wrapper

Organizimi esnafor si institucion i rendit feudal, që arriti formë të plotë në qytetet shqiptare gjatë shek. XVII-XVIII, krijoi kushte të favorshme për zhvillimin me ritme më të shpejta të jetës qytetare. Veprimtaria e organizatave esnafore ishte komplekse dhe e shumanshme. Esnafët kanë kryer edhe detyrat me karakter publik të bashkësisë qytetare, siç qenë ndërtimi dhe mirëmbajtja e rrugëve, pazareve, faltoreve, urave, objekteve të tjera social-kulturore e inxhinierike ndër to dhe kullat e sahateve.

Siç dihet kjo gjeni arkitektonike e lidhur ngushtë me shpikjen e mekanizmit të orës, është shfaqur në Europë në shek. XIV. Tregtarët shqiptarë, të cilët kishin kontakte të shpeshta me qytetet europiane, sollën që andej mekanizmat e orës dhe ndërtuesit vendas materializuan këtë sukses të mendimit njerëzor në vendin e tyre, duke krijuar kullat e sahatit si objekte të përdorimit kolektiv për kohëmatje. Ndërkohë historianët tanë kanë vërejtur se prania e kullave të sahatit në qytetet e banuara nga shqiptarët, në krahasim me qendrat e tjera të Perandorisë Osmane, është tipar dallues që nga shek. XVI.

E para kullë sahati mendohet të jetë ndërtuar në qytetin e Shkupit rreth viteve 1560 – 70. Në shek. XVII kulla sahati kishin edhe qytetet e tjera të dëgjuara si Elbasani, Prizreni, Berati, Kruja, Shkodra, kurse në qytetet e Korçës, Prishtinës e Pejës esnafët i ndërtuan kullat rreth shek. XVIII. Kulla sahati ndërtojnë gjatë shek. XIX edhe qytetet më të reja zejtare si Kavaja, Tirana, Peqini dhe ndonjë qendër e vogël me karakter fshatar si Preza e Libohova. Kanë pasur kulla sahati, gjithashtu, Durrësi, Gjirokastra, Kanina dhe Delvina.

kullat e sahatit tirane

Figura 2, 2a - Sahati Tiranë

Në ditët tona kanë arritur në gjendje të mirë disa prej tyre. Nevojat konservuese restauruese, që paraqesin këto përmendore kulture, bëjnë paraprakisht të nevojshme njohjen e arkitekturës dhe evolucionin e saj në gjithë aspektet përbërës, veprim i domosdoshëm për ndërhyrje shkencore të argumentuar restauruese.

Kullat i shohim të jenë dy tipash: me dy dhe me tri kate. Për të dy tipat kati i parë është i lartë, i mbyllur me mure masiv guri dhe me një portë të vetme për hyrje. Zhvillohet në lartësi me planimetri katrore dhe ndriçohet nga të katër anët me dritare si frëngji. Duket që teknikisht është ndjekur përvoja e njohur e ndërtimit të kullave më të hershme, nga e cila është trashëguar edhe emir “kullë”.

     

kulla sahati kavaje

Figura 3,4 -  Kulla e Sahatit Kavajë 

65 big

Kulla e Sahatit Kavajë 

Lloji i mekanizmit të përdorur në secilën kullë sahati diktoi dhe sasinë e kateve të mësipërme, kurse më vonë modifikimi i mekanizmit nga orë matës me tingull në mekanizëm me fushë ore ka sjellë ndryshime në pamjen origjinale të disave prej tyre. Si shembull kullat e sahatit në Tiranë (fig. 2,2 a) dhe Kavajë (fig. 3,4) janë konstruktuar duke ruajtur nga projekti origjinal vetëm kati i parë. Ndryshimet që pësuan këto kulla sahati kanë sjellë për mendimin tonë humbje të vlerave arkitektonike tradicionale për këtë gjini ndërtimore, prandaj dhe punimet konservuese apo të mirëmbajtjes që janë kryer në to sipas fazës së fundit ndërtimore mendojmë se janë të diskutueshme në aspektin teorik të vlerësimit e restaurimit të monumenteve.

