sy nga këto botime, është se Myftinia e Shkodrës nxit kuadrot e saj të kontribuojnë në pasurimin e literaturës islame në vend, me punimet, librat dhe përkthimet e tyre. Kështu, një botim i veçantë është kolana me katër libra të titulluar përkatësisht: “Islami – Mesazhi i mëshirës dhe i paqes për mbarë botët”, “Imami si prijës komunitar”, “Rinia dhe edukimi fetar” dhe “Familja e shëndoshë islame”. Këto vëllime përmbajnë punimet e 4 konferencave vjetore që Myftinia organizon me imamët, teologët dhe thirrësit islamë të Shkodrës. Në këtë linjë vijnë libërthi me titull: “Çfarë përfitoi bota me ardhjen e HZ. Muhamedit (a.s.)?”, i përgatitur nga myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, si dhe librat “Lule sabahu” dhe “Zekati i diturisë”, të përgatitura nga imami Gilman Kazazi, ku flitet respektivisht për rëndësinë e faljes së namazit të sabahut dhe për vlerën e diturisë te çdo besimtar.

Në kuadrin e përkthimeve vijnë dy vepra të shqipëruara nga imami Lavdrim Hamja. Në librin “Reformatori i madh, Umer ibn Abdulazizi” të autorit Jusuf El-Karadawi, jepet përshkrimi biografik i njërit prej prijësve më të shquar në historinë islame, kalifit Umer bin Abdulaziz (shek.. VII e.s.). Ndërsa libri “40 Hadithe rreth mirësisë së namazit” u dhuron lexuesve 40 hadithe që shtjellojnë vlerat dhe dobitë e faljes së namazit për çdo besimtar.

Kjo literaturë tashmë është pjesë e fondit të larmishëm të Librotekës së AIITC-së dhe mund të shfletohet lirshëm nga anëtarët e saj.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2