wrapper

Tiranë, 27.03.2017

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) organizoi në mjediset e tij një ceremoni përcjellëse për Ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, Shkëlqesisë së Tij, z. Talat Salem Radwan, me rastin e përfundimit të misionit diplomatik në Shqipëri. Në ceremoni morën pjesë drejtues të Institutit, anëtarë dhe bashkëpunëtorë të tij.

Mes tyre ishin të pranishëm Kryetari i Bordit të AIITC - Dr. Faruk Borova, kryeredaktori i revistës “Univers” prof. dr. Ramazan Bogdani, Kryetari i Forumit Musliman të Shqipërisë z. Fisnik Kruja, diplomatët Sulejman Tomçini dhe Behar Bejko, Drejtoresha e SHKG znj. Ndriçime Zekaj etj.

Ceremoninë e çeli nëndrejtori i AIITC, Alban Kodra. Në fjalën e tij ai i uroi mirëseardhjen Ambasadorit, e prezantoi me të pranishmit dhe i shprehu falënderimin e tij për vitet e shërbimit diplomatik. Ai theksoi se gjatë këtyre viteve Instituti e vlerëson bashkëpunimin që ka zhvilluar me Ambasadën e Arabisë Saudite, prandaj organizoi këtë ceremoni përcjellëse, në shenjë mirënjohjeje të kontributit të z. Ambasador.

Më pas fjalën e mori Dr. Faruk Borova, i cili e falënderoi z. Ambasador në emër të Institutit dhe të Drejtorit të tij, Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj. Ai çmoi detyrën që zhvillojnë ambasadorët si përfaqësues të vendeve të tyre dhe u ndal në mënyrë të veçantë në marrëdhëniet miqësore që kanë karakterizuar bashkëpunimin mes dy institucioneve gjatë kësaj kohe. Në përfundim të fjalës së tij, ai i akordoi z. Talat Salem Radwan një certifikatë vlerësimi, të përgatitur nga Instituti me këtë rast.

Nga ana e tij, SHTZ. Talat Salem Radwan u shpreh shumë i lumtur dhe i nderuar për organizimin e kësaj ceremonie. “Në misionin tim diplomatik në Shqipëri – tha mes të tjerash – shumë herë kisha planifikuar vizitën e Institutit tuaj, por kjo m’u bë e mundur vetëm këto ditë. Megjithatë, vizitat e herëpashershme nga drejtuesit e Institutit më kanë mbajtur vazhdimisht në dijeni për punën e rëndësishme që zhvillon ky institucion, ndaj të cilit ndihem deficitar”.

Më tej, ai shprehu përshtypjet më të mira nga përvoja si Ambasador në Shqipëri, duke vlerësuar lart popullin shqiptar, mikpritjen dhe dashamirësinë e tij. Pastaj ai u shpreh i sigurt se fryma e bashkëpunimit do të vijojë edhe në të ardhmen me ambasadorët e tjerë që do të vijnë me mision në Shqipëri, ndërkohë që edhe ai vetë nuk do t’i shkëpusë marrëdhëniet në postin e ri ku do të jetë.

Ceremonia vijoi me përshëndetjet e të pranishmëve. Z. Behar Bejko, ish-ambasador i Shqipërisë në EBA, i shprehu falënderimin e tij z. Radwan dhe vendit që ai përfaqëson, për ndihmën e vazhdueshme që Arabia Saudite i ka ofruar Shqipërisë në nivel ekonomik, kulturor, fetar e politik,

në mënyrë të veçantë për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur. Po ashtu z. Ambasador mori falënderime dhe urime nga z. Sedat Mahmutaj, Kryetar i Shoqatës së të Diplomuarve Shqiptarë në Arabinë Saudite dhe miq të tjerë të ftuar në event. Në mbyllje, pjesëmarrësit vazhduan bisedat mes tyre në koktejin e shtruar me këtë rast.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2