wrapper

Tiranë, 03.05.2019

Kryetari i Bordit drejtues të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, z. Faruk Borova, i shoqëruar nga nëndrejtori i këtij instituti, z. Alban Kodra, zhvilluan një takim në ambientet e Bibliotekës së Institutit të Monumenteve të Kulturës, në kuadër të projektit të Librotekës AIITC “Bibliotekat, thesar i diturisë”. Ata u pritën nga drejtoresha e Qendrës Rajonale për Konservim dhe Restaurim, znj. Marsela Plyku Demaj, si dhe nga përgjegjësja e bibliotekës së këtij instituti, znj. Mimoza Zereçi.

Pas përshëndetjeve të rastit, biseda u përqendrua në tema të ndryshme me interes të përbashkët, si dhe në zgjerimin e bashkëpunimit mes palëve, marrëdhënie e cila ekziston që prej viteve 2000. Gjatë diskutimit, u pa e arsyeshme që, në vijim të këtij bashkëpunimi, të shkëmbehen mes tyre edhe revistat periodike të dy institucioneve përkatëse.

Gjithashtu, gjatë këtij takimi u diskutua mundësia e nënshkrimit të një memorandumi bashkëpunimi mes dy institucioneve për organizimin e aktiviteteve dhe projekteve të përbashkëta, si restaurime, trajnime, shkëmbim literature etj. AIITC prej vitesh jep kontributin e tij në këto fusha me interes, por bashkëpunimi me Institutin e Monumenteve të Kulturës do t′i hapte rrugë projekteve edhe më madhore e me rëndësi kombëtare.

Përfaqësuesit e AIITC i dhuruan Institutit të Monumenteve të Kulturës edhe disa nga botimet tona më të rëndësishme, mes të cilave: Revista shkencore-kulturore “Univers”, librat “Xhamitë e Shqipërisë, Historia, Arkitektura e shek. XV-XIX”, “Arkitektura osmane në Shqipëri 1385-1912”, “fjalori i orientalizmave në gjuhën shqipe”, “Rendi global dhe shteti komb”, “Kullat mesjetare në trojet shqiptare” etj. Këto botime tashmë janë bërë pjesë e bibliotekës së larmishme të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe do të jenë në dispozicion të çdo të interesuari.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2