wrapper

Durrës, 12.07.2019

Ndryshimet ekonomike, teknologjike, sociale dhe politike gjatë shekullit XXI, ngritën pikëpyetje të shumta rreth natyrës së fesë dhe vendit të saj në jetën njerëzore. Përkundër kësaj feja islame ka arritur të gërshetojë vazhdimisht zhvillimin e natyrshëm të shoqërisë me trashëgiminë dhe parimet e saj. Në çdo periudhë dijetarët muslimanë kanë provuar vërtetësinë e kësaj feje, duke ballafaquar faktet shkencore me ajetet kuranore apo hadithet profetike.

Dr. Ammar M. Munla është një ndër specialistët më të njohur të historisë islame dhe muzeve të trashëgimisëë arabo-islame në Medinën e Ndritur. Përveçse autor i shumë librave dhe kërkimeve shkencore të Kuranit dhe Sunetit, ai është angazhuar që herët për njohjen e botës me biografinë e Profetit Muhamed, përmes ekspozitave në Francë, Gjermani, Zvicër, Emirate, Turqi, Kanada, Bahrejn, Saudi, Belgjikë, Katar, Marok, Algjeri, Suedi, Itali, Holandë, Norvegji, Bosnjë, Islandë, Rumani, Danimarkë etj.

Gjatë një vizite që po zhvillon në Shqipëri, Dr. Ammar M. Munla ishte i ftuar nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, në leksionin me temë:“Trashëgimia profetike në muzeun e historisë islame”, organizuar në Qendrën kulturore “Nënë Ilmie”, pranë xhamisë “Riza Bajrami”, Durrës. Të pranishëm ishin imamët e xhamive të Kavajës, Durrësit, Rrogozhinës, Shkodrës etj., studiues dhe besimtarë të zonës.

Dr. Munla e nisi leksionin e tij me projektin 23-vjeçar që synon ndërtimin e muzeve mbi jetën dhe veprën e Profetit Muhamed a.s. nëpër botë, kryesisht në Azi, Europë e Afrikë. Më pas, ai solli në kujtesë një historik të shkurtër mbi udhëtimin e Muhamedit a.s. në Medinë dhe mbi ndërtimin, strukturën dhe organizimin e xhamisë së Profetit a.s. Duke theksuar rëndësinë e njohjes së traditës profetike, ai shprehu dëshirën që shumë shpejt një muze i tillë të ndërtohet edhe në Shqipëri, qëllim të cilit i shërben edhe kjo vizitë që ai po zhvillon në vendin tonë.

Fjala e Dr. Munlës u ndoq me mjaft interes nga të pranishmit, të cilët i drejtuan edhe një sërë pyetjesh mbi temën e leksionit të tij. Në fund të aktivitetit, u dhuruan disa nga botimet më të fundit të AIITC.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2