wrapper

Dubai, 11.04.2019

Prej pesë vitesh në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe zhvillohet Çmimi “Mohammed bin Rashid” për gjuhën arabe, të cilin e ka themeluar Sheik Mohammed bin Rashid Al Maktoum, Zëvendës President i Emirateve, Kryeministër i Dubait. Ky çmim konsiderohet si një nga vlerësimet më të larta të përpjekjeve që bëhen në lëmin gjuhës arabe nga individë apo institucione, në rang botëror. Ai është një nga nismat që kanë ndërmarrë EBA për të promovuar gjuhën arabe letrare në jetën publike të botës arabe, për të lehtësuar mësimin e saj dhe për të nxjerr në pah rolin e shtetit si qendër të përdorimit të gjuhës letrare.

Ky çmim përmban pesë kategori, të cilat përfshijnë aspekte të ndryshme bashkëkohore të arabishtes, si: përdorimi i teknologjisë, rrjeteve sociale dhe i aplikacioneve të zgjuara për mësimin e saj; kategoria e edukimit për mësimin e arabishtes brenda dhe jashtë botës arabe; kategoria e kulturës dhe mendimit; kategoria e politikave gjuhësore dhe të planifikimit; kategoria e medias dhe e komunikimit.

Vlen për t’u theksuar se Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam mori pjesë sivjet për herë të parë në këtë konkurs ndërkombëtar, në kategorinë e edukimit për mësimin e arabishtes brenda dhe jashtë botës arabe. Projekti i paraqitur për konkurrim ishte fjalori arabisht – shqip, të cilin AIITC e ka botuar për herë të parë në Shqipëri dhe që po punon ta nxjerrë në formate të shkurtuara në të dyja gjuhët.

Fituesit e Çmimit ishin nga vende të ndryshme të botës. Në kategorinë e edukimit për mësimin e arabishtes nga joarabishtfolësit e fitoi Organizata Islamike për Edukim, Shkencë dhe Kulturë (ISESCO). Projekti i saj ishte për zhvillimin e programit ndërkombëtar për mësimin e gjuhës arabe dhe zhvillimin e aftësive të saj për studentët dhe folësit e gjuhëve të tjera në Mbretërinë e Arabisë Saudite.

Komiteti organizues për edicionin e sivjetshëm të këtij çmimi mori 2088 kërkesa, i cili është tregues i qartë rritjeje nga edicioni i vitit të kaluar. Të gjitha aplikimet iu nënshtruan një vlerësimi dhe shqyrtimi të plotë nga anëtarët e jurisë. Këtë vit u përzgjodhën 223 aplikime, midis tyre edhe ai i AIITC.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2