wrapper

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam është drejt përfundimit të një tjetër projekti mjaft të rëndësishëm dhe angazhues, botimit të librit “Etika e thirrjes islame - Drejt një ftese të moderuar në islam”, të autorit, Dr. Hisham Altalib. Ky libër ka tërhequr vëmendjen e shumë lexuesve të vyer nëpër botë dhe ka marrë lëvdata e vlerësime të rëndësishme.

Botimi i dytë i këtij libri, i rishikuar dhe i plotësuar vjen së shpejti për lexuesin shqiptar, në tetë kapituj që mundohen të shpjegojnë çështje si: Islami si fe gjithëpërfshirëse, vëllazëria islame, rreziku i fetarizmit të rremë, familja dhe gruaja në Islam, marrëdhënia e predikuesve në rrafshin individual dhe institucional, këshillimi me të tjerët, kualifikimi në fushën e predikimit, jurisprudenca e predikimit, cilësitë e një predikuesi në publik, mjetet dhe metodat e predikimit etj.

Qëllimi i këtij libri është thirrja e muslimanëve në përgjithësi dhe e predikuesve në veçanti, për përmbushjen e një sërë rregullash e parimesh, të cilat në tërësi përbëjnë një kod nderi dhe etike gjatë punës në thirrjen islame. Rizgjimi i muslimanëve sot po ndjehet më së shumti në vendet ku komunitete muslimane emigrantësh kanë shkuar për studime dhe për punësim.

Duke ngritur shqetësimin për mungesën etikës dhe vrazhdësinë e shumë thirrësve, gjë që nuk e lehtëson aspak përqafimin e Islamit nga njerëzit, u pa e udhës botimi i këtij udhërrëfyesi, që do të ndihmojë ndjeshëm imamët në punën e tyre të përditshme me xhematet e xhamive dhe më gjerë, në grupimet shoqërore, në institucionet publike e private, në emisionet televizive, rrjetet sociale etj. “Etika e thirrjes islame” përmbledh rregullat themelore që mund të përvetësohen nga të gjithë predikuesit ose nga pjesa më e madhe e tyre. Por në të njëjtën kohë, këto rregulla janë me mjaft interes edhe për të gjithë muslimanët që së shpejti do të mbajnë në duar këtë libër.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2