wrapper

Berat, 25.03.2017

Cikli i takimeve letrare “Bisedë me autorin” u zhvendos në qytetin piktoresk të Beratit, për të diskutuar me autorin vendas Yzedin Hima rreth letërsisë dhe miteve të saj. Për këtë qëllim u mblodhën në sallën e pallatit të kulturës “Margarita Tutulani” qytetarë beratas, mes të cilëve studiues të letërsisë, lexues e dashamirës të autorit.
Takimin e çeli studiuesi Bedri Telegrafi, i cili bëri vlerësime të përgjithshme për veprën e autorit dhe vlerësoi nismën e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam në ndriçimin e kontributeve kulturore të shkrimtarëve në qytete dhe zona të ndryshme të Shqipërisë. Më pas të pranishmit i përshëndeti në emër të AIITC Kryetari i Bordit, Dr. Faruk Borova, i cili mes të tjerash sqaroi motivet e Institutit për organizimin e takimeve të tilla në qytete anekënd vendit.
Më tej, në takim vijuan diskutimet rreth veprave të autorit. Nëndrejtori i AIITC Alban Kodra mori në analizë monografinë “Vexhi Buharaja pa mite e mjegull”. Ai theksoi se kjo monografi është studimi më i plotë mbi jetën dhe krijimtarinë e Vexhi Buharasë si poet, shqipërues i madh dhe studiues i thuktë, çka e vë atë në odeonin e kulturës shqiptare dhe islame.
Studiuesi Faruk Bollëke dhe publicisti Namir Lapardhaja trajtuan librin e fundit të autorit “Letërsia e penguar dhe mitet e saj”. Nëpërmjet analizave të tyre ata evidentuan pikëpamjet e autorit, idetë e tij mbi letërsinë dhe qëndrimet në lidhje me zhvillimet letrare në Shqipëri gjatë shekullit XX.
Nga ana e tij, autori Yzedin Hima falënderoi AIITC, Drejtorin dhe stafin e tij për realizimin e kësaj veprimtarie, si dhe diskutantët në takim. Pastaj shpalosi përmbledhtazi momentet kryesore të veprimtarisë së tij poetike, publicistike, përkthyese e studimore. Në fjalën e tij ai u shpreh se do të ishte i lumtur sikur krijimet e tij të takojnë qoftë edhe një lexues, sepse takimi i tekstit me lexuesin do të thotë realizim i tekstit, edhe kur ndodh ky takim me një lexues të vetëm.
Motivin e gjithë kësaj veprimtarie ai e gjen te fakti se lavdia e dikurshme letrare e qytetit të Beratit sot është lënë pas. Sipas tij, në shekujt XVII-XVIII ky qytet organizonte diskutime poetike dhe konkurse në klubet buzë Lumit “Osum” ku merrte pjesë si mik i poezisë i gjithë qyteti, i ndarë më dysh: njëra pjesë e tij me Nezim Beratin, tjetra me mulla Alinë. Ai nënvizoi se Berati në këtë hark kohor ka qenë qendër e poezisë me poetë si Muçi Zade, Sulejman Naibi, Mulla Aliu, Mehmet Ashkiu, Fejziu etj., ndërsa sot nuk ka një konkurs poetik si projekt i këtij qyteti vërtet piktoresk e me kulturë të vjetër.
Pas fjalëve diskutuese, të pranishmit ndoqën interpretimin e disa poezive të autorit nga regjisori Shpëtim Dyrmishi, si dhe poezi nga Vexhi Buharaja të interpretuar nga Armela Reka. Në fund të pranishmit vijuan bisedat në koktejin e shtruar me këtë rast.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2