wrapper

Tiranë, 19. 04. 2018

Mësimi i gjuhëve të huaja, për kohën në të cilën jetojmë, paraqitet si një domosdoshmëri, për të konkurruar denjësisht në tregun e punës. Por sot vihet theksi më së shumti në përvetësimin e gjuhëve, sipas profesioneve përkatëse. Përtej rregullave gramatikore, të rinjtë janë të interesuar të mësojnë përmbajtjen dhe fjalorin e një gjuhe të huaj, sipas profesionit që ata do të ushtrojnë, si mjekësi, inxhinieri, shkenca sociale apo ekzakte etj. Kjo njihet si metoda CBI (Content-Based-Instruction), një risi në përvetësimin e gjuhëve të huaja, që do të thotë: Mësim i Bazuar në Përmbajtje. Qendra e Gjuhëve të Huaja pranë AIITC, organizoi seminarin me temë: “Mësimi i gjuhës së huaj, nëpërmjet metodës CBI”, me lektore pedagogen Eda Cauli, që kishte si qëllim afrimin e të rinjve me këtë metodë mjaft efikase.

Fillimisht, koordinatorja e kësaj qendre, Afërdita Hyseni, i njohu të pranishmit, kryesisht studentë, me shërbimet që ofron kjo qendër, ku prioritet kanë kurset e gjuhëve si anglisht, gjermanisht, turqisht dhe arabisht. Gjatë fjalës së saj, ajo theksoi se mësimi i gjuhëve të huaja, përpos kulturës, është avantazh dhe domosdoshmëri.

Më pas, fjalën e mori lektorja Eda Cauli, aktualisht pedagoge e gjuhës angleze, pranë Universitetit të Tiranës. E trajnuar në Angli për mësimdhënien, përmes metodës CBI, ajo vuri theksin te rëndësia e kësaj metode, që përfshin integrimin e përvetësimit të gjuhës, nëpërmjet përmbajtjes. Duke sjellë shembuj konkretë, nëpërmjet punës në grup, ajo vuri në provë aftësinë e studentëve të pranishëm, për të kuptuar thelbin e mësimit të gjuhës, nëpërmjet përmbajtjes.

Impenjimi i studentëve, djem e vajza, për të zgjidhur ushtrimet, sipas metodës CBI, tregoi interesin që ata kanë për përvetësimin e një gjuhe, jo sipas rregullave bazë gramatikore, por sipas një fjalori specifik, që i përshtatet profesionit që ata kanë zgjedhur. Madje lektorja theksoi se për çdo libër apo material në gjuhë të huaj, që janë të detyruar të mësojnë, ata mund të përdorin mjaft mirë metodën CBI, pasi kjo e bën më të lehtë dhe më të këndshëm përvetësimin e materialit.

Në fund të këtij aktiviteti, Qendra e gjuhëve të huaja AIITC i dorëzoi zonjës Cauli, një certifikatë mirënjohjeje, për kontributin e dhënë si drejtuese e seminarit për trajnimin e studentëve me metodën CBI. Më pas ajo iu bashkua të pranishmëve në koktejin e përgatitur me këtë rast, ku vazhdoi me ta bisedat miqësore dhe iu përgjigj interesit të tyre, mbi metodat më efikase që ajo aplikon me studentët e saj në universitet, duke dhënë një kontribut të madh në përgatitjen e tyre për provimet TOEFL dhe IELTS.

.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2