wrapper

Pas një pune përgatitore disa mujore, vjen në duart e lexuesit numri 18 i revistës shkencore-kulturore “Univers”, botim i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam. E konsoliduar tashmë që prej vitit 2001, kjo revistë përmban punime nga fusha e studimeve albanologjike dhe nga disiplina të ndryshme shkencore, të autorëve vendas e të huaj, me fokus të veçantë trajtimin e temave me karakter kulturor, shkencor dhe të mendimit islam.

Janë plot 25 punime, pjesë e këtij numri të ri të revistës “Univers”, që sillen rreth dy boshteve qendrore: studimeve albanologjike dhe studimeve mbi mendimin dhe qytetërimin islam. Si gjithnjë revista ka synuar që, në aspektin e përzgjedhjes së autorëve, të ndërthurë akademikë të afirmuar e me përvojë, me studiues të rinj, të cilëve u jepet mundësia të lëvrojnë në këtë fushë.

Në rubrikat e këtij numri, ndër të tjera do të lexoni:
1. Rubrika “Studime”: Kjo rubrikë përmban shkrime të natyrës studimore, si “Ekonomia rajonale e trojeve shqiptare në shek. XVI-XVIII, mes Venedikut dhe Perandorisë Osmane” nga dr. Ardian Muhaj; “Spastrimi etnik dhe fetar i shqiptarëve 1878-1999, Kosova në veçanti” nga msc. Astrit Hykaj; “Mbi raportet gjuhë shqipe standarde-dialekt në institucione të arsimit të mesëm dhe universitar në Kosovë” nga msc. Lumturije Nuredini; “Institucionet edukativo - arsimore islame në trojet e Maqedonisë së sotme gjatë gjysmës së dytë të shek. XVII” nga prof. dr. Naser Ramadani etj.

2. Rubrika “Horizonte shoqërore”: Në shkrimet e kësaj rubrike autorët kanë trajtuar tematika shoqërore e historike, si: “Roli i revolucionit francez në sekularizimin e shoqërisë franceze” nga mr. Elmir Karaxhi; “Përballja e dy mbretërve të fuqishëm, Bardhylit të Ilirisë dhe Filipit të II të Maqedonisë” nga Tolin Kona; “Përgjegjësia nga perspektiva e teksteve hyjnore” nga prof. dr. Faredin Ebibi etj.

3. Rubrika “Art, Kulturë dhe traditë” sjell shkrime me tematika letrare, si “Lirika dhe semantika” nga Fitim Veliu; “Kasîde-i Burde në gjuhën shqipe” nga dr. Sadik Mehmeti; Novelë e përftuar mbi modelin e përrallës gojore” nga Anton Nikë Berisha etj.

4. Rubrika “Opinione” përfshin shkrime që trajtojnë një larmi tematikash, si: “Problematika të përfshirjes gjinore në përkthimet shqip të teksteve hyjnore” nga mr. Besa Ismaili Ahmeti; “Vlera dhe etika në thirrjen islame” nga dr. Rexhep Suma etj.

5. Rubrika “Botime në fokus” përmban recensione botimesh si: “Vexhi Demiraj – monografi për mësuesin dhe studiuesin e teologjisë” nga prof. dr. Emil Lafe, “Vdekje dhe dëbim i Justin Mc. Carthy - Një këndvështrim i ri i historisë për ta kuptuar atë” nga prof. dr. Muharrem Dezhgiu; “Udha e njësimit të alfabetit të shqipes në një libër të shkruar me dije e dashuri” nga Prof. dr. Gjovalin Shkurtaj etj.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2