wrapper

Tiranë, 19.06.2019

Ashtu si gjuha e trupit, edhe shkrimi i dorës flet për karakterin dhe personalitetin e një njeriu. Megjithëse sistemi elektronik sot po mbizotëron ndaj bukurshkrimit, sidomos në letrat zyrtare, përsëri kompjuteri nuk mund ta zëvendësojë kurrsesi vlerën dhe shpirtin e kaligrafisë. Ajo i ka fillesat në botën arabe, që nga koha e Profetit Muhamed (a.s.), kur i vinin shpalljet hyjnore. Urdhri për të shkruar përmes penës, i vuri shokët e tij (sahabët) në garë, se kush prej tyre i shkruante më bukur ajetet kuranore.

Kaligrafia arabe konsiderohet si një formë parësore e artit dhe shprehje e virtyteve shpirtërore tё popujve qё pёrqafuan Islamin. Fillimisht, gjuha arabe shkruhej pa pika, zanore dhe zgjatëse, por, pas periudhës abaside, nisën të përdoreshin këto shenja që e zbukuruan mënyrën e të shkruarit. Kaligrafë të shquar arabë krijuan rregullat për 8 lloje shkrimi që plotësojnë njëri-tjetrin.

Duke parë interesin në rritje të njohjes së këtij arti pamor specifik mes shqiptarëve, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam organizoi një seminar trajnues me temë: “Roli dhe Rëndësia e Kaligrafisë arabe”, ku ishte i ftuar kaligrafi i njohur arab, Seid Abdullah Lafi. Në çeljen e këtij seminari, përfaqësuesi i AIITC, z. Pëllumb Jaupi, theksoi rëndësinë e këtij shkrimi, pasi dekori dhe kaligrafia arabe ёshtё prezente edhe nё shumё prej xhamive tё ndërtuara dhe restauruara nё Shqipёri, pas viteve 1991 e deri sot. Ndërsa kryetari i bordit drejtues të AIITC, Dr. Faruk Borova, në fjalën përshëndetëse vlerësoi temën e spikatur të këtij seminari, duke kujtuar vitet kur edhe në vendin tonë fëmijët në shkolla mësonin një lëndë të posaçme për artin e bukurshkrimit.

Kaligrafi Seid Abdullah Lafi e nisi ligjëratën e tij me një historik të shkurtër mbi krijimin e kaligrafisë, ku fillimisht njihej shkrimi Kufi, që ishte shkrimi mbizotërues i dijetarёve në kohët e hershme. Ky shkrim gëzon një përdorim të gjerë edhe sot, ai bazohet në shpejtësi dhe është një ndër shkrimet më të lehta arabe, që dikur shkruhej nëpër copa lëkure.
Shkrimi Naskh është më eleganti dhe i denjë për të shkruar Kuranin. Divani përdoret përgjithësisht për dekretet dhe letrat zyrtare. Ndërsa Thuluth konsiderohet si shkrimi më specifik dhe më i bukur, që karakterizon kaligrafët më të shquar arabë.

Në ditën e parë të seminarit, kaligrafi Seid Abdalla Lafi foli mbi disa nga specifikat e secilit prej këtyre shkrimeve, duke e shoqëruar fjalën e tij edhe me foto ilustruese. Seminari trajnues do të zgjasë tre ditë, ku do të jepen rregullat bazë për 8 llojet e shkrimit arab, e shoqëruar me disa këshilla praktike për mënyrën e përdorimit të tyre. Në fund, pjesëmarrësit do të pajisen me një certifikatë që dëshmon për njohuritë e fituara gjatë këtij trajnimi.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2