wrapper

Abu Dhabi, 8 – 9 maj 2018

Pas një maratone dy ditore prezantimesh, fjalimesh dhe analizash, mbylli punimet e saj në Abu Dhabi (EBA), Konferenca Botërore e Komuniteteve Myslimane me titull "Mundësitë dhe Sfidat". Kjo Konferencë u mbajt nën patronazhin e Shkëlqesisë së Tij, Sheikh Nahyan Bin Mubarak Al Nahyan, Ministër i Bashkëjetesës në Emiratet e Bashkuara Arabe. Aty morën pjesë më shumë se 550 personalitete shkencore e politike, përfaqësues nga institucione islame, biznesmenë dhe personalitete publike të ardhur nga më shumë se 140 vende të botës. Pjesë e kësaj konference ishin edhe përfaqësues nga Shqipëria, përkatësisht nga KMSH, AIITC, SHKG etj.

Konferenca u zhvillua në 12 sesione shkencore, ku u prezantuan kërkime nga studiues të ardhur prej komuniteteve të ndryshme muslimane në botë. Studimet e paraqitura trajtuan tema të tilla si: gjendja e komuniteteve islame në vende jo muslimane në kontekstin e sotëm botëror; doktrina e bashkëjetesës dhe e njohjes së ndërsjellë; fenomenet në rritje të ekstremizmit fetar dhe islamofobisë, roli i tyre në minimin strategjisë së integrimit shoqëror për bashkësitë muslimane dhe ndikimi negativ në paqen sociale; roli i bashkësive muslimane në promovimin e pluralizmit kulturor në vendet jomuslimane; rendi i ri botëror dhe e ardhmja e muslimanëve në shoqëritë jomuslimane.

Pas diskutimeve dhe analizave të punimeve të prezantuara, Konferenca arriti në përfundime të rëndësishme, si: zbatimi i parimeve të sanksionuara në të gjitha kartat, deklaratat dhe marrëveshjet ndërkombëtare për të drejtat e pakicave fetare dhe për të drejtat themelore njerëzore; inkurajimi i integrimit të muslimanëve në shoqëritë ku jetojnë, respektim i ligjeve të atyre vendeve dhe aktivizimi i vlerave themeltare të kontratës sociale; dënimi i plotë e i qartë i të gjitha akteve të terrorit dhe të ekstremizmit të dhunshëm, si dhe dënimi i shkeljeve të rënda nga grupet terroriste ekstremiste, duke qenë se terrori dhe ekstremizmi janë dukuri botërore që kërkojnë përpjekjet e të gjithë shoqërive dhe shteteve për ndalimin e tyre.

Në përfundim Konferenca miratoi Kartën e Komuniteteve Muslimane, e cila bën thirrje që OKB të miratojë një marrëveshje ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, që shtetet e botës të zbatojnë detyrimet e tyre ndaj kësaj marëveshjeje dhe që bashkësitë muslimane të bëjnë përpjekjet e tyre për të arritur paqen sociale dhe sigurinë. Konferenca lançoi, gjithashtu, Këshillin Botëror të Komuniteteve Muslimane, si një institucion ndërkombëtar që synon të koordinojë përpjekjet e institucioneve të komuniteteve muslimane në shtete jomuslimane, për të rritur rolin e tyre në arritjen e një modeli qytetërimor me kontribute pozitive në vendet përkatëse.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2