wrapper

Tiranë, 14 dhjetor 2017

Puna me studentët është një nga fushat e veprimtarisë së Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam. Nëpërmjet kësaj pune, Instituti synon të ofrojë mbështetje financiare për shtresat studentore, si dhe të ndihmojë në formimin e tyre të mëtejshëm edukativ e kulturor. Në shërbim të këtyre objektivave, Departamenti i Studentëve organizoi në mjediset e AIITC-së seminarin me temë “Zoti dhe uni”. Ky seminar u realizua në koordinim me sektorin përkatës, pranë Shoqatës Kulturore “Gruaja”. I ftuar për referim ishte teologu i mirënjohur Sabaudin Jashari. Të pranishëm në panelin drejtues ishin Kryetari i Bordit të AIITC-së, Dr. Faruk Borova dhe përgjegjësja e Departamentit Studentor pranë SHKG-së, znj. Zejneb Osmani.

Tema “Zoti dhe Uni” ishte zgjedhur me kujdes nga organizatorët, për të hedhur dritë mbi raportin mes njeriut dhe unit, si dhe mes njeriut e Krijuesit të tij. Programi filloi me fjalën e zv. drejtorit të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, z. Alban Kodra, i cili nënvizoi objektivat e Institutit në projektin me studentët. Ai prezantoi shkurtimisht ligjëruesin Sabaudin Jashari dhe më pas e ftoi atë për të shtjelluar temën në fjalë.

Në ligjëratën e tij, z. Jashari e trajtoi raportin mes Krijuesit dhe Unit në dy pjesë. Së pari ai shpjegoi konceptin e Unit në këndvështrimin islam dhe lidhjen e tij me zbulimin e Krijuesit. Nëpërmjet ajeteve kuranore dhe haditheve, teologu sqaroi se metodologjia kuranore e fton njeriun të meditojë në krijimin e tij, për të kuptuar madhështinë e Krijuesit, duke realizuar kështu parimin që kanë shprehur dijetarët muslimanë: “Njih veten, që të njohësh Zotin”. Pas përmbushjes së kësaj njohjeje, theksoi ligjëruesi, njeriu duhet të njohë udhëzimin e Zotit, për të kuptuar qëllimin e ekzistencës së vet.

Në pjesën e dytë të ligjëratës, z. Jashari trajtoi konceptin e egos njerëzore si pjesë e Unit, të cilën Zoti e krijoi dhe i inspiroi asaj të mirën dhe të keqen. Ai sqaroi se egoja dhe ndjenja të tjera njerëzore si urrejtja, zilia etj., nuk janë as të këqija e as të mira në vetvete, por shndërrohen në negative, kur njeriu nuk ndjek udhëzimin hyjnor në trajtimin e tyre. Ligjërata u mbyll me përgjigjet e teologut ndaj pyetjeve nga salla.

Më pas fjala i kaloi znj. Zejneb Osmani, e cila i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe theksoi rëndësinë që u kushton SHKG-ja studenteve dhe lehtësimit të rrugës së tyre të dijes. Sipas saj, të tilla aktivitete që do të organizohen edhe në vazhdimësi, kontribuojnë në formimin e duhur të të rinjve dhe të rejave.

Kryetari i Bordit Drejtues të AIITC-së, Dr. Borova e falënderoi ligjëruesin në emër të të pranishmëve dhe theksoi faktin se njeriu duhet të ketë qëllime në jetë, por qëllimi parësor i tij duhet të jetë njohja e vetes, që e çon njeriun drejt njohjes së Zotit.

Në përfundim të programit, studentët e pranishëm u ftuan në një koktej, të përgatitur enkas për ta dhe më pas atyre iu dhurua libri “Leximi i mendjes së muslimanit”, botim i AIITC-së.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2