wrapper

Ura e Kadiut, Benje, Permet - Urë e vjetër otomane, 1760

Rrethi i Përmetit përshkohet nga juglindja në veriperëndim prej lumit Vjosa, një nga lumenjtë më të mëdhenj të vendit tonë. Duke i kaluar pothuaj mes për mes rrethit malor të Përmetit, Vjosa ndan gjeografikisht ndërmjet tyre disa krahina si Rrëzën e Maleshovën majtas rrjedhjes me krahinën e Shqerisë e të Deshnicës djathtas rrjedhjes, krahina këto të populluara e me zhvillim gjatë periudhave të ndryshme historike. Përmeti e Këlcyra përmenden në shek. XVI, krahas qyteteve të tjera, si qendra të banuara, të pajisura me pazare, dyqane, magazine dhe hane. Këtu bëheshin edhe pazaret e pasura javore me produkte të ndryshme të ekonomisë fshatare. Në këto kushte të marrëdhënieve shoqërore-ekonomike ndërmjet krahinave dhe fshatrave të ndryshme të Përmetit, sigurisht lindte domosdoshmëria e një rrjeti të gjerë komunikacioni të përbërë nga rrugë dhe ura. Që në kohë të hershme të luginës së Vjosës kalonte rruga prej Korçe e Leskoviku për në Përmet e vazhdonte për Këlcyrë, ku ndaheshin dy degë, njëra për në Berat dhe tjetra, gjatë Vjosës nëpër grykën e Këlcyrës, për Tepelenë etj. Duke ndjekur pikërisht itinerarin e kësaj rruge do të përmendim disa ura të ndërtuara në pika të ndryshme mbi Vjosë e mbi degë të saj, të cilat lidhin, ndërmjet tyre krahina dhe fshatra (fig. 1) të ndryshme të Përmetit, duke lejuar zhvillimin normal të marrëdhënieve social-ekonomike. 

Fig 1  Fig 1

Parashtrojmë që në fillim se urat që do të preken në artikullin tonë duhet të jenë të ndërtuar nga shekulli XVII e lartë në shekullin XVII e XIX-të. Itinerari i vjetër i rrugës Leskovik – Përmet bashkohet me rrjedhën e Vjosës menjëherë pasi lë në të majtë urën e gurtë të Beratit (sot e prishur) mbi lumin Sarandapor, për të cilën Hjugsi, më 1830 thotë se: “duke kaluar lumin e madh të quajtur Sarandapor, kaluam mbi një urë me hark të vjetër, ku kalonte rruga për në Janinë”. Nga kjo urë sot kanë mbetur vetëm gjurmë të mbështetjes anësore. Rruga për në Përmet vazhdon gjatë anës së djathë të Vjosës. Në fshatin Çarshovë ndodhet përroi me të njëjtin emër, degë e djathtë e Vjosës, i cili 600 m, para derdhjes së tij në Vjosë, ka pasur një urë guri, sot e prishur. Gjatë këtij përroi qe projektuar xhadeja nga Janina në Korçë. Rruga e sotme për në Leskovik e Korçë, kalon pikërisht anash këtij përroi.

Fig 2

Fig 2Pasi lë fshatin Çarshovë, gjithmonë djathtas rrjedhës së Vjosës, rruga vazhdon për në Petran. Rreth 500 m mbi urën e varur të Petranit, ruhen gjurmët e një ure hark, sot e rrënuar. Duke folur për të Pukëvill përmend se “arrimë mbi një urë guri me tri harqe, mbi të cilën kalohet Vjosa, pak më sipër bashkimit të saj me lumin Levkarica. Kjo urë lidhte fshatrat e anës së majtë të rrjedhjes së sipërme të Vjosës si Zhepën, Biovizhdën, Draçovën, Kaludhin, etj, me Petranin dhe Shqerinë. Në këtë vend brigjet e Vjosës janë shkëmbore prej konglomerati dhe të ngritura vertikalisht thikë rreth 10 m mbi nivelin e ujit. Nga ura e vjetër ruhen vetëm pjesë të shpatullave të mbështetjes, të ngritura mbi shkëmb, me taban rreth 10 m mbi nivlin e ujit (fig. 2).

