wrapper

Tiranë, 12.05.2017

Me praninë e personaliteteve të rëndësishme të kulturës e shkencës në Tiranë u promovua libri “Corpus of Ottoman Inscriptions from Albania and Montenegro”, i studiuesit nga Holanda dr. Mehmet Tütüncü, publikuar së fundi në anglisht dhe që së shpejti pritet të publikohet edhe në gjuhën shqipe nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC).


Ky promovim erdhi në kuadër të Akademisë së AIITC “Popuj dhe kultura”. Në fjalën e hapjes së veprimtarisë, drejtori i AIITC, Dr. Ramiz Zekaj theksoi: “Mbishkrimet që gjenden në monumentet e kulturës islame në trojet shqiptare janë një aspekt i veçantë, që ka ardhur si trashëgimi e kulturës islame shqiptare deri në ditët e sotme. Ato rrokin një hark të gjerë kohor gati pesëshekullor, duke filluar nga viti 1466 dhe përfundojnë në vitin 1942 dhe hedhin dritë në disa momente të rëndësishme të historiografisë shqiptare.”


Libri më i ri i studiuesit Mehmet Tütüncü zbulon dëshmi të reja mbi botën shqiptare përmes qëmtimit të të dhënave të mbishkrimeve osmane në monumentet e kulturës islame në Shqipëri. Libri me 311 faqe botuar në anglisht, përmban 132 mbishkrime, shumica të zbuluara në terren por edhe në arkiva dhe është konceptuar në tre pjesë kryesore, ku 2 I dedikohen Shqipërisë dhe një Malit të Zi.


Pjesët e dedikuara Shqipërisë përfshijnë dy periudha historike: periudha e parë, nga viti 1437-1670 dhe periudha e dytë, nga viti 1732-1913.


Vetë autori i librit, gjatë fjalës së tij, rrëfeu përvojë hulumtuese dhe theksoi disa nga zbulimet kryesore që kishte përftuar me punën e vet. Ai prezantoi fakte interesante rreth historisë së themelimit të disa qyteteve shqiptare dhe kalave të ndërtuara në to, qysh në kohën e Skënderbeut, por edhe më periudhat e mëvonshme. Ai nënvizoi domosdoshmërinë e angazhimit të autoriteteve shkencore shqiptare për gjetjen e disa mbishkrimeve të humbura, si për shembull mbishkrimi i xhamisë Hasan Balizade në Elbasan etj. Njëherësh ai përmendi faktin se një pjesë e madhe e mbishkrimeve të gjetura u dedikohen femrave.


Sipas tij, është koha që t’u jepet fund debateve mbi rolin e Perandorisë Osmane dhe të mos identifikohet kjo Perandori vetëm me kombin turk, por të shihet roli i të gjitha kombeve që kanë qenë pjesë e saj, sidomos shqiptarëve. Këta të fundit duhet ta shohin veten si pjesë integrale të Perandorisë Osmane, përderisa kanë kontribuuar në zhvillimin e jetës politike, kulturore e më gjerë të kësaj Perandorie. Kujtojmë se shumë shqiptarë kanë shërbyer si vezirë dhe kanë pasur ofiqe të larta drejtuese në këtë Perandori. Gjithashtu, shumë autorë shqiptarë, ku përmendim Sami Frashërin e kanë përndritur kulturën turke e më gjerë.
Në fund të fjalës së vet, ai falënderoi të pranishmit dhe u zotua se do të vijojë hulumtimet për zbulimin e mbishkrimeve të tjera osmane në Shqipëri.


Më tej, fjalën e mori, studiuesi Aleksandër Meksi, i cili vlerësoi punën skrupuloze të Mehmet Tütüncü, duke e konsideruar atë si një skedë të plotë shkencore. Sipas tij, ky libër është një kontribut i madh për njohjen e jetës dhe të shoqërisë shqiptare. Sipas tij, autori ka qëmtuar me këmbëngulje në terren dhe në literaturën shkencore dhe sot studiuesit shqiptarë dhe kushdo i interesuar për historinë e vendit ka në dorë një Korpus që ofron të dhëna të pakundërshtueshme e autentike për krijime, ndodhi, persona e ndërtime deri dje në harresë, ose të shpjeguara me vështirësi për shkak të mangësive për të dhëna të sakta.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2