wrapper

Tiranë, 29.05.2019

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, në kuadër të programit të veprimtarive për muajin e Ramazanit, organizoi një ligjëratë me titull “Agjërimi si përmirësim i vetvetes”, mbajtur teologu Ahmed Numanaj. Ishin të ftuar studentë dhe studente nga fakultete të ndryshme të Universitetit të Tiranës.

Fillimisht, drejtori i AIITC, Dr. Ardian Muhaj, falënderoi të gjithë studentët e studentet që janë pjesë e programeve tona të edukimit, për mbështetjen e vazhdueshme, përmes pjesëmarrjes së tyre në projektet dhe veprimtaritë kulturore e shkencore të AIITC. Duke iu referuar lirisë së besimit dhe agjërimit në ditët e sotme, ai u kujtoi të rinjve se duhet të jenë krenarë për paraardhësit e tyre, që e ruajtën dhe e praktikuan fenë islame në kushte mjaft të vështira, nën terrorin e burgosjes apo persekutimit.

Ndërsa teologu Numanaj e nisi fjalën e tij duke shprehur mirënjohjen e tij për punën e AIITC me të studentët, pasi edhe ai dikur ka qenë pjesë e programeve të Institutit me brezat e rinj. Më tej ai u përqendrua në prezantimin e përfitimeve shpirtërore dhe morale që sjell agjërimi i muajit të Ramazanit. Sipas tij, agjërimi rrit devotshmërinë dhe pastron zemrën, duke e afruar edhe më shumë besimtarin me Krijuesin e tij. Sakrifica e agjërimit kërkon sinqeritet të plotë dhe besim të palëkundur, çka është thelbësore për pastrimin e zemrës. Për më tepër, shpërblimi i Zotit për agjëruesin është shumë i madh. Ai këshilloi të rinjtë që në ditët përmbyllëse të këtij muaji të begatë të jenë sa më të qetë dhe të zbukurojnë moralin me sjellje të mira. Vetëm në këtë mënyrë, agjërimi do të reflektojë realisht në zemrat tona.

Më pas, të pranishmit iu bashkuan tryezës së bollshme të iftarit, me urimin që këto takime të shtojnë dashurinë dhe vëllazërinë mes njëri-tjetrit. Në fund të iftarit, për studentët u dhuruan edhe disa ndër botimet më të mira fetare të AIITC, si Kurani i Madhërishëm, Leximi i Mendjes së Muslimanit, Drita e zemrës etj.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2