 

Duke gjykuar nga vetë gjerësia e shtratit të lumit, rreth 15 m nga burimet e shkruara dhe nga krahasimi me urat e tjera mbi Vjosë, të prishura vonë, arrijmë në përfundimin se kjo urë ka qenë ndërtuar me një hark të madh kryesor gjysmërrethor me hapësirë drite sa ngushtica e lumit. Me këtë zgjidhje ura ngrihej me kurriz të lartë në qendër të saj. Për të evituar mbushjet masive të shpatullave anësore, konstruksioni në hyrje e dalje të urës ishte realizuar respektivisht me nga një hark të vogël bregor, mbi të cilin shtrihej kalldrëmi i pjerrët u trasesë së urës me gjërsi 2.2 m. Ura qe ndërtuar me gurë pllake gëlqerore. Duke vazhduar rrugën, rreth 500 m më në veri arrihet në fshatin Petran, ku ura e vjetër e kalonte Vjosën mbi një urë guri dhe vazhdonte pastaj për në Përmet, gjatë bregut të majtë të Vjosës në ndryshim nga rruga e sotme që kalon djathtas lumit. Ura e Petranit e ndërtuar pak më sipër se derdhja e lumit Longaricë në Vjosë, përmendet që në 1806 prej Pukëvillit. Sipas burimeve ajo ka ekzistuar deri në vitet 50. Nga ura e Petranit sot ruhen vetëm segmente në nivelin e mbështetjeve të harkut kryesor (fig. 3).

 

Fig 3

Fig 3

Sipas një fotografie të vjetër del se kjo urë ka qenë ndërtuar me shtatë harqe dhe dy dritare lehtësuese anash harkut kryesor (fig. 4). Në qendër të kompozimit të urës është harku kryesor me hapësirë drite 20 m, me dy harqe më të vegjël anash. Katër harqet e tjera ishin të vegjël. Ura e Petranit hyn në grupin e urave të mëdha. Ka pasur një siluetë interesante arkitektonike që i është imponuar asaj nga vetë disniveli i brigjeve. Si urë kyçe në rrugën Përmet – Leskovik dhe për lidhjen e krahinës së Rrëzës me atë të Shqerisë, ajo i është përshtatur mirë shtratit të lumit dhe brigjeve. Ura është ngritur mbi formacion shkëmbor konglomerat. Nga bregu i majtë ku niveli i terrenit është më i lartë, traseja e urës vinte e rrafshët. Në kyçin e harkut të madh traseja binte me pjerrësi drejt bregut të djathë që është pak a shumë i sheshtë. Në ndërtimin e urës është përdorur guri gëlqerorë me lidhës llaç gëlqereje.

Fig 43

Fig 4

Longarica është një nga degët kryesore të Vjosës në rrethin e Përmetit. Pak kilometra sipër derdhjes së saj në Vjosë, pikërisht në banjat e Bënjës ndodhet ura e Katiut, urë me interes dhe e ruajtur relativisht mirë. Ura e Katiut lidh Bënjën me Delvinën e Shqerisë. E ndërtuar mbi brigje shkëmbore ajo paraqet interes për nga kompozimi arkitektonik dhe zgjidhja konstruktive. Në qendër të kompozimit të urës ndodhet harku kryesor në formë segmenti rrethor me hapësirë drite 15.5 m dhe lartësi 6 m mbi nivelin e ujit. Përfshirë dhe arkivoltën qemeri i harkut ka trashësi 1 m dhe është punuar me gurë gëlqerorë pllakë. Nga ana e poshtme e urës në ballin e harkut ruhen ende dy ganxha metalike për mbërthimin e gurëve ballorë.

Qemeri konturohet nga sipër prej arkivoltës me trashësi 50 cm e ndërtuar me gurë gëlqerorë, e cila me dhëmbë 10 cm mbi ballin e qemerit të poshtëm. Në pjesën qendrore të harkut të sipërm nga të dy anët e rrjedhës janë inkastruar nga shtatë kolona të vogla shtufi, që lartësohen 30-40 cm mbi kalldrëm, të cilat kanë shërbyer për lidhjen e parapetit të urës, që sot nuk ruhet më. Në pjesën e kyçit të harkut ura ngrihet me kurriz, me lartësi 7 m mbi nivelin e ujit. Gjatësia totale e urës në projeksion horizontal arrin 37 m. Qemeri i saj kufizohet sipër prej një kornize me rrasë guri me trashësi 9 cm. Kjo dritare është hapur në lartësinë 1.5 m nga toka. Nga sa shihet në teknikën e ndërtimit, vërejmë se ura e Katiut ka pësuar dëmtime në kohë, që kanë kushtëzuar riparimin e mureve masive të urës nga të dy brigjet. Pjesët e poshtme të shpatullave anësore të urës deri në lartësinë 1.5 m nga toka, që përbëjnë fazën e parë të ndërtimit, janë muraturë me gurë gëlqerorë pllakë, ku fugat janë të mbushura mirë me llaç gëlqereje. Kjo pjesë muri është mjaft solide dhe i ngjan një ndërtimi me bruto-beton.

