wrapper

Tiranë, 08. 02. 2018

Vullnetarizmi sot rezulton të jetë lajtmotivi dhe shtysa e shumë të rinjve, shoqatave e grupeve vullnetare, për t′i ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë. Pikërisht për të rritur këtë ndjenjë tek të rinjtë, Departamenti i Studentëve pranë Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam organizoi seminarin me temë: “Vullnetarizmi i të rinjve në komunitet”, ku merrnin pjesë studentë e studente, pjesë e programeve të edukimit që zhvillojnë AIITC dhe Shoqata Kulturore “Gruaja”.

I ftuar në këtë seminar ishte z. Ilir Hoxholli, një nga aktivistët e shquar të shoqërisë civile dhe themelues i shumë nismave të suksesshme bamirësie. Duke qenë themelues i Fondacionit “Dhuro Dashuri!”, ai ka arritur të tërheqë vëmendjen e mjaft të rinjve dhe grupeve të interesuara, me misionin: “Të jemi pranë nevojtarëve”.

Në fjalën e hapjes, nëndrejtori i AIITC Alban Kodra theksoi se vullnetarizmi është pjesë e bamirësisë, e cila i ka fillesat që me lindjen e shoqërisë njerëzore. Sipas tij bamirësia është porosi e të dërguarve në librat hyjnorë, ndaj është detyrë e të gjithëve që të bëjmë pjesë të jetës sonë ndihmën ndaj të tjerëve, ndaj qëllimi i këtij seminari është përcjellja e këtyre nismave pozitive edhe tek të rinjtë, të cilët janë pjesë e programeve tona të edukimit.

Ndërsa z. Ilir Hoxholli e nisi fjalën e tij me shprehjen “Bamirësia është lumturi e brendshme shpirtërore, që nuk duhet bërë për të fituar pëlqimin e të tjerëve, por për t′u ndjerë mirë me veten dhe Zotin.” Sipas tij në një shoqëri ku pabarazia, me bazë lakminë, ka krijuar hendeqe të mëdha mes të varfërve dhe të pasurve, lipset nevoja të jemi altruistë dhe të kontribuojmë sadopak në vepra bamirësie e vullnetarizmi.

Ai tërhoqi vëmendjen e të rinjve, që të mos qëndrojnë pasivë dhe indiferentë, sepse shoqëria e sotme është në krizë identiteti dhe ka nevojë për modele pozitive, si një nga mënyrat më të mira për të dalë nga kjo gjendje. Prandaj ai nxiti të rinjtë të japin kontributin e tyre vullnetar si dhe të ndërmarrin nisma bamirësie, për të cilat premtoi mbështetje maksimale. Nëpërmjet shembujve nga përvoja e tij personale, ai përcolli tek të rinjtë frymën e vullnetarizmit dhe solidaritetit.

Në fund të këtij takimi, kryetari i Bordit drejtues të AIITC z. Faruk Borova falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe premtoi se Instituti do të jetë në mbështetje të çdo lloj nisme vullnetare, që studentët do të ndërmarrin në ndihmë të njerëzve në nevojë.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2