wrapper

Tiranë, 29.03.2018

Departamenti i Studentëve pranë Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam organizoi në mjediset e tij shfaqjen e dokumentarit me titull “Alija Izetbegoviç, vepra që e tejkalojnë vdekjen”. Në këtë event morën pjesë studentë e studente të angazhuar në programet studentore që zhvillojnë AIITC dhe Shoqata Kulturore “Gruaja”. Dokumentari trajtonte në mënyrë të përmbledhur jetën dhe veprimtarinë e larmishme të personalitetit të lartë boshnjak Alija Izetbegoviç, i njohur si presidenti i parë i shtetit të pavarur të Bosnjë-Hercegovinës dhe një nga mendimtarët më të mëdhenj myslimanë të shek. XX.

Fillimisht aktiviteti u hap nga nëndrejtori i AIITC Alban Kodra, i cili theksoi se një ndër objektivat e këtij instituti, është edhe sjellja e trajtimi i figurave të shquara me famë botërore, që kanë dhënë një kontribut të madh në qytetërimin islam dhe Alija Izetbegoviç, sipas tij, është një prej figurave me të cilat krenohen myslimanët e Evropës.

I ftuar special në këtë aktivitet ishte zoti Sami Guzina, ish drejtues i Shoqatës së Boshnjakëve “Zambak”, njëherësh përkthyes në shqip i një antologjie nga literatura publicistike dhe aratistike boshnjake. Në fjalën e tij ai foli rreth origjinës së popullit boshnjak, të historisë së tij dhe personaliteteve boshnjake ndër shekuj. Pastaj trajtoi figurën e Izetbegoviçit, si politikan, filozof e shkrimtar, duke u ndalur në periudhën e vështirë të luftës, në të cilën e udhëhoqi popullin e tij drejt pavarësisë.

Z. Guzina foli edhe mbi sfondin historik të marrëdhënieve shqiptaro-boshnjake, duke theksuar pritjen miqësore që i bënë shqiptarët shtetasve boshnjakë, ku shumë familje u sistemuan dhe nuk u rikthyen më në vendin e tyre. Ndër kujtimet e tij ishte edhe porosia e presidentit Izetbegoviç për boshnjakët që jetojnë në Shqipëri, që të jenë kurdoherë mirënjohës dhe falënderues ndaj mikpritjes së popullit shqiptar.

Pas fjalës së tij, për studentët e pranishëm u shfaq dokumentari i shkurtër rreth jetës dhe veprimtarisë së larmishme të shkrimtarit të madh Alija Izetbegoviç, që u ndoq me mjaft interes. E veçantë e këtij dokumentari është ndërthurja e fakteve historike mbi jetën dhe veprën e Izetbegoviç, me intervista të njerëzve të shquar që e kanë njohur personalisht, politikanë e akademikë, të cilët kanë dhënë përshtypjet e tyre, mbi rolin e tij të pazëvendësueshëm për lirinë e këtij vendi dhe mbi përpjekjet e tij, që banorët e saj të ishin të barabartë dhe të bashkëjetonin në paqe, pavarësisht ndasive etnike, fetare dhe politike.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2