PREZE

Figura 5  - Kulla e sahatit të Prezës                               Figura 6 - Kulla e sahatit të Prezës  

2013 10 10 Prezë Castle Albania 8978

Kulla e sahatit të Prezës

Zgjidhje interesante paraqiste kulla e sahatit në Prezë pas rikonstruksionit (fig. 5). Ambienti i mekanizmit dhe kambanës (kati i dytë i kullës) qe mbyllur me mure; në to qenë çelur vendet për fushat e orës dhe nga tri dritare hark në çdo anë. Kjo pamje mendojmë se duhej vlerësuar për restaurim, ngaqë përfaqësonte evolucionin e plotë të kësaj kulle. Rikompozimi i saj (fig. 6), duke mos e konsideruar fazën e fundit, ka sjellë që ky monument të humbasë cilësitë e një historiku të plotë si një kullë fortifikuese kalaje. Kullë vrojtuese, kullë sahati.

Përvoja e pasur ndërtimore vendase e konceptoi kullën e sahatit si element i rëndësishëm urbanistik si për zgjedhjen e vendit të vendosjes, edhe në përkujdesjen e veçantë dekorative estetike.

Kullat u ndërtuan në sheshet e pazarit ose pranë tyre. Janë shfrytëzuar ose kuotat më të larta, që kulla të dominojë jo vetëm pazarin por krejt qytetin. Na tërheq vëmendjen ngritja e sahateve qytetare mbi rrënojat e kullave të vjetra të kalave, pranë ose në afërsi të pazarit, që siguronte bazamente të sigurta dhe ndihmonte në lartësimin e kullës, duke i shtuar asaj vlera monumentaliteti. Me interes është dhe fenomeni i adaptimit të kullave ekzistuese, kambanoreve, apo i ndërtimeve të llojeve të tjera, me funksionin e sahatit qytetar.

Për ilustrim kemi zgjedhur tre ekzemplarë:

peqin

  Figura 7- Kulla e sahatit të Peqinit 

kulla sahatit peqin1

Kulla e sahatit të Peqinit 

Kulla e sahatit të Peqinit (fig. 7) shquhet për origjinalitet në formimin kompozicional , proporcione harmonike në tërësi, mjeshtëri të hollë e një teknikë të pjekur. Ajo u ndërtua rreth viteve 1840 së bashku me xhaminë, si pjesë përbërëse e të njëjtit objekt. Nga tradita gojore mësohet se për ndërtimin e saj qenë shfrytëzuar gurët nga një faltore më e vjetër dhe realizimi qe kryer nga po ata mjeshtër, që kishin ndërtuar më parë kullën e sahatit të Tiranës. Kjo kullë është e tipit tre katesh dhe arrin një lartësi prej 21 metrash. Kati i parë, si ambient ku varen peshat, ka brenda akoma sot shkallët origjinale prej druri, të konstruktuara thjeshtë e me kritere racionale (çdo pesë këmbë shkallë një sheshpushim). Kati i dytë fillon me një dysheme, ku ndodhet i montuar mekanizmi i orës. Ky kat, ashtu si i pari, është i mbyllur. Formohet simetrikisht prej harqesh të verbra dyshe dhe mbulohet nga një kube, mbi tromba anësore. Në këtë kube ka sot dy dalje, njëra është e vonë, kurse tjetra, ajo origjinalja, të drejton për në ambientin e tretë, në atë të kambanës. Ky ambient i fundit, i formuar nga katër kolona të gurta njëcopëshe, me kapitale të gdhendura, harqe e kube, ka qenë i hapur. I vetmi ndryshim, që i është bërë katit, është mbyllja e hapësirës ndërmjet kolonave me mure, çelja e vendeve për fushat e orës dhe hapja e një kalimi të domosdoshëm për nevojat e rregullimit të akrepave orëshënues.

Vlerat unikale të këtij monumenti si dhe nevojat, që ai ka si rezultat i humbjes së qëndrueshmërisë që nga koha, kur u rrënua faltorja, e bën të domosdoshme ndërhyrjen tonë restauruese e vlerësuese.

