wrapper

Kavajë, 18.02.2017

Trashëgimia shpirtërore dhe kulturore islame në trevën e Kavajës ishte boshti i takimit që çeli siparin e ciklit “Bisedë me autorin” për këtë vit. Ndryshe nga herët e kaluara, AIITC ka marrë nismën që, këtë cikël takimesh letrare e kulturore, ta zhvillojë për vitin 2017 në qytete të ndryshme të hapësirës shqiptare, për t’u njohur më nga pranë me krijimtarinë e autorëve të këtyre zonave.

Për këtë arsye, në Pallatin e Kulturës “Kavaljon” të qytetit të Kavajës u organizua prezantimi i librit “Histori e Islamit në Kavajë”, të autorit kavajas z. Rifat Hoxha. Morën pjesë në këtë takim intelektualë të qytetit, poetë, shkrimtarë, mësues dhe qytetarë të ndryshëm. Në emër të AIITC dhe të Drejtorit të tij prof. as. dr. Ramiz Zekaj të pranishmit i përshëndeti Kryetari i Bordit Drejtues të AIITC, dr. Faruk Borova. Më pas, nëndrejtori i AIITC Alban Kodra, i paraqiti auditorit një historik të shkurtër të ciklit “Bisedë me autorin”, duke shpalosur objektivat kulturorë që ka vendosur të realizojë Libroteka e AIITC nëpërmjet zhvillimit të këtyre takimeve.

Biseda me shkrimtarin Rifat Hoxha nisi me pyetjen se cilat ishin arsyet që e shtynë për të hartuar një monografi të tillë. Ai u përgjigj se kjo ishte një dëshirë e hershme e tij, nisur nga tradita fetare e familjes, por njëherësh ishte dhe një shqetësim që trashëgimia historike dhe kulturore me sfond islam nuk trajtohet në programet shkollore parauniversitare në Shqipëri. Kështu që ky libër të mund të kontribuojë në plotësimin e këtij boshllëku të krijuar ndër vite dhe të shërbejë si referencë për shkollat e rrethit që të njohin edhe këtë aspekt të historisë së tyre.

Një nga pikat interesante të librit është ajo që trajton kontaktet e para të trevës së Kavajës me Islamin. Sipas autorit, këto kontakte datojnë afro dy shekuj para sundimit osman, nëpërmjet marrëdhënieve me Sicilinë dhe Andaluzinë myslimane. Burimet tregojnë se e gjithë pjesa bregdetare e Shqipërisë nga Ulqini e deri poshtë në Sarandë ka pasur kontakte të tilla, pasi ishin pjesë e pellgut të Mesdheut që rrihej nga anijet mbretërive përreth tij. Ai përmendi rastin e familjes Spanjolli të vendosur në trevën e Kavajës. Sipas gojëdhënave, tregohet se ata kanë qenë pjesë e regjimentit saraçen (me arabë të Spanjës dhe të Magrebit) të ushtrisë së Anzhuinëve, në një nga betejat që ajo ka zhvilluar me ushtrinë e Venedikut në këto brigje të Adriatikut.

Më pas autori përshkroi në mënyrë të përmbledhur karakteristikat e periudhave historike të rrugëtimit të Islamit në Kavajë, duke theksuar se ky rrugëtim shkoi paralel me themelimin e qytetit në vitin 1561 nga Ali Hajdar Beu dhe me zhvillimin e tij urban dhe ekonomik. Familja qeverisëse Alltuni, sipas autorit, është ajo që i dha tonin qytetit, duke e qeverisur atë për 300 vjet. Dhe kulmin qyteti e arriti në fundin e shek. XVIII dhe fillimin e shek. XIX, kur konsujt e huaj e përshkruajnë Kavajën si një nga qytetet më të hijshme dhe më të pasura të Shqipërisë. Ky lulëzim vazhdoi deri në mesin e shek. XIX, kur qyteti u shkatërrua nga luftërat e brendshme mes vilajeteve shqiptare. Gjithsesi gjurmë të këtij zhvillimi ishin Kulla e Sahatit, Xhamia Kubelije me arkadën e saj dhe pazari karakteristik i qytetit. Autori theksoi se kompleksi arkitekturor kullë sahati, xhami dhe arkadë përbën një dukuri unike të bashkimit të tre stileve arkitekturore: evropiane (kulla), islame (xhamia) dhe heleno – romake (arkada e xhamisë, e importuar aty nga rrënoja antike në afërsi të trevës).

Në takim diskutuan shumë nga të pranishmit. Myftiu i Kavajës, Besnik Leçini e përshëndeti aktivitetin dhe organizatorët e tij, duke theksuar se libri nxjerr në pah rrënjët e thella të Islamit në trevën e Kavajës. Kryetari i Klubit të Shkrimtarëve Kavajas, Nazmi Roli nënvizoi se popullsia e zonës së Kavajës i përbrendësoi të vërtetat e besimit islam, duke i bërë ato më tepër se moral. Sipas tij, ishte kjo mikpritje e besimit që bëri të ndriçojnë në Kavajë figura të tilla fetare e atdhetare si Hafiz Ali Zëmblaku, Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Kaduku etj. Poeti Muharrem Gazioni e vlerësoi librin për erudicionin dhe skrupolozitetin e shfrytëzimit të të dhënave arkivore, librore dhe gojore.

Diskutimet nxorën në pah edhe dimensione të tjera të librit, si: mesazhi i bashkëjetesës fetare shembullore në trevën e Kavajës, nëpërmjet përmendjes së fakteve historike që e mbështesin këtë mesazh; stili i bukur gjuhësor i të shkruarit që e bën librin të lexueshëm nga të gjitha shtresat dhe jo vetëm nga studiuesit; hapja e rrugës për zhvillimin e më shumë studimeve të tilla enciklopedike, jo vetëm për Kavajën, por edhe për zonat e tjera përreth etj. Në përfundim, bisedat vijuan në koktejin e shtruar me këtë rast.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2