wrapper

Tiranë, 15.07.2019

Një delegacion prej 50 gazetarësh të mediave turke po zhvillojnë një tur në disa vende të Ballkanit, ku ndalesa e radhës ishte Shqipëria. Gjatë qëndrimit në vendin tonë, ata patën rastin që, mes të tjerash, të vizitojnë edhe ambientet e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, për t′u njohur nga afër me veprimtarinë shumëdimensionale të tij, sidomos në fushën e botimeve.

Ata u pritën nga themeluesi i AIITC, njëherazi kryeredaktor i revistës shkencore-kulturore “Univers”, Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj, i ngarkuari me punë në detyrën e nëndrejtorit të AIITC, z. Pëllumb Jaupi, kryeredaktorja e revistës “Familja”, Dr. Rruzhdie Qafmolla dhe redaktorja znj. Armida Plumbi, Drejtori ekzekutiv i Radio Kontakt, z. Esat Teliti, si dhe përfaqësuesja e revistës “Foleza jeshile”, znj. Krenita Hakrama.

Në fillim të kësaj pritjeje, z. Jaupi shprehu mirënjohjen për përzgjedhjen e AIITC, si një nga destinacionet e tyre dhe bëri një prezantim të shkurtër të AIITC, një nga institucionet e para në Shqipëri, me fokus ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore e kulturore islame, përmes kontributit në fushën e shkencës dhe kulturës. Në kuadër të marrëdhënieve reciproke me institucione simotra, brenda dhe jashtë vendit, prej 4 vitesh, AIITC merr pjesë edhe në Panairin Ndërkombëtar të Revistave në Turqi, ku është prezantuar denjësisht me revistën shkencore-kulturore “Univers”, revistën social-kulturore “Familja”, revistën për fëmijë “Foleza jeshile” dhe me Buletinin periodik “Qytetërimi islam”.

Më pas e mori fjalën kryeredaktori i revistës “Univers”, Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj, i cili vuri theksin në zhvillimet e fundit që ka pësuar bota mediatike, ku informacioni ecën me shpejtësinë e kohës. Pjesë e këtij zhvillimi është edhe Shqipëria, ndaj krijimi i marrëdhënieve reciproke me vendet e Ballkanit është një domosdoshmëri edhe për vendin tonë. Ai kujtoi se zanafilla e parë e bashkëpunimit mes Turqisë dhe Shqipërisë në fushën e gazetarisë daton që në vitin 1913, me gazetën "Sedai Milet" (Zëri i Kombit), që botohej në Stamboll, në shqip dhe pjesërisht turqisht. Duke shpresuar në bashkëpunime të mëtejshme, ai shprehu dëshirën që gazetarët turq të përcjellin kujtime sa më të bukura nga Shqipëria dhe Ballkani, gjatë këtij turi.

Ndërsa zoti Metin Uçar, kryeredaktor i Revistës Osmane si dhe kryetar i Shoqatës Ndërkombëtare të Revistave, që kryesonte ekspeditën, nënvizoi se qëllimi i këtij turi në Ballkan është krijimi i urave lidhëse me shtypin dhe mediat shqiptare, me synim prezantimin bashkërisht në arenën ndërkombëtare. Edhe pse distancat janë afruar ndjeshëm, njerëzit po largohen nga njëri-tjetri dhe ne nuk e duam këtë, theksoi ai. Prania në këtë vizitë e personaliteteve turke, si shkrimtarë, poetë, gazetarë e botues të mirënjohur, është tregues i dëshirës së mirë për bashkëpunim reciprok.

Nga ana tjetër, zoti Asim Gŭltekin, kryetar i Shoqatës së Etimologjisë Gjuhësore, themelues i Unionit të Revistave të Turqisë dhe anëtar i Shoqatës Botërore të Revistave, theksoi se ekspedita të tilla i shërbejnë përmirësimit të punës së gazetarëve dhe eksperienca e fituar në vendet e Ballkanit do t′u shërbejë atyre për t′i bërë gjërat më mirë.

Në fund të kësaj vizite, koordinatorja e revistës “Univers”, znj. Anisa Hykaj, bëri një prezantim më të detajuar të veprimtarisë shkencore e kulturore 23-vjeçare të AIITC, duke u përqendruar në realizimin e konferencave dhe simpoziumeve shkencore, botimeve, promovimeve e studimeve akademike për çështje që lidhen me kulturën, qytetërimin, artin, traditën dhe zakonet islame mes shqiptarëve.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2