elbasan

Figura 8 - Kulla e Elbasanit

elbasan sot

Kulla e Elbasanit

Kulla e Elbasanit (fig. 8) daton në vitin 1899, por nga të dhënat dokumentare rezulton që Elbasani ka pasur një kullë sahati që në fillim të shek. XVII. Hani (1854) dhe Hekardi (1865), ndonëse japin një përshkrim të hollësishëm të sheshit pranë kalasë, nuk përmendin praninë e ndonjë kulle. Në vitin 1869 Tozeri ka vërejtur një kullë sahati, pa përmendur ndonjë veçori. Në studimin mbi Kalanë e Elbasanit të Gj. Karaiskajit, është shfaqur mendimi se në vendin, ku ndodhet kulla e sotme, ndodhej një e vjetër prej druri, ndërsa mendimi ynë është se në të njëjtin vend janë ndërtuar radhazi tri kulla. E para në shek. XVII e përmendur nga Çelebiu, u rrënua para vitit 1854. Kulla e dytë prej druri, e ngritur gjatë viteve 1865-1869, pas rrënimit u zëvendësua me kullën më të re, në pranverë të vitit 1899. Atë e ndërtoi vetë populli elbasanas (siç shkruhet në mbishkrimin mbi portën hyrëse të kullës) dhe vlerësimi që i jep më 1931 Valishi, duke e cilësuar të vjetër turke, është i gabuar.

Në mbishkrim thuhet gjithashtu se ky sahat tregon saktë nga të katër anët orë e minutë dhe kjo na bind se mjeshtërit ndërtues e konceptuan që në fillim me fusha. Kjo kërkesë funksionale nuk kërkoi shtimin e ndonjë kati të veçantë, të posaçëm, por fushat i vendosën në murin e katit të dytë. Kulla është e tipit tre katesh. Zhvillohet me planimetri katrore (4.3 x 4.3m), deri në lartësinë 3 m është ndërtim prej guri, me sipër vazhdon prej tulle, duke ruajtur të gurta qoshet. Dy katet e tjera janë vazhdim i të parit dhe ndahen nga njëri – tjetri nga një soletë (sot e rindërtuar me betonarme). Edhe kjo kullë kurorëzohet nga një kube. Teknika e ndërtimit dhe e materialeve të përdorura (hekuri në brezat e murit dhe për tirande, druri për shkallë dhe dysheme, tulla e pjekur mirë në kupolë dhe mure, suvatimi dhe trajtimi koloristik) tregojnë për vazhdimësi të traditave vendase dhe përvetësim të teknologjive më të reja. Në gjendjen e sotme nuk shohim nevojën për ndërhyrjen restauruese.

kruje

Figura 9 - Kulla e sahatit të Krujës

kruje sot

Kulla e sahatit të Krujës


Për kullën e sahatit të Krujës (fig. 9) studimi dhe restaurimi i së cilës është kryer nga punonjësit e Institutit të Monumenteve të Kulturës po kufizohemi vetëm me disa vlerësime.

Kjo kullë është më e vjetra nga ato që ruhen sot, e ndërtuar në shekullin XI-XII, apo dhe më parë, si pikë vrojtimi. Autorë të ndryshëm e cilësojnë si kullë kambanash, kurse funksionin për sahat ajo e mori në shek. XVII. Në gjendjen, që paraqitej si dhe në vendin ku ngrihej plotësonte më së miri kushtet e funksionit të ri si sahat qytetar për t’i shërbyer tregut dhe qytetit. Ka një lartësi nga tabani rreth 16 m, fillon piramidale dhe vazhdon prizmatike me bazë katrore. Kolona guri që mbajnë sipër çatinë e drunjtë e mbyllin këtë kompozim. Sipas këtij modeli ajo dhe është restauruar.

Kulla e sahatit si një kategori arkitektonike, që reflekton kushtet ekonomiko-shoqërore të epokës, duke i materializuar këto si në konceptim, ashtu edhe në teknikën e materialin e përdorur, përbën për historinë e arkitekturës sonë mesjetare një kapitull të veçantë. Në këto përmendore kulturore mbulojmë aftësitë krijuese të mjeshtrave tanë popullorë, të cilët kanë ditur të bashkojnë elemente të stileve të ndryshme, duke future shumë gjëra vetjake të reja dhe në këtë drejtim ato janë të pasura me vlera të shumta njohëse. Secila prej tyre paraqet rast unik si vepër arti, si dëshmi kulture dhe si përmendore historike, në të njëjtën kohë janë objekte në vazhdimësi funksionale.

* Marrë me përpunime nga:

S. Dashi, Monumentet, nr. 12, f. 101, Instituti i Monumenteve të Kulturës, Tiranë 1976

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2