wrapper

E mërkurë, 08.11.2017

Teknologjia e informacionit (IT) është një nga degët me përparim marramendës në ditët e sotme. Me qëllimin për të ecur në hap me zhvillimet e kohës, përfaqësues të AIITC dhe të institucioneve partnere me të, zhvilluan një takim pune me ekspertë të IT nga Universiteti Ndërkombëtar Islam i Malajzisë. Delegacioni malajzian nga PhD Mohamad Fauzan, profesor i IT, prof. Roslina Othman, pedagoge e Fakultetit të IT dhe Rrahman Fauzan, zhvillues programesh kompjuterike.

Fillimisht delegacioni u njoh me një prezantim të shkurtër të aktivitetit 20-vjeçar të AIITC-së dhe të institucioneve të tij partnere: Media Kontakt, Shoqata Kulturore “Gruaja” dhe shtypshkronja “Mileniumi i Ri”.

Më pas, profesor Mohamad foli mbi arsyen e vizitës së tyre në Shqipëri, nevoja e zgjerimit të njohurive në përdorimin e teknologjisë së informacionit, sidomos në përhapjen e kulturës dhe dijes islame. Sipas tij, kompjuteri dhe telefoni sot janë barasvlerës të penës, e cila vlerësohet lart në traditën dhe kulturën islame si e para krijesë e kësaj bote dhe si mjeti themelor i përhapjes së dijes. Prandaj edhe teknologjia e informacionit duhet të jetë në funksion të përhapjes së mesazhit islam, të diturisë dhe të mirësisë që e shoqërojnë atë.

Për këtë qëllim delegacioni prezantoi disa aplikacione, të cilat i kishin zhvilluar për të qenë në shërbim të institucioneve dhe bashkësive islame në të gjithë globin. Gjatë demonstrimit u evidentuan mënyra e punës së aplikacioneve, funksionet e tyre dhe përfitimet që ata ofronin për përdoruesit. Grupi i synuar i përdoruesve janë kryesisht të rinjtë, duke qenë se edhe teknologjia është më e përhapur në radhët e tyre.

Në përfundim, Drejtori i AIITC prof. as. dr Ramiz Zekaj, duke falënderuar vizitorët, theksoi rëndësinë e organizimit të një workshopi, për inkurajimin e institucioneve dhe të rinjve në përdorimin e kësaj teknologjie. Sipas tij, edhe pse në disa vende të botës është bërë progres në këtë aspekt, për vende si Shqipëria mbetet akoma shumë për t’u bërë. Delegacioni malajzian premtoi se do të rikthehet në Shqipëri, për ta konkretizuar bashkëpunimin e nisur dhe për të shqyrtuar ide e projekte të reja interesante dhe të nevojshme për shoqëritë e rajonit.

Në fund të këtij takimi mjaft produktiv, u shkëmbyen edhe disa literatura e botime mes dy palëve. Botimet e dhuruara prej tyre, iu bashkangjitën Librotekës së AIITC-së.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2