wrapper

Tiranë, 7 qershor 2018

Muaji i madhërishëm i Ramazanit është muaj adhurimi ndaj Zotit, i devotshmërisë dhe dashurisë ndërnjerëzore. Shtrimi i iftareve të përbashkëta është shembulli më i mirë i qëllimit të këtij muaji. Pas vetëpërmbajtjes nga ushqimi dhe veprat e këqija, besimtarët myslimanë mblidhen në iftar, duke adhuruar Zotin dhe duke biseduar mbi të mirat e besimit.

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, në vazhdën e iftareve të shtruara me grupe të ndryshme besimtarësh në të gjithë vendin, shtroi një iftar edhe me studentët e përfshirë në programet edukative të AIITC. I ftuar në këtë iftar ishte Myftiu i zonës së Shkodrës, imam Muhamed Sytari, i cili shquhet për aktivitetin e tij botues në lëmin e literaturës fetare, krahas veprimtarisë si drejtues i jetës fetare islame në rrethin e Shkodrës.

Ky aktivitet ishte organizuar në një mënyrë krejt të veçantë, ku studentët patën mundësinë që para ngrënies së iftarit, të dëgjonin prej myftiut të nderuar ligjëratën me temë: “Urtësi dhe këshilla profetike me frymë Ramazani”. Gjatë fjalës së tij, z. Sytari dha për studentët pjesëmarrës disa këshilla mbi përfitimet shpirtërore e morale nga agjërimi i Ramazanit.

Myftiu theksoi se Ramazani është muaj i një përkushtimi të jashtëzakonshëm, muaji i rimëkëmbjes shpirtërore dhe i vendosjes së ekuilibrave të shëndoshë në marrëdhënien tonë me Zotin. Sipas tij, sprova e vërtetë nis me mbarimin e Ramazanit, nëse beimtarët do të munden ta vazhdojnë frymën e tij në jetën e tyre. Ai nënvizoi se ky muaj bazohet në tre shtylla, të shprehura në tre hadithe të profetit Muhamed (a.s). Së pari, atij që agjëron Ramazanin me besim dhe shpresë te Zoti, i falen gjithë gjynahet e së shkuarës. Së dyti, atij që falet gjatë netëve të Ramazanit, i falen gjynahet e së shkuarës. Së treti, ai që kalon me adhurime natën e Kadrit, i falen të gjitha gjynahet. Janë pikërsiht këto shtylla, në bazë të të cilave Allahu vërteton devotshmërinë tonë ndaj Tij.

Nëpërmejt Islamit, theksoi ai, njeriu realizon edhe një nga synimet e krijimit të tij, të bëhet mëkëmbes i Zotit në Tokë. Ai shtoi se besimtarët myslimanë kanë arritur të ruajnë dhe të krijojnë ura komunkimi në të gjithë botën, sepse Kurani është libri që i plotëson dhe përmbush të gjitha shpalljet e mëparshme hyjnore.
Më pas, me ardhjen e kohës së iftarit, ai i ftoi studentët dhe të pranishmit që të çelin iftarin, me urimin që i Lartmadhërishmi t’ua ketë pranuar agjërimin dhe me këshillën për ta falënderuar Atë për mirësitë që u ka dhënë në këtë jetë.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2