Muratura e shpatullës së majtë, faza e dytë, është ndërtuar me gurë gëlqerorë, por këtu fugat janë të qarta e të pambyllura me llaç. Në fazën e dytë, në muraturën e shpatullës së djathtë, pjesa e sipërme janë vendosur dy rreshta me gurë gëlqerorë masiv të skuadruar disi dhe mbi to është muratura e përzierë me gurë gëlqerorë e shtufi me fuga pa llaç.

Kalldrëmi i urës, me gjatësi 2.65 m është ndërtuar me gurë shtufi pllakë vendosur këlliç. Nga të dy anët e kyçit ngrihen 5 cm, mbi kalldrëm dy rreshta tërthore me gurë lumi, që lehtësojnë ngjitjen mbi kurrizin e urës.
Tipi i urës së Katiut, urë me kurriz, me theksin horizontal, me një qark kryesor e me një më të vogël anash tij, është tip mjaft i njohur sit e ne, ashtu dhe gjetkë. Afërsisht të tilla janë Ura e Kamares në Librazhd, e ndërtuar në vitin 1715, e Tabakëve në Tiranë, e ndërtuar në gjysmën e parë të shekullit XIX e Golikut në Mokër, etj. Ndërtimi i këtij tipi ure ka qenë i përhapur gjatë shekullit XVIII, e kryesisht në gjysmën e dytë të tij, kohë gjatë të cilës mendojmë se duhet të jetë ndërtuar dhe Ura e Katiut në banjat e Bënjës.

Në të hyrë të fshatit Bënjë, në lagjen e poshtme të tij, ndodhet përroi i Bënjës, që kalon nëpër një grykë të ngushtë e derdhet në lumin e Langaricës, pak më poshtë se ura e Katiut. Rruga që çon në fshat e kalon përroin me një urë guri të vogël. Ura mbi përroin e Bënjës ka një pamje mjaft tërheqëse. E ngritur mbi një hark tip shigjetë të realizuar me finesë, mbi grykën e ngushtë të përroit, ku qëndron proporcionalisht, ura e Bënjës harmonizohet bukur me ambientin natyror rrethues. Në ngritjen e saj është mbajtur parasysh mirë ngushtica minimale e përroit në atë pjesë të rrjedhjes si dhe fortësia e brigjeve, duke e ndërtuar urën në pjesën më të ngushtë të përroit dhe duke e mbështetur në brigje shkëmbore të qëndrueshme.

Ura e përroit të Bënjës ngrihet mbi një hark të vetëm tip shigjetë me hapësirë drite 6.4 m dhe me lartësi 7.5 m nga niveli i ujit në kalldrëm. Qemeri i harkut përfshirë dhe arkivoltën, ka trashësinë 70 cm. Arkivolta shkel me dhëmb 7 cm mbi harkun e poshtëm. Në pjesën qendrore të arkivoltës janë inkastruar katër kolona të vogla prej shtufi që sigurojnë një lidhje të mirë të muraturës së urës. Kolona të tilla formë brezash vertikalë vërehen edhe të tjera në muret bregorë të urës. Gjatësia e urës e matur në kalldrëm i cili është i rrafshët, arin 9.6 m ndërsa gjerësia është 2.3 m.

Lidhur me datimin, ura nuk ruan asnjë mbishkrim, gjithashtu të dhëna të tjera nuk kemi, pra për kohën e datimit do t’i referohemi krahasimit tipologjik. Ura e Grofçanit dhe ura e Jokçiut mbi lumin e Tabakut në Kratovo të Maqedonisë të ndërtuar në fundin e shekullit XVII-të si dhe ura e Zhepës në Bosnje e ndërtuar në fundin e shekullit XVI, kanë ngjasim me urën e Bënjës. Për analogji mendojmë që si kohë ndërtimi të urës së Bënjës të pranojmë gjysmën e dytë të shek. XVII. Në këtë kohë dhe gjatë shekullit XVIII në vendin tonë janë ndërtuar shumë ura.

* Marrë me përpunime nga:

V. Shtylla, Monumentet, nr. 14, f. 101, Instituti i Monumenteve të Kulturës, Tiranë 1977

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2