wrapper

Tiranë, 07.10.2019

Të predikosh Islamin në ditët e sotme duket një ndërmarrje sa sfiduese aq edhe premtuese. Në një aktualitet bashkëkohor ku rizgjimi fetar është çështje e ditës, thirrja drejt besimit i fton njerëzit në konsolidimin e paqes dhe përmirësimin e jetës. Ligjërimi është art më vete dhe ka një ndikim të pakthyeshëm te njerëzit, ndaj lipset nevoja e orientimit të thirrësve drejt një ligjërimi të strukturuar, koherent dhe gjithëpërfshirës.

Duke vënë në zbatim hadithin profetik: “Lehtësoni dhe mos vështirësoni, përgëzoni dhe mos largoni!”, edukatorët islam duhet të kenë parasysh disa rregulla për një predikim sa më efikas. Për t′u ardhur në ndihmë atyre, Departamenti i Mualimëve pranë Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam organizoi një seminar trajnues me temë: “Sfidat bashkëkohore të thirrjes dhe trajtimi i tyre në këndvështrimin e një edukatori islam”. Takimin e çeli përgjegjësi i këtij departamenti, z. Pëllumb Jaupi, i cili vuri theksin në 4 shtyllat me të cilat mbahet fort puna e mualimëve, konkretisht: afrimi i njerëzve drejt besimit, zhvillimi i kurseve, i aktiviteteve social-kulturore si dhe mirëmbajtja e xhamive. Puna me xhematin është përcaktues i suksesit të një edukatori islam.

Në ligjëratën e tij, lektori Edvin Ruka nënvizoi përgatitjen e mualimëve, jo vetëm në aspektin fetar, por edhe në të gjitha fushat e jetës. Kjo pasi predikimi duhet t′i referohet gjendjes së një popullate, problemeve social-ekonomike, mendësisë dhe zakoneve të saj, për të qenë sa më pranë pritshmërive dhe kërkesave të tyre. Mesazhi që përcillet, duhet të jetë i qartë, i kuptueshëm dhe në gjuhën e popullatës së cilës i drejtohet. Gjithashtu, ai solli shembullin e profetëve të ardhur për njerëzimin dhe këshillave që ata transmetuan.

Duke iu referuar profetit Muhamed (a.s.) lektori Ruka theksoi se një edukator islam duhet të flasë ngadalë dhe qartë, në mënyrë që mesazhi që ia përcjell, të kuptohet siç duhet nga dëgjuesit. Duhet të përdorë metodën e ilustrimit të mendimit me vizatime dhe me shembuj konkretë, duke e bërë atë sa më të prekshëm. Për më tepër, imami i xhamisë nevojitet ta edukojë xhematin e tij me një shpirt dhe botëkuptim të tillë, që ata të jenë të gatshëm të pranojnë mendimin ndryshe dhe të respektojnë të tjerët, duke forcuar kështu frymën e bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit.Gjuha kritike nuk është tipar kryesor në predikimet fetare, sepse lë gjithmonë vend për keqkuptim.

Pas renditjes së disa rregullave të përgjithshme, për ta bërë sa më tërheqëse një ligjëratë, të pranishmit diskutuan dhe shkëmbyen eksperiencat e tyre mbi mënyrat që ata përdorin në xhamitë e tyre dhe për risitë që ata kanë sjellë në këtë aspekt.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2