wrapper

Tiranë, 04.07.2018

Me mbylljen e 6-mujorit të parë të vitit 2018, revista shkencore – kulturore “Univers” – botim i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam (AIITC), vazhdon përgatitjet për realizimin dhe daljen së shpejti të numrit 19 të saj. Për këtë qëllim u mblodh në ambientet e Hotel Xheko Imperial redaksia e revistës, e kryesuar nga Drejtori i AIITC, njëherazi drejtor i revistës, prof. as. dr. Ramiz Zekaj dhe kryeredaktori, prof. dr. Ramazan Bogdani. Pas një pune përgatitore disa mujore, redaksia kaloi për shqyrtim mbi 30 artikuj studimorë të paraqitur nga studiues të ndryshëm brenda e jashtë vendit.

Në fillim të takimit, Drejtori i revistës i informoi anëtarët e redaksisë mbi objektivat e rinj të punës shkencore të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, një pjesë e të cilave reflektohen qartë në realizimin e numrit të ri të “Universit”. Më pas, kryeredaktori foli mbi platformën e punës për përgatitjen e numrit të ri, duke bërë një prezantim të shkurtër të punimeve të ardhura për botim.

Gjatë mbledhjes, profesorët e nderuar, anëtarë të redaksisë, dhanë mendimet, vërejtjet dhe sugjerimet e tyre mbi artikujt e përzgjedhur për shqyrtim. Ata vlerësuan larminë tematike të materialeve të paraqitura dhe nivelin e lartë akademik të autorëve të tyre. Si gjithmonë, redaksia e “Universit” synon që në mbledhjen dhe përzgjedhjen e lëndës për botim, të kombinojë penat e sprovuara akademike me studiuesit të rinj e të talentuar, me qëllim që të shërbejë si vitrinë e dijes dhe e mendimit për të gjithë.

Në numrin e ri lexuesi do të ketë rastin të lexojë shkrime nga studiues të afirmuar brenda Shqipërisë, si Rexhep Meidani, Gjovalin Shkurtaj, Arian Kadiu, Ramazan Bogdani etj., si dhe nga studiues të shquar nga jashtë Shqipërisë si: Kopi Kyçyku (Rumani), Antonio Bellusci (Itali), Mustafa Ceric (Bosnjë), Abdulaziz bin Othman al-Tuwajri (A. Saudite) etj.

Gama e shkrimeve përfshin tema nga gjuhësia (mbrojtja e gjuhës shqipe, hidronimet e disa rajoneve shqipfolëse etj.), filozofia (binomi vazhdimësi – ndërprerje, kritika e fetarisë së kulluar etj.), historia e letrave shqipe (fillimet e gazetarisë shqiptare, Jeronim De Rada në tekstet shkollore shqiptare 1912-1944 etj.), etnologjia (festivali mbarëkombëtar shqiptar i folklorit, Rapsha 2017, Qemal Haxhihasani dhe bota arbëreshe), historia (Kongresi gjuhësor i Dibrës, kontributi i Bushatllinjve në ndërtimtarinë e hapësirës shkodrane), sociologjia, islamistika etj.

Pas konfirmimit të pjesës më të madhe të artikujve, u diskutua edhe mbi disa shkrime, të cilat kanë nevojë për përmirësime të mëtejshme nga ana e autorëve. Takimi u mbyll me rekomandimet e fundit të redaksisë, që do të merren parasysh në punën përgatitore për realizimin e numrit pasardhës të revistës “Univers”.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2