wrapper

Tiranë, 19.04.2019
Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam është në përfundim të një tjetër projekti me interes, që i shërben më së miri pasurimit të kontributeve në fushën e studimeve albanologjike. Bëhet fjalë për botimin në gjuhën shqipe të librit “Përmbledhje e mbishkrimeve osmane nga Shqipëria dhe Mali i Zi”, i studiuesit Mehmet Tütüncü, një prej albanologëve të huaj që ka studiuar historinë dhe kulturën shqiptare.

Ky studim i detajuar dhe i pasur në mbishkrime përmbush një boshllëk të konsiderueshëm në studimet albanologjike, pasi zbulon dëshmi të reja mbi mbishkrimet osmane në monumentet e kulturës islame në Shqipëri. Studimi përmban rreth 136 mbishkrime, shqiptaro-osmane, të skalitura kryesisht në gurë, mure e drurë në trojet shqiptare dhe nga mbishkrues shqiptarë. Autori e ka konceptuar në në tri pjesë. Periudha e parë e sundimit osman përfshin 24 mbishkrime të viteve 1447-1670. Në pjesën e dytë janë të renditura 90 mbishkrime nga qytetet e Shqipërisë, që i përkasin periudhës 1732 – 1913. Pjesa e tretë na njeh me 18 mbishkrime nga Mali i Zi, Tivari, Podgorica, Kalaja e Ulqinit, gurë varresh nga Mali i Zi, si dhe 4 mbishkrime nga Koleksioni Marubi.

Secili mbishkrim paraqitet me një skedë të njësuar, ku përshkruhen vendndodhja, tabela e identifikimit me numrin në katalog, prejardhjen, vitin sipas Hijrit, vitin sipas kalendarit gregorian, emrat e përmendur, materialin, gjendjen e sotme të mbishkrimit, gjuhën e përdorur, bibliografinë, pamjen, tekstin, përkthimin në anglisht, duke përfunduar me komentarin. Mënyra e paraqitjes, transkriptimit, përkthimit dhe analizimit i nënshtrohet praktikës më të mirë shkencore.

Libri ofron të dhëna të pakundërshtueshme e autentike, deri dje në harresë, ose të shpjeguara me vështirësi, për shkak të mangësisë së informacionit të saktë. Mbishkrimi më i vjetër që Tütüncü ka arritur të zbulojë në Shqipëri, i përket vitit 1447-1448, në një çezmë monumentale në qytetin e Krujës, vepër bamirësie e dorës së parë. Akoma edhe sot, 6 shekuj pas ndërtimit, kjo çezmë vazhdon të freskojë dhe të shuajë etjen e vizitorëve dhe të banorëve krutanë. Gjithashtu mund të përmendim edhe 6 mbishkrime sulltanore (dy të Sulltan Mehmetit të Dytë dhe tri të Sulltan Sulejmanit), që kanë rëndësi historike.

Por 50 vitet e diktaturës komuniste shënuan një epokë rrënimi për këtë trashëgimi të rëndësishme historike e kulturore, pasi shumë nga këto mbishkrime u shkatërruan ose humbën dhe sot i kemi të ruajtura vetëm në foto apo në dokumente historike. Për pasojë, si një burim mjaft i rëndësishëm informacioni në realizimin e kësaj vepre, Mehmet Tütüncü i është referuar edhe autorëve Evliya Çelebi, Vexhi Buharaja, Franz Babinger dhe Machiel Kiel, të cilët në veprat e tyre kanë sjellë informacione të vyera mbi të shkuarën historike të shqiptarëve.

Ky libër që pritet të dalë së shpejti nga shtypi, do t′u shërbejë studiuesve shqiptarë, si një instrument për të thelluar, orientuar e saktësuar studimet e tyre, gjë që do të nxisë për kërkime të mëtejshme në arkitekturën dhe artet e periudhës së sundimit osman për historinë shqiptare.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2