wrapper

Shkup, 04.04.2017

Shtrirja e bashkëpunimit me studiues, akademikë dhe njerëz të dijes e të kulturës anekënd trevave shqiptare e më gjerë, është një nga objektivat e veprimtarisë së Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam (AIITC). Për këtë qëllim, AIITC ka realizuar kohë pas kohe takime dhe prezantime të botimeve të saj në qytete të ndryshme të hapësirës shqiptare, si: Tirana, Prishtina, Ulqini, Gostivari etj.

Në këtë vazhdë, AIITC realizoi në ambientet e Institutit për Trashëgiminë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) në Shkup, prezantimin e revistës “Univers”. Në takim morën pjesë drejtues të këtij Instituti, bashkëpunëtorë, si dhe studiues e intelektualë të tjerë shqiptarë të Maqedonisë. Gjithashtu pjesemarrës ishte edhe prof. as. dr. Fahrush Rexhepi me një grup bashkëpunëtorësh nga Fakulteti i Studimeve Islame (FSI) – Prishtinë.

Të pranishëm ishin drejtori i revistës prof. as. dr. Ramiz Zekaj, kryeredaktori prof. dr. Ramazan H. Bogdani, anëtarja e redaksisë prof. dr. Nevila Nika dhe koordinatorja Anisa Hykaj.

Prezantimin e çeli prof. as. dr. Sevdail Semiri dhe në emër të ISHTKSH përshëndeti drejtori i tij, prof. dr. Skënder Asani. Më pas, përfaqësuesit e revistës bënë një ekspoze të historikut, autorëve dhe vlerave që ky botim shkencor i ka sjellë ndër vite arealit kulturor dhe shkencor në Shqipëri. Drejtori i revistës theksoi se “Universi” u themelua nga një elitë akademikësh shqiptarë në fillimin e viteve 2000, me misionin për të formuar një botëkuptim shkencor, që transmeton edukim të lartë artistik, qartësi në mendimin filozofik, drejtësi në gjykimin e vlerave, meditim gjakftohtë para zgjidhjes së problemeve, bindje patriotike në gjurmët që lanë rilindësit.

Sipas tij, në artikujt e “Universit” janë shfaqur opinione për letërsinë, psikologjinë, për filozofinë, shkencat natyrore, janë botuar materiale dokumentare, janë shprehur mendime për botime të ndryshme. Dhe ky vlerësim serioz ka bërë që në revistën “Univers” të afrohen dhe të bashkëpunojnë firma mjaft të njohura në fushën e studimeve akademike në Shqipëri, por duke lënë gjithnjë hapësirën e nevojshme për autorët e rinj nga radhët e shkencës.

Pas prezantimeve, takimin e përshëndeti Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup, prof. dr. Faredin Ebibi dhe më tej të pranishmit vijuan bisedat në koktejin e shtruar me këtë rast.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2